Historia jonë, dhuratë hyjnore

Gazeta Paloma - - Histori -

Të dashur miq e lexues të gazetës “Paloma”, dua me gjithë shpirt të ndaj me ju këtë dedikim kushtuar atij që sot është jeta ime, atij që më fali gjënë më të shtrenjtë, dashurinë, për të më bërë mua femrën më të lumtur të kësaj bote.

Një ditë më ra zilja e celularit. Një zë i ëmbël, por në të njëjtën kohë potent, më foli. Unë u mahnita nga ai zë i bukur, që u mundua të më falte ngrohtësi e komunikim të përkryer.

Harabel ( unë kështu të thërras ty e ti mua Gardelinë), ti trokite në zemrën time atëherë kur unë s’e prisja, por edhe në atë kohë kur unë të dëshiroja aq shumë. Erdhe dhe më lulëzove gonxhet e paçelura, erdhe e më shkrive zemrën e ngurtësuar. Zëri yt i ëmbël e potent më bëri të tërën për vete. Dashuria jonë erdhi natyrshëm, e bukur, e pastër dhe e sinqertë, virtyte që unë nuk i shoh kurrë pa njëri- tjetrin.

Megjithëse portat e zemrës sime ishin të mbyllura, ti o shpirt munde t’i hapje ngadalë e të cicëroje ëmbël serenatën tënde të dashurisë, duke bërë që zemra ime të të pranonte si mikun më të mirë të saj. Ti erdhe dhe rrezet e tua të zjarrta ngrohën çdo skutë të shpirtit tim të brishtë dhe shkrive ngadalë çdo pjesë të ngrirë brenda meje. Këmbëngulja, besimi, sinqeriteti dhe dashuria jote e pastër bëri jo vetëm që të më shkrije, por edhe që të të dashuroja çmendurisht.

Ti e mbush jetën time jo vetëm me cicërimën tënde o harabel, por me një ndjenjë të bukur dashurie të papërjetuar kurrë më parë. Dhe tani pa frikë i them vetes: “Gardelinë, ti je e dashuruar”. E si të mos dashurohem pas teje o shpirt, kur çdo mëngjes kur hap telefonin dëgjoj zërin tënd të ëmbël tek i këndon këngë e vargje dashurie dashurisë tënde dhe mua zemra më rreh aq fort sa dua të fluturoj me nxitim për tek ty, o harabeli im.

E si mos të të dua, kur ti çdo moment të ditës më ledhaton me fantazitë e tua të çmendura, që më mahnitin pa fund e kur çdo çast më thua: “Gardelinë, ti je hapësira e shpirtit tim, ti je ylli polar, ti je universi im, ti je trëndafili im, ti je planeti im i dashurisë, ti je mbretëresha ime. Pa ty s’mundem të jetoj, sepse je oksigjeni për mua”. E unë mahnitem me ty e dashurohem çdo ditë e më shumë pas teje.

Unë e di se të kam lodhur shumë o jeta ime, por besoj se ia ka vlejtur mundimi sepse ke arritur të më bësh këtë që jam sot, një femër të lumtur e të dashuruar çmendurisht pas teje. Shumë herë të kam thënë se uroja me shpirt që të gjithë të dashuruarit e kësaj bote të ishin të dashuruar si ne, sepse dashuria jonë i ka kaluar të gjitha pengesat e sot ne jemi në planetin tonë të dashurisë, të sigurt e plot pasion.

Dashuria jonë i ka themelet të thellë e të betonuar mirë dhe s’ka tërmet që i lëkund. Muret e saj janë të ndërtuara me tulla sinqeriteti, respekti e dashurie të pastër si kristali. Prandaj, zemra ime, ne duhemi aq shumë dhe i kemi premtuar njëri- tjetrit dashuri të përjetshme e se do të jetojmë për njëri- tjetrin.

Unë dua të të falënderoj për këtë dashuri e energji pozitive që transmeton çdo sekondë tek unë dhe dua të të them publikisht o shpirt se ti je jeta ime, ti je dielli që më ngroh me dashurinë tënde të ëmbël, ti je princi im me sy të kaltër, ti je kënga e simfonia e shpirtit tim. Ti je kalorësi që ke pushtuar zemrën time e tani kalëron në të i qetë e krenar, sepse heshtën e dashurisë e ke ngulur thellë dhe je i sigurt që ka prekur ndjenjat më të ëmbla për të mos u shkulur më kurrë. Ti o shpirt më mbush me jetë çdo moment të ditës sime, ti më jep forcë të jetoj, ti më rilinde e më bërë të rijetoj përsëri o gjaku i zemrës sime.

Të dua harabeli im, sepse je i ëmbël si mjalti, i sinqertë e i pastër si smeraldi. Të dua dhe do të të dua përjetë o cicërima ime, o dashuria ime e përjetshme e të falënderoj pa fund që më fal kaq shumë dashuri të sinqertë o harabeli im shënkoll. E jotja, Gardelina, Laç! Faleminderit që i kushtuat disa momente nga koha juaj e çmuar historisë sime. Përqafime dhe ju uroj fat të gjithëve!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.