Mos pastë kush vjehërr të keqe siç e kam unë!

Gazeta Paloma - - Histori -

Jeta po më shkon duke ëndërruar. Që kur isha fëmijë i mbyllja sytë për t’i dhënë vetes mundësinë të përfytyroja ç’të doja, pa e vrarë mendjen për atë që më rrethonte në të vërtetë. Këtë e bëj edhe sot. Kam shpresuar që do të vinte një ditë kur nuk do të kisha më nevojë të ëndërroja sepse vetë jeta ime do të kishte qenë një ëndërr. Por edhe sot, që jam grua, nënë e dy fëmijëve, vazhdoj të ëndërroj si atëherë kur isha fëmijë.

Do të thoni ju se për çfarë ëndërroj unë. Nuk kërkoj shumë, nuk dua jetë princeshash apo pasuri të pafundme! Dua vetëm një jetë të qetë me burrin dhe fëmijët e mi. Dua ta ndiej veten zonjë shtëpie, të bëj gatime të shijshme për fëmijët e mi, t’i marr për dore e t’i shëtis edhe kur lavamani është plot me enë të palara, të ulem e ta pi kafen me tim shoq çdo pasdite dhe gjëra të tjera si këto. Ndoshta habiteni nga kërkesat e mia dhe me të drejtë mund të jeni duke e pyetur veten se çfarë mund ta pengojë një grua të bëjë jetën që do. Do t’jua tregoj historinë time.

Jam rr itur në një familje fanatike, ku isha vajzë e vetme, me dy vëllezër. Investimi më i madh i nënës time ishte të më përgatiste për ditën kur do të shkoja te burri. Dhe siç e dini për ne shqiptarët kjo përgatitje nënkupton të dish të lash e të shpëlash, të jesh punëtore e madhe, të gatuash e t’i shërbesh burrit e familjes së tij. Dhe ime më, ç’është e vërteta, ia doli të rriste një vajzë të zonjën për të shërbyer, por shumë të ndrydhur brenda vetes. Gjithmonë e bindur kam qenë, por ëndërroja, siç ju thashë në fillim, që një ditë do të njihja një njeri që nuk do të më donte aq për shërbim, sa do të më donte për të biseduar, për të kaluar kohë me mua e për të më bërë të lumtur. Nuk jam pishman për njeriun që fati e desh të bëhej burri im. Përkundrazi njohja me të ishte një nga momentet më të lumtura të jetës time. Në atë kohë ëndërroja ditën kur do të ikja nga shtëpia e prindërve në shtëpinë e burrit dhe do të jetoja me të, do të bënim ç’të na donte qejfi ne të dyve dhe nuk do të trajtohesha si shërbyese, por si zonjë shtëpie.

Çfarë ndodhi në të vërtetë? Ditën e dytë që vura këmbën në atë shtëpi, m’u bë e qartë se aty isha për të shërbyer dhe jo për të bërë ç’të doja unë se familja kishte “krye”. Dhe koka e familjes tonë konsiderohej vjehrra. Familja e tim shoqi ka një shtëpi 3 katëshe. Në njërin kat do të jetonte vjehrra me vjehrrin, në katin tjetër unë me burrin dhe familjen e tij dhe kati i tretë i takon vëllait të burrit që është treguar më i mençur dhe jeton jashtë, i qetë me gruan dhe fëmijët e tij.

Ditën e dytë që vura këmbën në shtëpinë e burrit, m’u bë e qartë se nuk kishim pse mbyllnim dyer dhe gjithë lista e punëve që duhet të bëja. “Jo për gjë, por këto punë i takojnë nuses”,- thoshte vjehrra, e cila të bijën e mëson të bëjë si e sëmurë e t’u bëjë bisht punëve të shtëpisë. U mërzita dhe i thashë burrit, por ai ka një lloj druajtje ndaj të ëmës. Nuk i kthen dot fjalë, edhe atëherë kur më jep të drejtë mua. Shtëpitë e ndara në secilin kat janë thjesht një gënjeshtër. Vjehrrën e gjen kudo në shtëpi, edhe në dhomën time të gjumit. Nuk e mbyll dot derën e të shtrihesh për të pushuar se na mërzitet e na mban qëndrim. Kur linda fëmijën, doja të rrija me të sa më shumë, por vinte vjehrra që ma merrte nga duart e më thoshte: “Vazhdo punët se e mbaj unë”. Vinte burri nga puna e doja të dilja për një kafe, ndërhynte vjehrra e thoshte: “Ne të dyja e pimë bashkë, burri le të shkojë ta pijë në lokal me burrat”. Vinte koha e pushimeve, thoshte vjehrra të iknim të gjithë bashkë me familjen e së bijës. Unë përfundoja shërbëtore e të tjerët bënin plazh. A ka kuptim një jetë si kjo e imja?

Do të thoni ju se pse kam pranuar. Po ç’të bëj? Të bëj sherr? Kur e ke eko- nominë të lidhur me vjehrrën e vështirë është edhe kjo pjesë. Shtëpia është në emër të prindërve të burrit. Im shoq rrogën ia dorëzon të ëmës se ajo e mban ekonominë e shtëpisë. Nuk është i zoti t’i kundërvihet, jo vetëm ai, por as unë.

E bëra njëherë dhe më keq më doli. I thashë që do të shkoja nga prindërit e mi, të rrija 2- 3 ditë. Ma fryu burrin, duke i thënë që do ta lija. Pastaj kur i thashë që kisha nevojë për pushim dhe i fola pak ashpër, bëri sikur i ra të fikët. Thirri dhe ambulancën dhe nuk lëvizi 3 ditë nga krevati dhe unë i shërbeva se çfarë do të bëja.

Duket si histori telenovelash, por është jeta ime. Po bëj 12 vjet e martuar dhe një ditë të qetë nuk kam parë. Për të mos folur për kunjat që më hedh çdo ditë e që nuk lë rast pa m’i vënë fëmijët dhe burrin kundër. Por të paktën tani fëmijët po rriten dhe e shohin edhe vetë që unë më shumë sesa një pjesëtar u familjes, trajtohem si një shërbyese. Imagjino të mbetesh në dorë të vjehrrës për të blerë edhe gjërat personale.

Përpara se të shkoja në shtëpinë e burrit e mendoja vjehrrën si njeri të dashur. Mendoja që falë saj ka ardhur në jetë njeriu që lidha jetën. Mendoja se ajo nga dashuria që kishte për të birin, do të më donte shumë edhe mua. Mendoja se do ta respektoja sepse do të ma impononte ajo me dashamirësinë e vet. Ndërkohë sot e gjej veten duke e respektuar nga halli. I bindem, por thellë- thellë nuk e dua as pranë vetes, as pranë fëmijëve të mi.

Nuk di ç’t’ju them, nga ta nis e nga ta bitis. Por një gjë jua uroj me shpirt, mos pastë kush vjehërr të keqe siç e kam unë!

Unë vazhdoj të ëndërroj sa herë mundem që do të vijë një ditë e bardhë edhe për mua, si shpërblim për gjithë këto vite pritje!

Nuk besoj se kërkoj shumë, vetëm një jetë të qetë me burrin dhe fëmijët e mi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.