MALL PËR VITET E ARTA TË PUNËS SIME

Gazeta Paloma - - Histori -

Sa e bukur të duket jeta, fushë me lule...deri në një farë moshe! Ndihesh e përkëdhelur, me prindërit që të falin gjithçka e të rrethojnë me të mirat e kësaj bote. Sa e çuditshme! Teksa futem në retrospektivë kuptoj që jeta bën lojë të dyfishtë, herë të ngre në majë e herë të fundos në llumin e saj. Dikur jeta ime ishin prindërit dhe profesioni i mësuesisë. Jepesha e tëra me zell e përkushtim në kujdesin për prindërit që më rritën dhe në misionin për të përcjellë dije te nxënësit. Ashtu e zakonshme në pamje të parë, modeste, serioze, me potencial arritjesh në vetvete, studioze dhe me sens krenarie, optimiste dhe e fortë, por... e rrahur keqas nga jeta. I përkisja një familjeje të nderuar nga një fshat i vogël, i mbyllur hermetikisht në oazën e mentalitetit dhe paragjykimit. Pavarësisht aparencës së vrazhdë dhe zullumit të thashethemeve fshatareske, kurrë nuk e ula kokën, por me çiltërsi në buzëqeshje dhe me dashuri të pastër gjendesha në komunitetin rrethues duke gëzuar respekt. Primare për mua ishin dashuria dhe përkushtimi maksimal për prindërit dhe as që më interesonte fare për gojët e liga që përqeshnin fatin tim si beqare. Përkundrazi, edhe pse vitet kalonin, ndihesha mjaft mirë në gëzimin dhe krenarinë që u dhuroja prindërve të mi me sjelljen dhe punën time të ndershme. Gjithkujt Zoti ia jep riskun e fatit në momentin e caktuar prej tij, ashtu sikurse më lumturoi edhe mua duke më ofruar përkrah bashkudhëtarin e jetës, larg fshatit dhe njerëzve që thurnin lloj-lloj trillimesh. Por jeta të surprizon hidhur me befasitë e saj. Mes gëzimit dhe lumturisë mora goditjen e parë dhe shumë të rëndë në shpirt. Koha biologjike e prindërve të mi ish e limituar nga fati që kish përcaktuar Zoti, duke i marrë pranë tij pas një kalvari të gjatë me vuajtje dhe sëmundje. Trishtim i madh për mua! I vetmi ngushëllim ishte që ikën pa marrë peng me vete. Sa ishin gjallë më ushqyen me vlerat më të mira njerëzore dhe më panë të plotësuar në jetën time...ikën të lumtur duke më bërë të ndihesha krenare që isha bija e tyre. E ndërsa vazhdoja punën në auditorin e mësimdhënies, vitet kalonin e gjithçka shkonte vaj. Por papritur ndodhi e paparashikueshmja... Zot, kisha një shtrëngim në gjoks dhe kuptova që tumori më kish pushtuar drejt hijes së vdekjes e sërish në dëshpërim mora goditjen e dytë pas humbjes së prindërve. Por jo, nuk u dorëzova, mblodha ato pak forca që më kishin mbetur dhe me vullnet e optimizëm në dyluftimin e kacafytjes me sëmundjen triumfova duke iu rikthyer jetës normale. Zoti kish rezervuar ende kohë për mua që me zell të ndiqja misionin e përhapjes së dijes ndër breza. E ndërsa kthej kokën pas, ndiej mall dhe nostalgji për ato vite të arta kur tërë forcën e mendjes dhe shpirtit ia dedikoja piketimit dhe mbjelljes së diturisë në breza. Ishte viti shkollor 19881989 kur hodha hapat e parë në rrugëtimin e dijes. Me dridhma ndër kupat e gjunjëve, me një ndjenjë ankthi në kraharor, me një shikim të ëmbël e tejet miqësor, me përkëdheljen e lehtë në supin e një vogëlushi... nisi dita ime e parë e punës. Me një fletore të thjeshtë të përgatitjes ditore, sistematike, korrekte në hartimin dhe zbatimin e një plani edukativ për nxënësit, aktive në përdorimin didaktik dhe efikas të mësimdhënies, e ngrohtë në marrëdhënie me kolegët dhe komunitetin e prindërve... vijonte katalogu i përditshmërisë sime në punë. Paksa e ashpër në autoritet, kërkuese në maksimum, por e butë në etikën pedagogjike dhe vlerësimin motivues te nxënësit. O Zot, vetëm ti e di sa vuaj për ato vite të arta për mua, për pasionin deri në detaj të një pune që më dhuronte kënaqësi pafund, e rrethuar nga dashuria e nxënësve të hareshëm e plot jetë! Po sot...sot ku jam unë? Përse s’po mundem t’i vë kufi orientimit? O Zot, sa poshtë kam rënë! Të punosh 20 vite radhazi duke dhënë shpirtin në maratonën e tejçimit të vlerave dinjitoze ndër breza, duke përhapur dije e kulturë dhe të shpërblehesh me grushte e shqelma në braktisjen pa mëshirë! Nuk është e lehtë të kapërdihet. Si mundet vallë të mbytet mizorisht zëri përçues i dijes? Si mun- det të flaket në koshin penalizues të sistemit politik imazhi model i një pune shumëvjeçare? Kaq e lehtë qenka të fshish gjurmët e vlerave të lëna ndër breza? Vallë këtë vlerësim meritoja nga fillesa e tempullit të dijes në finishin e harresës? O Zot, çfarë situate! Në sintoni me revoltën time të brendshme ende zotëroj optimizëm për të mbajtur lart moralin. Çfarë kontrasti! Nën sfondin e braktisjes së heshtur, nën klithmat e shkelmimit të papunësisë, më shfaqet performanca e deformuar primitive e sistemit arsimor në dekadat e fundit. Kozmetikë e shpifur në portrete mësuesish dembelë, neglizhent e përbuzës, që ushtrojnë dhunë dhe terror fizik e psikologjik mbi nxënësit pa iu frikësuar aspak ndërgjegjes, të drejtës njerëzore apo gjykimit nga Zoti. Çfarë tmerri! Fiks rikthim i profilit të mësuesit të dikurshëm agresiv, që me thupër në dorë dirigjon vrasjen e dijes dhe të shpirtit të fëmijëve. Sa qesharake! Hallkat e një zinxhiri të ndryshkur korruptiv trumbetojnë në rrjete sociale dhe mediatike portalin e fam- shëm “Mësues për Shqipërinë”. O Zot, të qeshësh apo të qash me emërimet abuzive sipas “meritokracisë” së veshur me petkun politik... Sa ironike! Jo meritokraci por antivlerë, jo mësues por... dhunues, jo figurë fisnike për t’u nderuar por lypsar arkaik që shtrin dorën për dhurata të shtrenjta në ditën më të shenjtë të mësuesit, duke përdhosur figurën e mësuesit të vërtetë e fisnik. Mjerë brezat në duart e kujt kanë rënë! Por jo. Jo të gjithë janë të tillë. Kanë mbetur pak, por shumë pak nga ajka e mësuesve model që sfidojnë kornizën e sistemit politik. Mrekulli për mua që nuk u përleva në zullum, por fatkeqësisht nuk marr as vëmendjen më minimale, ndonëse në statusin e invalidit e gëzoj të drejtën për të punuar sipas barometrit të aftësive. Sa e dhimbshme situata sot për mua! Kaos deri në vuajtje pafund, luftë çdo ditë me pjellën e sëmundjes së mallkuar, mbijetesë me themele të hedhura vetëm nga forca, vullneti dhe kuraja për të gëzuar sadopak ende jetë nëse Zoti ma dhuron...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.