Histori tronditëse në vizitë mjekësore

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Të nderuara zonja, shoqe shumë të dashura të miat! Asnjëherë nuk e kupton njeriu se sa të çmuar e ka diçka deri sa vjen momenti që ta humbë ose të mendojë se e ka humbur. Kështu më ndodhi edhe mua përpara disa ditësh. Ishte një ditë e këndshme tetori, nga ato ditët kur edhe pse është ftohtë, dëshiron shumë të rrish përjashta e të mos mbyllesh mes katër muresh të zyrës. Por nuk çfarë të bësh se të duhen lekët në fund të muajit e prandaj rri urtë dhe nuk ndihesh. Sa për informacion, kjo që po ju them është një eksperiencë personale, jo diçka e stisur nga ana ime. Është një moment shumë tronditës. Më shumë sesa të hap zemrën, dua të shkruaj mbi papërgjegjshmërinë e disa njerëzve të cilët, pikërisht sepse kanë një funksion ose një detyrë të caktuar, duhet të jenë të kujdesshëm e të psikologjisin njerëzit më mirë sesa unë apo ju. Bëhet fjalë për mjekët. Pra po ju them, isha në këtë ditën e këndshme me sytë nga dritarja e zyrës, duke dëshiruar të pija një kafe në diell, te lokali ngjitur me punën. Sigurisht, kjo dëshirë e imja ngeli në mendje pasi edhe sikur ta shprehja, jo vetëm që nuk do të realizoja gjë, por do të kisha vështrimet e rrepta të kolegëve të punës mbi mua. Në këto ujëra, telefonova mamanë time të dashur, e cila tani që ka dalë në pension shijon më shumë se kurrë kafetë, të dalat me shoqet, motrat e kunatat e saj. Gjithashtu, mamaja ime është një njeri që i pëlqen të ecë, sikur pak minuta, çdo ditë. Mbase ishte një parandjenjë, mbase ishte dëshira për të jetuar ditën me anë të dikujt tjetër, nuk e di. Sidoqoftë, pasi dola nga zyra, në një ambient të qetë ku të mund të xhelozoja rehat në telefon, mora mamanë. Zilja binte gjatë dhe ajo nuk e hapte. Mendova se kishte lënë telefonin diku e po pastronte ndonjë dhomë a ndoshta e kishte futur thellë në xhepat e çantës së saj të madhe e nuk e dëgjonte nga zhurma e rrugës. Nuk ke çfarë t’i thuash mamasë sime! Vendos zile celulari një melodi shumë të këndshme, të lehtë dhe që i pëlqen shumë. Pastaj rrezikon mos ta dëgjojë kurrë telefonin. Pas pak më mori mbrapsht vetë. E hapa gjithë gëzim e sa po bëhesha gati ta pyesja se ku po e shijonte atë ditë të bukur, kur mu pre fjala në fyt. Mami ishte shumë serioze ndërkohë që më fliste dhe më tha që ishte pranë një doktori, të cilin e njohim familjarisht, për një vizitë të sajën. Normalisht nuk ma bëri tragjike, por unë e di specialitetin e doktorit. E di që ai është i specializuar si onkolog. Aty më ra qielli në kokë. Me shumë mundim, arrita të merrja leje te shefja ime e cila rrudh buzët edhe nëse i thua që ke një varrim dhe t’ia dërgosh me foto arkivolin e të ndjerit. Disa njerëz thjesht nuk kanë shpirt. Meqë më pa të tronditur, më lejoi të largohesha. Nuk e di a kam ecur a kam fluturuar deri në klinikën ku ishte mami. Doktori priste përgjigjen e analizave dhe nuk i kishte thënë mamit absolutisht asnjë fjalë. Ajo kishte pasur shqetësime në gjirin e majtë për disa ditë dhe kishte vënë re një masë të vogël, të rrumbullakët, në madhësinë e një zari, që i ishte dukur e pazakontë. Shto këtu edhe shqetësimin, dhe kishte menduar të bënte një vizitë. Deri këtu çdo gjë normal. Ajo që na bëri merak të dyjave, pasi babit nuk i kishim thënë asgjë se ai vuan nga zemra, ishte se doktori, me pasajdinë më të madhe, e pa grafinë e gjirit dhe tha: “Kjo masa këtu është ajo që nuk duhej të ishte. Ju zonjë mos u mërzisni shumë se vajzën e paskeni të madhe e të sistemuar. Do ikni pa merak nga kjo botë”. Aty jo vetëm që nuk kisha si të mbaja më mamanë, por edhe vetë po më binte të fikët. Si mundet një doktor, si mundet një njeri i thjeshtë, pa marrë parasysh profesionin e tij, të flasë ashtu? A nuk kanë ndjenja këta njerëz? Kaq të pashpirt janë bërë? Mami im ishte sa mamaja e tij me moshë. Si do të ndihej ai nëse do t’i ndodhte e njëjta gjë te prindi i tij? Këto gjëra ata nuk i mendojnë. Na shohin si tufa me lekë ne pacientëve të shkretë që nuk dimë se çfarë të bëjmë më përpara vetëm e vetëm të shohim një dritë shpëtimi. Pasi e mblodha pak veten, ndërkohë që mami qante me të madhe, i thashë: “O doktor, po a je i sigurt? Vetëm kaq të duhet për të dhënë vendimin?” Ai u përgjigj: “Jo, në fakt unë jam imazheristi, bëj vetëm grafinë. Se çfarë është, do t’jua tregojë doktori”. Aty nuk e përmbajta dot veten. Nuk e di se si nuk dola në lajme atë ditë pasi bëra një skenë të vërtetë. I përplasa fytyrës këtij imazheristit gjithë letrat që kishte në një tavolinë aty afër, e hodha nga karrigia ku ishte ulur dhe ia kam vesh ca shpulla të mira atij farë njeriu që na ngriu gjakun. U deshën dy infermierë që të ma hiqnin nga dora se do e kisha vrarë aty ku ishte. Mos të thotë njeri pastaj që janë pacientët gjaknxehtë e dhunojnë doktorët e gjorë. Si fillim, duhet të trajnojnë doktorët për psikologji, pastaj të pretendojnë gjakftohtësi nga familjarët e pacientëve që po luftojnë me jetën e tyre.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.