Akshay Dogra: “Aktorët e mirë humbasin mes turmës. Në Tv nuk vlerësohet talenti”

Gazeta Paloma - - Koktej -

Aktori i famshëm ndihet i revoltuar ndaj suksesit që ka mediokriteti në televizion dhe për faktin që dikush pa pasion apo talent paguhet më shumë se një i talentuar. Rreth kësaj teme ai ka shkruar një post në Instagram: “Po flas si një aktor që u drejtohet personave të tjerë që duan të ndjekin këtë karrierë. Duke u nisur nga fakti se ky është një biznes tërësisht komercial, duhet ta dini se nuk është një rrugë e thjeshtë. Do të ketë momente kur do të shihni mediokritetin të ketë sukses. Dikush që nuk ka as pasion, as talent, do të paguhet më shumë se dikush që ka talent. Është shumë e vështirë të ngjisësh shkallët e suksesit. Por duhet të vazhdosh të përpiqesh, të ruash pasionin. Mos e humbisni imazhin për veten tuaj apo asaj që dëshironi ta bëni më së miri… dhe sinqerisht mos shpresoni shumë për çmime, nominime. Gjithsesi, çdo gjë është një farsë e madhe. (Për ta sqaruar këtë pjesë, ka disa njerëz që vërtet i kanë merituar çmimet e marra për punën e bërë, por pjesa më e madhe janë një farsë që ekrani i shfrytëzon për shikueshmëri). Mund të luftoni shumë ose mund të keni suksesin e menjëhershëm, por ju lutem kujtoni këtë, duhet të jeni dikush me botë, mos u bëni egoist apo arrogant prej famës së momentit! Shijojeni udhëtimin tuaj drejt suksesit, zbuloni vetveten… sepse vetëm ju mund të bëheni ndryshimi mes mediokritetit dhe brilantes së vërtetë, mos e humbni origjinalitetin! Ëndërroni! Luftoni! Kurrë mos ndaloni së kërkuari ekselencën. Mos lejoni kurrë që një i patalentuar që ka një ndjenjë të thellë xhelozie për ju, t’ju bëjë të ndiheni si i pavlerë!”

Aktori po ashtu ka përplasur të vërtetën në sy: “Në televizion nuk vlerësohet talenti, por paratë. Nëse je në një kanal të famshëm nuk ka rëndësi puna jote, suksesi është i garantuar. Nëse një aktor mediokër, me një rol mediokër, shikohet përditë në televizor, njerëzit do ta bëjnë atë të famshëm duke menduar se ai aktor është vërtet i mirë. Ndërkohë që shumë aktorëve të talentuar nuk u jepet kurrë shansi të shpalosin veten. Aktorët e mirë humbasin mes turmës. Nuk mendoj që fama është diçka e keqe, por mendoj se aktorët në radhë të parë duhet të dëshirojnë të bëjnë role të cilat fshehin histori të bukura”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.