ZEMRA QË KËRKON NJË KRIJESË HYJNORE

Gazeta Paloma - - Histori Personale E Ardhshëm Numrin Do Të Lexoni: -

E mbuluar në vellon e trishtë të heshtjes vajtuese, dëshpërimisht me kokën në një anë, rrëmbimthi shkisja hapat pa busull orientimi, ashtu në errësirë, si për të kërkuar pakëz dritë nga fenerët e xixëllonjës.

- Mos u nxito! - mërmëriste mekur një zë brenda meje. Dhimbja që posedon shpirtin nuk duhet të të rrëzojë, - ia beh sërish një zë i ëmbël si në isot polifonike. E shkujdesur, pa taban ekuilibri, rrotullohem asisoj... deri në evoluim të një motivi shpresëdhënës. Sado të çapitem nën drithërimat e ankthit dominues, më kot endem duke ia zbehur vlerën gjithçkaje. Nën strehën e këtij “ceremoniali çorientues” të ngjizur në një zemër që pikon gjak në çdo moment, vijoj të eci e menduar, e dërrmuar dhe e shkatërruar sa më s’ka. Balancimi natyror bën që jeta të të japë dhe marrë njësoj. Por jo... Mua më mori në doza të mëdha dhe më doroviti me pikatore. Etshëm në shkretëtirë zgjas duart si për të kërkuar një pikëz ujë. Mbetem duarbosh, buzëtharë, pa muzikën e shpirtit dhe ilaçin shërues. Sa situatë e vështirë! Ironi e fatit apo shaka e shëmtuar e natyrës? Patologji e fjetur apo hormon i predispozuar vetëm për sëmundje? Mallkim i natyrës apo sprovë nga Zoti? Çdokujt fatin ia përcakton Zoti, por unë nuk di a do mundem të pajtohem me realitetin. E dua jetën dhe aspak nuk trembem nga vdekja, ndonëse varg dhimbjesh më bëjnë hije çdo ditë, por nuk mundem, nuk mundem të bëj kompromis me të rrahurat e zemrës që nuk di si po duron, as me kraharorin që kërkon një shtrëngim pasardhësi, as me prehrin që vuan të gëzohet me një fëmijë. Ndihem tej mase e kyçur në boshllëk, e testuar në çdo kohë me peripeci të jetës e ndonëse në çdo betejë ia kam dalë, e vetmja që më sfidoi ish thika me dy presa e kapriços së sëmundjes, duke më shantazhuar në kopertinën e një jetëgjatësie të shkurtër. Pengu që kam në shpirt do shkërmoqte çdo mal me dhimbje a vuajtje për të hapur tunelin e kënaqësisë së të qenit nënë. Por jo, intervali kohor i mëmësisë rrëshqet si grilat rombike të dritares së një dhome, duke mbyllur çdo burim vezullimi. O Zot, sa do të doja të isha në dehjen e ndjesisë së lumturisë! Sa do të doja të mbaja në duar krijesën e bukur hyjnore, dhuratën e mrekullueshme nga Zoti, bekimin më të vyer... një fëmijë! Do fluturoja nga gëzimi mbi barrikadën e ngritur me vuajtje, stres, mjerim dhe dhimbje, duke koordinuar kënaqësinë e pakrahasueshme të mëmësisë me dashurinë e madhe për jetën. Por s’paskësh qenë risk për mua ta kem këtë dhuratë të shenjtë. Zemra sa s’më shkulet nga pikëllimi që s’mundi të bëhet dot krevat i butë për fëmijën e saj. Buzët kërkojnë pareshtur të puthin krijesën njomëzake të Zotit, harkimet e krahëve thërrasin përqafimin e gjallërisë së shtëpisë, rrumbullakësia e fytyrës kthehet në ikonë trishtimi nga mungesa e doçkave përkëdhelëse të një vogëlushi, prehri mbetet thatë si djerrinë e braktisur, shpirti rënkon nga pesha e pengut. Stonoj në çdo linjë mbijetese dhe përtypem me hidhërim në rrënimin shpirtëror.

- Zonjë, ju lutem, mund të ma mbani pak foshnjën? - theu heshtjen time vrastare zëri i ngrohtë i një gruaje në moshë fare të re që kish në krah bukurinë vezulluese të bekimit hyjnor. - Patjetër,- i them ashtu instinktivisht dhe rend thuajse fluturimthi për të rrokur në krah fëmijën e saj. Oh, shumë faleminderit, do kthehem shpejt, sapo të blej një kos frutash...- dhe më vuri në prehër foshnjën 16- muajshe. O Zoti, çfarë mrekullie! Ishte e vërtetë apo makth? Të qesh a të qaj nga kjo ndjesi lumturie? “Ma- ma” belbëzonte duke tundur doçkat e vogla teksa më shikonte ngultas foshnja engjëllore. O Zot i madh! Faleminderit për ndriçimin e këtij momenti magjik që më dhurove! Hodha tej mbështjellën e dëshpërimit dhe u përfshiva e tëra në rreze gëzimi e hareje. Përkëdhelja gishtërinjtë e vegjël që luanin në krelat e flokëve të mi e me ëndje sodisja bukurinë engjëllore që kisha në prehër.

- Po kjo foshnjë nga erdhi? - pyeti butësisht im shoq e me gjest kërshërie po shikonte rrotull. Ndërkohë unë shijoja ëmbëlsinë e përqafimit të foshnjës duke e mbajtur në krah e duke luajtur me topthat e vegjël të lidhëses së fustanit shumëngjyrësh që i jepte hiret e një princeshe të vërtetë. “Ma- ma” belbëzonte zemra e vogël dhe puliste qepallat e gëzuar teksa me doçkat e vogla më tregonte fjongon rozë në flokët e saj të mëndafshtë. Pa i shqitur sytë nga unë më buzëqeshte në kurmin e një rrezetimi verbues. O Zot, çfarë mrekullie ke krijuar! E teksa e vështroj me ëmbëlsi, më duket sikur kam para syve derën e parajsës. Në çast u ndjeva e kompletuar dhe me perfomancën e bardhësisë së shpirtit dehesha në lumturi duke menduar me zë të lartë: “Tani mori kuptim jeta ime”. Foshnja sylarushe më shihte në sy dhe mbështillej në kraharorin tim. Oh çfarë kënaqësie! Tiktaket e zemrës sime u bënë ninulla për vogëlushen që flinte në dyshekun e ngrohtë të dashurisë pafund. Ndihesha e plotësuar, dinamike dhe e çliruar nga damka e opinionit primitiv që të nënqesh me epitetin “sojshuar”. Zërat përreth meje, me shikime dyshuese, buçisnin në soj-soj hipotezash. “Bobo, ç’të gjeti ty!”; “Ta la në prehër dhe ia mbathi”; “Kështu i braktisin fëmijët këto të rejat e sotme”; “Po si i besove xhanëm?”; “Do gjendesh në rajone policie, të gjeti belaja në dyert e gjykatave”; “Po si i besove moj aman?”

Boll më! - shpërtheu me indinjatë një zë brenda meje, gjithsesi me buzëqeshje në fytyrë. Si flisni kuturu? Mos vallë ju dukem si maskë e një hajduti ordiner? Përse bëheni iniciatorë të një gjykimi aparent, pa më njohur fare as mua dhe as mamanë e foshnjës? E ndërsa flisja kujdesesha të kontrolloja volumin e zërit që të mos zgjoja bukurinë përrallore që kish lëshuar nur hijeshie në kraharorin tim. Përreth u krijua një atmosferë me hije dyshimi. Me hapa të shpejtë e në gulçim të frymëmarrjes, ia behu mamaja e foshnjës me kosin e frutave në duar. Ra heshtje. Asgjë nuk pipëtinte dhe shikimet dyshuese zhyteshin në pendesë.

- Faleminderit zonjë, mirënjohje për ju!- foli me zë të ulët, të ngrohtë e miqësor mamaja e foshnjës dhe me kujdes ledhatoi butësisht krijesën që frymonte në kraharorin tim. Vogëlushja kish mbërthyer doçkat e vogla në supet e mia si për të mos u shqitur kurrë prej meje. Shikimet dyshuese të zhytura në pendesë u shndërruan në kërshëri të momentit. - Më falni zonjë, nga nxitimi nuk u prezantuam dot - dhe më zgjati bardhësinë e dorës së saj që reflektonte domethënien e pastërtisë së shpirtit. Jam Adela, nga Berati, respekt për ju që më ndihmuat me vajzën!

- Asgjë e dashur, ishte kënaqësi për mua...më qua- jnë Drilona,- u përgjigja me butësi e buzëqeshje, por në të vërtetë ndihesha në fluks emocionesh që shpeshtonin të rrahurat e zemrës sime. Përse jam kështu? - pyesja në heshtje veten, teksa me instinktin e mëmësisë kisha mbështjellë foshnjën në gjoksin tim. Kaq ish e shkruar të zgjaste shijimi i kësaj mrekullie të Zotit? Tiktaket e forta të zemrës sime u kthyen në tringëllima joshëse për vogëlushen që me lëvizje çapkëne u zgjua me shikimin që kryqëzohej herë tek Adela, mamaja e saj, herë tek unë që thuajse i dukesha si vetë mamaja që e kish lindur. “Ma-ma” belbëzoi në puthitjen e buzëve që tek-tuk tregonin dhëmbët e sapodalë si rruazore të bardha në perfeksion. Marshallah,më foli shpirti. Adela hapi kutinë e kosit të frutave dhe me buzëqeshje pohoi që ta mbaja ende në prehër Melodinë ( kështu quhej vajza e saj; emër shumë i bukur). Me lugën picirruke ushqenim princeshën, herë Adela e herë unë e me një pecetë aromatike pastronim cepat e buzëve të vogla të saj. Melodia puliste qepallat e lumturuar duke tundur këmbët në kënaqësinë e të ushqyerit. Sa e lodhur jam Drilona, lart e poshtë me vajzën në krahë! - fliste Adela ndërkohë që rregullonte fjongon rozë në flokët e mëndafshtë të Melodisë. Ky spital më risjell trishtim të pamasë... para një viti humbëm mamanë në moshë të re nga mortja e sëmundjes së ligë - tha e në rrumbullakësinë e fytyrës së lëmuar të Adelës rrodhën lot. Një therje e fortë në gjoks më bëri të vij këtu, s’mundem, jo s’mundem të përballoj një tjetër përvojë të hidhur, - foli gati në copëtim të shpirtit Adela dhe u ngashërye e tëra në lot dëshpërimi.

- Jo Adelë e dashur, asgjë s’do të ndodhë,- i thashë duke

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.