Kaq të cekët në gjykim, kaq të thellë në humbje

Gazeta Paloma - - Koktej -

Duke pritur njërin nga urbanët në kryeqytet, në stacion u afrua një burrë që dukej jo mirë mendërisht. Nisi të bërtiste duke sharë politikanët dhe zëri i tij i lartë po shqetësonte personat përreth. “Na polli belaja me budallenjtë” tha një grua pranë meje.

Pasi personi u largua, një vajzë tjetër po kalonte duke ecur e zhytur në botën e saj. Ishte veshur me rroba paksa të vjetra, ndryshe nga imazhi tipik që jemi mësuar të shohim tek vajzat e metropolit. Një prej dy djemve pas meje që ishin shokë me njëri-tjetrin, tha: “Çfarë femre pa shije”.

Të dyja ngjarjet ndodhën në një interval kohor prej maksimumi dhjetë minutash. Nuk u habita aspak. Ofendimet dhe paragjykimet ne i kemi në gjak. Kemi lindur me to dhe të ndryshosh diçka të lindur, është shumë e vështirë.

Mirëpo, ajo çfarë harrohet në këto raste, është se si do të ndiheshim ne, nëse të tjerët do të thoshin për ne ato që ne themi për ta.

“Duhet ta drejtosh fillimisht gishtin nga vetja për të kuptuar se si mund të jetë duke u ndjerë personi që po ofendon” ky është ndoshta rregulli i parë i psikologjisë. Por me sa duket, kjo preferohet të anashkalohet.

Ndërkohë, teksa po shfletoja disa portale ( sepse jetojmë në kohën e portaleve tashmë), lexova një thënie mjaft të bukur nga këngëtari i famshëm Eminem, e cila përshtatej me problemin në fjalë: “Për të kuptuar në çfarë jam duke kaluar, të duhet të përshkosh kilometra të tërë me këpucët e mia”. E thotë Eminemi, por kujt ia thotë, është çështja...

Gjithë ky problem vjen sepse sot shoqëria jonë vuan për vëmendje dhe këtë vëmendje përpiqet ta fitojë duke ulur dikë tjetër. Është shumë e thjeshtë, përpiqu të njollosësh figurën e dikujt në sytë e të tjerëve për të rënë vetë në sy, për t’u vlerësuar ti në vend të tyre. Kjo është rrjedhojë e mungesës së vetëvlerësimit, vëmendjes dhe komplimentave nga ana e personave përreth nesh.

Por duke harruar se çfarë mund të jetë duke kaluar dikush, me gjykimet tona, ne thjesht e ulim veten, nuk e lartësojmë atë. Është pikërisht ky përfundim që në ditët e sotme është tjetërsuar nga të gjithë ne. A keni njohur raste të personave që kanë ndërruar jetë, të mbahen mend për thashëthemet apo paragjykimet që kanë bërë? A keni njohur ju raste të atyre që kanë siguruar opinionin e mirë nga të tjerët për shkak të uljes që i kanë bërë të tjerëve?

Pavarësisht se kjo kohë kërkon ndryshim radikal që shoqëria jonë të hyjë në binarët e duhur, sërish mendoj se të qëndruarit neutral, do të ishte shumë më mirë në këtë rast se sa ndërhyrja duke bërë diçka kaq të ulët. Ku e dimë ne çfarë ka kaluar apo çfarë është duke kaluar një person?

Sepse të gjykosh, është shumë e lehtë, por pasojat e gjykimit dhembin, dhembin për këdo që ofendohet. Ai personi që sot ishte duke folur pa vetëdije, mund të kishte kaluar një traumë të vërtetë familjare apo personale që e kishte çuar në atë gjendje. Mundet edhe të kishte lindur i tillë dhe ta etiketosh si “budalla” për diçka që dikush nuk e ka në dorë, është një mëkat.

Edhe ajo vajza e veshur keq, mos kujtoni se nuk e di këtë fakt. Edhe ajo e sheh diferencën me vajzat e tjera, por nuk ka çfarë të bëjë sepse sot në Shqipëri ka familje në varfëri ekstreme. Nuk ka pse të çuditemi me rastet e prezantuara nga “Fundjavë Ndryshe”. Realiteti ynë rezervon me mijëra raste të tilla që thjesht nuk njihen gjerësisht nga të gjithë ne.

Por është shumë e lehtë të gjykojmë. Është shumë më e lehtë të “lartësojmë” veten kështu, se sa ta fitojmë opinionin e mrë me vepra të mira, me fjalë të ngrohta dhe me shërbim ndaj atyre në nevojë.

Ama harrojmë se sa humbim prej vetes. Jo vetëm që nxjerrim në pah ligësinë tonë si njerëz, por edhe lëndojmë duke ulur veten tonë dhe duke lënë shteg për t’u etiketuar si “të ligë” dhe “mendjengushtë”.

Eh, humbje pas humbjesh vajtën punët edhe me shoqërinë tonë. Më dhemb, më dhemb shumë ky realitet kaq i hidhur që nuk e kam fuqinë ta ndryshoj dot e vetme...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.