“E thirra doktorin që të të bëjë gjilpërën”

Gazeta Paloma - - Front Page -

Përralla e kontrollit urinar

Ani, 3 vjeç, sapo u zgjua në mëngjes nga gjumi, kontrolloi veten, prapë ishte lagur. U mërzit aq shumë dhe filloi të qajë. Menjëherë erdhi mami dhe e pyeti: “Po qan se je lagur? Mos u mërzit. Po të tregoj përrallën e trurit dhe fshikëzës së urinës apo qeses së çiçit. Truri drejton çdo proces në trupin e njeriut. Ai e realizon këtë kontroll nëpërmjet postierëve të shumtë që ka në dispozicion. Ata shkojnë në çdo cep të trupit duke çuar komanda. Një postier punon vetëm për vezikën urinare apo “qesen e çiçit”. Kur njeriu është i vogël, si ti Ani, edhe postieri është i ri dhe nuk mund të eci shpejt, sepse nuk e di mirë rrugën dhe kështu komanda që i dërgon truri “qeses së çiçit” arrin me vonesë në destinacion. Mbas moshës tre vjeç, postieri fillon e bëhet më i shpejtë e më i zoti, e njeh mirë rrugën dhe blen edhe një makinë dhe kështu e dërgon më shpejt komandën dhe “qesja” nuk e hap “derën” para kohe, fiton kontroll. Natën truri nuk fle, por punon edhe më shumë dhe i çon vazhdimisht komanda qeses së çiçit që të mos e hapë derën pa dëgjuar zilen e postierit, por qesja qëllon gjumashe dhe nuk e dëgjon zilen kur vjen postieri, prandaj urinojmë pa e kuptuar, siç të ndodh ty Ani. Atëherë truri vendos dy roje dhe u ngarkon detyrën që të zgjojnë qesen kur i bie ziles postieri që ta hapë derën në kohën e duhur. Por ndodh që edhe rojet, duke mos qenë akoma profesionistë të mirë, i zë gjumi. Por me kalimin e kohës ata të gjithë rriten së bashku, rojet, postieri, qesja dhe fëmija, dhe bëhen shumë të zotë, siç po përpiqesh ti Ani të bëhesh dhe do t’ia dalësh shumë shpejt”,përfundoi përrallën mami duke përkëdhelur kokën e Anit që tashmë ishte qetësuar.

Shprehjet që minojnë te fëmija respektin dhe përgjegjësinë

“Mos bëj kështu se i them policit!”; “E thirra doktorin që të të bëjë gjilpërën!”; “Po bërtite vjen hajduti dhe të merr”. Këto tri shprehje që të rriturit i përdorin rëndom kur duan të “mbarojnë punë shpejt” me fëmijët e të bien rehat janë një tjetër e keqe e mënyrës se si i edukojmë ata, fëmijët. Të rriturit, duke filluar nga prindërit, gjyshërit, mësuesit e deri te kalimtarët në rrugë, as që e vrasin mendjen të dëgjojnë veten se çfarë nxjerrin nga goja dhe çfarë efekti bëjnë këto fjalë te fëmija kur i dëgjon. Të rriturve as u shkon në mend që kanë barazuar dhe njësuar tri “gjëra” që nuk barazohen dhe njësohen. Të barazosh doktorin me hajdutin dhe policin me hajdutin është t’i minosh fëmijës të mirën, respektin dhe përgjegjësinë. Ky edukim i keq me modele të bëra lëmsh nuk mund të prodhojë gjë tjetër veçse të rritur konfuzë, që nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja dhe përgjegjësinë nga papërgjegjshmëria.

Rutina, fenomeni që i jep fëmijës sigurinë nga e papritura

Rutina është fenomen në natyrë dhe shumë e rëndësishme për psihën e çdo gjallese. Rutina ndihmon dhe ndërton strukturën e psihës. Në këtë mënyrë i vogli i çdo specie mëson dhe rrënjos sjelljen e species së tij dhe ligjet e mbijetesës. Edhe te njeriu ndodh e njëjta gjë, gërshetimi i proceseve të njohjes, të zhvillimit dhe rutinës ndërtojnë strukturën e psihës së njeriut. Rutina i siguron fëmijës qetësinë dhe sigurinë nga e papritura. E papritura, edhe kur është e mirë, ia trondit sigurinë, e lë fëmijën në një gjendje mëdyshjeje. Për këtë arsye të gjithë specialistët që studiojnë psihën dhe edukimin e fëmijës insistojnë në ndërtimin dhe respektimin rutinës, e cila eviton frikën dhe ankthin nga e panjohura dhe e papritura. Nëse fëmija i realizon arritjet e tij (ecja, e folura, e ngrëna vetë, përdorimi i mjeteve, të lexuarit, të shkruarit etj.) nëpërmjet një rutine të organizuar mirë, gjithçka do të jetë e thjeshtë dhe e sigurt, strukturat mendore do të jenë të mirorganizuara për të përballuar të papriturat e jetës kur të rritet. Siç edhe thonë specialistët: “Rutina ndihmon fëmijët t’i kryejnë komandat dhe detyrat, edhe pse trupi i tyre nuk ka arritur nivelin e plotë të pjekurisë”.

e Paaftësia për të toleruar mërzinë

Një nga problemet me të cilat përballet njeriu dhe që i shkakton shumë shqetësime është mërzia. Mërzia është një nga temat më të rëndësishme jo vetëm në shkencë, por edhe në filozofi. Të gjitha mendjet e ndritura janë marrë me këtë dukuri tinëzare, që e lë njeriun në udhëkryq. Mërzia është nga ato ndjesi që po nuk u përballua shkatërron vullnetin dhe nuk lë të zhvillohet vetëdija. Kur mërzia e pushton njeriun, ajo bashkohet me dhimbjen, dyshimin dhe impotencën, prandaj është shumë e rrezikshme. Ky aliazh, kur krijohet, gjymton heshturazi personalitetin dhe ushqen tendencën antisociale. Të rriturit në përgjithësi dhe specialistët e mirërritjes dhe edukimit në veçanti duhet ta vendosin në qendër të vëmendjes këtë dukuri, për ta evituar sa më shumë të jetë e mundur. Një nga detyrat bazë të edukimit, është si të zhvillohet aftësia për të toleruar mërzinë. Ta zhvillojë te fëmija që në fillimet e jetës këtë aftësi, por jo nëpërmjet frikës dhe kërcënimit, por nëpërmjet vullnetit dhe tolerancës. Duke e asistuar me qetësi fëmijën, duke i dhënë të drejtë kur mërzitet, por duke e nxitur të vazhdojë duke i treguar arritjet e tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.