MË THA SE MË DONTE, POR U ZHDUK

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur miq të gazetës “Paloma”! Jam një djalë nga një qytet bregdetar, që vendosa të shkruaj në gazetë për një vajzë që e kam njohur në Facebook, e cila m’u betua se më donte, por pastaj u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.

Irma, kështu quhet vajza që njoha në Facebook, ishte nga Tirana. Një ditë, kur hapa Facebook-un pashë që më kishte bërë një kërkesë për miqësi. E pranova, por vura re se nuk e kisha parë ndonjëherë këtë vajzë, pra nuk e njihja. Kishim disa miq të përbashkët, por kur i pyeta edhe ata më thanë se nuk e njihnin. Njëherë e gjeta në linjë dhe fillova t’i flisja. Ajo më tha se nuk më njihte, por i kishin pëlqyer komentet që u kisha bërë shokëve që kishim miq të përbashkët dhe më kishte sjellë kërkesën për miqësi.

Atë ditë u prezantuam. Ajo ishte 17 vjeçe, sa unë, dhe ndiqte gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ishte me origjinë nga Berati, por kishte shkuar që e vogël në Tiranë. Kishte shumë humor dhe më pëlqente shumë komunikimi me të. Filluam të flisnim pothuajse çdo ditë. Në një farë mënyre u lidhëm në Facebook, edhe pse nuk ishim takuar asnjëherë.

Ajo kishte shumë pak fotografi në Facebook dhe në shumicën prej tyre as që i dukej fytyra. I kërkoja të vinte ndonjë fotografi ku dukej më qartë, por ajo më thoshte se e kishte hapur fshehtas Facebook-un dhe nuk donte që ta merrte vesh familja sepse mund t’i hapeshin probleme. I kërkova që të më niste një fotografi me e- mail, por gjente gjithmonë justifikime dhe nuk ma sillte. Pas disa kohësh i kërkova që të takoheshim. Ajo pranoi, por më tha se do të më thoshte vetë kur të kishte mundësi. Më dha edhe numrin e telefonit. Pra, nuk flisnim vetëm në Facebook, por edhe në telefon. Kur shkonte në shtëpi e mbante mbyllur telefonin se kishte dy vëllezër më të mëdhenj dhe po ta gjenin ata duke folur me ndonjë djalë i bënin namin.

Fillova të ndieja gjithmonë e më shumë për Irmën. Më pushtonte xhelozia sa herë që ajo bënte komente në profilin e ndonjë djali tjetër. Nuk doja të tallesha me atë vajzë. E konsideroja si të dashur në jetën reale, edhe pse nuk e kisha takuar asnjëherë. Edhe shoqëria ime e dinte për ne të dy. Ajo fliste edhe me shokët dhe shoqet e mia, që i bëri miq në Facebook.

Një ditë pas insistimit tim, ajo pranoi të më takonte. U nisa për në Tiranë. Gjatë gjithë rrugës flisja në telefon me të. Kur arrita në Tiranë e mora në telefon që ta pyesja se ku duhej ta prisja, por telefoni ishte mbyllur. I çova mesazh, por nuk më vinte konfirmimi. Më shkoi mendja se mund të ishte në shtëpi dhe nuk kishte mundësi të më fliste në telefon. Madje u bëra edhe merak se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë në familje. U sorollata gjithë ditën nëpër Tiranë me shpresë se do të hapte telefonin dhe do të mund të komunikonim të paktën. U futa edhe në një internet kafe se mos ishte në Facebook, por jo. I çova edhe mesazh në Facebook, që të paktën të më shkruante se ishte mirë dhe nuk kishte asnjë problem.

Në fund të ditës nuk kisha më ç’të bëja dhe as ku të rrija. Kështu që u nisa për në qytetin tim. As të nesërmen nuk e kishte të hapur telefonin. As në Facebook nuk u bë e gjallë. Pasditen e asaj dite e kishte mbyllur fare Facebook-un. Kontrollova se mos kishte hapur ndonjë adresë të re, por asgjë. Kështu i humba të gjitha kontaktet me të.

Shokët më thanë se mund të kishte qenë ndonjë njeri që kishte futur të dhëna të pavërteta dhe më kishte mashtruar, por unë nuk mund ta besoj që të ketë ndodhur kështu. Ata 4 muaj komunikimi ynë ishte shumë intensiv. Ajo më ka treguar aq shumë gjëra për jetën e saj dhe nuk e besoj dot se mund t’i ketë shpikur.

Më ka shkuar në mendje që të shkoj në shkollën e saj dhe të interesohem aty që ta gjej. Por kam menduar edhe mundësinë që ajo nuk do të ketë më të bëjë me mua. Po atëherë, pse më tha që të shkoja ta takoja në Tiranë? Pse më tha se ishte dashuruar me mua dhe donte të më takonte? Pse duhej të më gënjente për këto gjëra, kur nuk ishte e detyruar ta bënte një gjë të tillë?

Nëse ndonjëri prej jush njeh një vajzë me emrin Irma, që mëson në shkollën “Qemal Stafa”, ju lutem jepjani shkrimin që ta lexojë. I lutem Irmës që të komunikojë me mua, qoftë edhe për të më thënë se lidhja jonë nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe ajo nuk do të ketë më të bëjë me mua. Të paktën ta kuptoj edhe unë se çfarë ka ndodhur.

Mua më hyri me të vërtetë në zemër ajo vajzë. Doja ta takoja dhe ta kisha të dashur në jetën reale. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të mendoj për të. Ju lutem më jepni edhe ju mendimet tuaja dhe nëse ndonjëri prej jush e njeh Irmën, i lutem që të më ndihmojë. Me respekt, Arbri!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.