I FEJUARI VENDOS SHOKËT DHE BIXHOZIN PARA MEJE…

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Përshëndetje! Jam një vajzë e respektuar nga njerëzit dhe shumë persona më kanë adhuruar si një femër të këndshme dhe mbi të gjitha të ndershme. Sot jam e fejuar. Jam njohur para 5 vitesh me të fejuarin tim. Edhe pse nuk e mendoja kurrë se ai do të ishte dashuria ime e parë dhe e vetme, ja që kështu ndodhi...

Krijuam një lidhje dhe çdo gjë po shkonte më mirë seç e kishim planifikuar. Kurrë nuk e kisha menduar se do ekzistonte një person kaq i mirë, që do bënte çdo gjë vetëm që të më bënte të lumtur. Kaluam shumë çaste gëzimi e hidhërimi së bashku, ndodhnin edhe grindje si çdo çift tjetër, por gjithmonë fundi na gjente pranë njëri-tjetrit. Kemi 2 vite e pak që jemi fejuar. Vazhdojmë të duhemi shumë, por na kanë dalë disa probleme që ndoshta kam menduar se do të zhduken me kalimin e kohës dhe nuk u kam kushtuar shumë vëmendje gjatë lidhjes. Ai betohej se do ndryshonte dhe unë i besoja verbërisht.

I dashuri im është një tip që nuk i pëlqen shumë puna, por ama i pëlqen shumë rruga. Pra, pëlqen të rrijë gjithë ditën me shokë, madje edhe fundjavat në 99% të rasteve i kalon me ta. Kjo është zhgënjyese për mua pasi jemi të dy të rinj dhe mendoj se më mirë do ishte që kohën ta kalonim bashkë, të shkonim ndokund, me aq mundësi sa kemi. Por ai rri veç me shokë dhe unë në shtëpi.

Shpesh i them që ne akoma nuk e kemi shijuar fejesën, por atij duket se nuk i intereson shumë. Gjithashtu nuk e mbaj mend se kur mund të ketë qenë hera e fundit që kam marrë një dhuratë, sado të vogël, nga ai. Edhe këtë temë ia kujtoj shpesh, por duket se atij nuk i bën shumë përshtypje, pavarësisht se unë e vuaj këtë fakt sepse si çdo femër kam nevojë edhe unë të ndihem e vlerësuar, të më kushtojë pak vëmendje personi që e adhuroj me gjithë forcën e zemrës. Përveç këtyre kam edhe një problem tjetër. Kur është i mërzitur ai luan bixhoz dhe vendos skedina. Betohet se do t’i lërë, por përsëri vazhdon. Kemi hyrë në borxhe dhe nuk e di se si do t’i lajmë. E vetmja zgjidhje është që t’ua kërkoj prindërve të mi, pasi nuk bëhet fjalë t’ua kërkojmë prindërve të tij se do të bëhej nami. Por a është e drejtë që tani e fejuar t’i gënjej prindërit për t’u marrë lekë? E shoh se çdo ditë e më shumë grindjet tona po shtohen, besimi po largohet, ndjenjat ka momente që s’i gjej dot...

Ne kemi rroga mesatare, ndërsa ai ka lënë disa herë në skedina mbi 3 milionë lekë. Nuk e di si do vazhdojë jeta ime, mbasi e shoh se si po shkatërrohem dita-ditës. Qenka një zhgënjim shumë i madh kur këto strese t’i sjellë personi që ke veçuar si njeriun e jetës tënde. Shpesh kam turp të dal në rrugë sepse mendoj se do të m’i përplasë ndonjë person në fytyrë veprimet e tij. Nuk e di nëse ia vlen të vazhdoj e t’i qëndroj afër me shpresën se do të ndryshojë apo t’i jap fund. Unë e di, jam e sigurt se ai do të shkatërrohet nëse unë vendos të ndahem, por nëse bëj sakrificë të qëndroj përkrah tij, a nuk mund të bëjë një sakrificë ai në radhë të parë për veten, pastaj për njerëzit që e duan, t’i lërë ato skedina e të bëhet më familjar?

Pres sugjerime nga ju, të dashur lexues. Faleminderit dhe respekte!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.