“Pse mami po më dërgon në kopsht? Nuk më do?”

Gazeta Paloma - - Front Page -

Fëmija mes banalitetit dhe modelit pozitiv

Pasi neglizhimi ka “shtruar rrugën”, banaliteti fillon të ndërtojë mbretërinë e vet dhe pushton gjithçka në psikën e njeriut. Than gjithçka që ka të bëjë me më të mirën dhe të ardhmen. Gjëja e parë që bën nxjerr jashtë loje sistemin pasqyrë, i cili mundëson realizimin e individit në person. E ardhmja është një zbulim dhe ndërtim i vetë individit nëpërmjet modeleve dhe vlerave të një grupi apo kombi. Por kur i detyrojmë fëmijët të mësojnë përmendësh fjalët dhe sjelljen e të rriturve prishim pikërisht këtë ligjësi dhe instalojmë neglizhimin, që i hap rrugë banalitetit. Duke parë e ndjekur modelet, individi nxit fantazinë dhe mekanizmat psiko-emocionalë dhe zhvillon personin që ka brenda vetes. Por po u vendos banaliteti, individi nuk mund ta realizojë të qenit zot i vetes dhe person. “Tjetri” bëhet qendra e botës dhe individi, duke harruar se ka një vete, do të bëjë si ai dhe të jetë si ai. Banaliteti nuk e lejon individin të shkojë drejt vetes, banaliteti vepron nëpërmjet imitimit dhe formave të gatshme, të cilat nuk e vënë në punë as mendjen dhe as fantazinë për të zhvilluar e zbuluar.

Kur e kritikoni apo përkëdhelni fëmijën pa radhë në të njëjtën kohë

Shpesh në rrugë sheh grupe të rriturish, që kanë vënë një fëmijë të vogël në mes dhe të gjithë pa përjashtim i flasin në të njëjtën kohë. Dhe ky është një zakon tjetër i keq që ne kemi. E folura pa respektuar radhën, ku njëri flet dhe të tjerët të dëgjojnë, te ne për fat të keq ende nuk është një praktikë rutinë. Dhe ç`është më e keqja, këtë praktikë e kemi shumë të shprehur, sidomos me fëmijët. Edhe kur i përkëdhelim, edhe kur u tërheqim vëmendjen, të gjithë të rriturit që janë pranë fëmijës e thonë nga një fjalë. Kjo mënyrë, përveçse nuk e ndihmon fëmijën të kuptojë e ndërtojë mënyrën e të dëgjuarit e të folurit, nuk e ndihmon në drejtim të të kuptuarit e njohjes që nga vetja e deri te bota e tjetrit. Të rritur, mos harroni që strukturat psikike nuk janë të shpejta në të ndërtuar, ato kërkojnë kohë dhe shumë kujdes. Përndryshe mbeten të cunguara, sidomos në drejtim të gjuhës dhe të fjalës.

“Pse mami po më dërgon në kopsht? Nuk më do?”

“Ne do të shkojmë në kopsht”, kjo shprehje e përdorur nga nëna për të treguar “hapin e madh” që do të bëjë vogëlushja apo vogëlushi i saj duket shumë e bukur, por krijon konfuzion te fëmija. Konfuzioni qëndron te fakti se në kopsht do të shkojë fëmija dhe nëna do ta lërë atje dhe do të largohet. Fëmija nuk kupton pse mami e largon nga shtëpia dhe e dërgon në një vend të huaj dhe me njerëz që nuk i njeh. Kur doni të përgatisni fëmijën për këtë hap shumë të madh në jetën e tij, duhet të jeni të kujdesshëm. Fëmija ka shumë frikë kur shkëputet nga nëna edhe kur e dërgojnë te gjyshërit që janë persona të njohur, jo më në një vend të panjohur me njerëz po ashtu të panjohur. Kjo fazë e re e jetës së një fëmije kërkon shumë kujdes dhe qetësi. Fëmijës i tregohet për vendin që quhet kopsht dhe pse fëmijët duhet të shkojnë në këtë vend dhe të rrinë me edukatoret, të cilat dinë t’i ndihmojnë fëmijët të përdorin dorën për të vizatuar, për të shkruar, por edhe për të bërë lojëra të ndryshme, si dhe u mësojnë shumë gjëra që nuk i dinë dhe që i ndihmojnë të bëhen të zotët që të shkojnë në shkollë kur të rriten. Gjithashtu prindërit duhet të dinë që në këtë fazë fëmija nuk ka të zhvilluar mekanizmat e të kuptuarit të gjërave racionale. Fëmija mendon se mami e dërgon në kopsht sepse mund të mos e dojë më dhe po e largon nga shtëpia. Pranimi i kopshtit kërkon durim nga ana e prindërve dhe profesionalizëm nga ana e edukatoreve për të qetësuar fëmijën dhe për t’i mësuar që mami shkon në punë ndërsa vajza apo djali i mamit po hedh hapin e parë drejt kësaj rruge që fillon me kopshtin.

Sjellja është “lëkura e mendjes”

Lëkura i jep pamjen njeriut dhe sjellja i jep vlerën atij. Sjellja i jep kohë mendjes të veprojë, të vlerësojë dhe të zgjedhë. Pa sjelljen, njeriu mbetet konfuz dhe rrëmujë brenda vetes.

Prindër, duke qenë modeli parësor i fëmijës tuaj i tregoni atij (fëmijës) se si sillen të rriturit. Ndihmoni fëmijën të bëjë të tijën mënyrën e Platonit, që i reziston ende kohës: “Njeriu i mirë i mendon të gjitha, por nuk i bën të gjitha. Ai mendon dhe zgjedh se çfarë duhet të bëjë”. Ndihmojeni fëmijën të njohë, vlerësojë e emërtojë atë që ndjen dhe jo ta ndrydhë atë. Duke e ndrydhur nuk do të mund ta dallojë dhe ta njohë, kështu nuk do të mund ta menaxhojë në situata të ndryshme. Jo rrallë ndodhemi në mjedise ku adoleshentë, të rinj, por më shumë të rritur, me sjelljen e tyre shpërthyese dhe të dhunshme, lënë një shije të hidhur frike dhe pasigurie. Fëmija beson se i rrituri e ka vetinë e të vlerësuarit dhe prandaj përpiqet të bëjë si ai, e imiton atë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.