Prindërit më urrejnë pse unë mbroj nusen e vëllait

Një personazh shumë i njohur i skenës dhe i ekranit u përgjigjet pyetjeve tuaja Dërgoni pyetje me mesazh në cel: 068 27 66 166 ose e-mail: gazetapaloma@gmail.com

Gazeta Paloma - - Front Page -

Mister X! Kush janë 4 klanet mafioze dhe 20 familjet kriminale, për të cilat flet ambasadori amerikan në Tiranë?

Përgjigje: Nuk e di saktësisht, por mua më dalin më tepër. Çdo të enjte, sa nis seanca e parlamentit, nis edhe unë numërimin dhe lodhem duke numëruar.

Jam një vajzë 20-vjeçare, kam dy vëllezër. Vëllai i madh është martuar prej 2 vitesh. Nusja është një vajzë shumë e mirë, por prindërit e mi nuk e duan dhe gjithmonë unë i dal në mbështetje kunatës. Ata kanë filluar të sillen keq edhe me mua. Nuk di çfarë të bëj, Po më sos durimi kur shikoj kunatën me lot në sy. Ju lutem më jepni ndonjë këshillë.

Përgjigje: Fol veçmas me mamin. është shumë e vështirë si betejë, por ajo duhet fituar e para! Pastaj provo krahmarrjen, vëllai i madh dhe i vogli duhen bërë bashkë. Zgjidhja ideale do të ishte që vëllai i madh të jetonte vetëm në një banesë tjetër, në mungesë të kësaj mundësie “të ndahet”.

Përshëndetje Mister X! Unë të vlerësoj shumë, ndaj dhe kërkoj mendimin tënd. Jam një 19-vjeçare, e martuar dhe kam një djalë 16 muajsh. Me burrin kam shkuar shumë mirë, por tani unë jam bërë shumë xheloze. Kur shikoj femra të bukura më duket sikur nuk më do më burri. Të lutem më ndihmo se jam bërë shumë xheloze, edhe koka më dhemb shumë nga kjo gjendje. Çfarë duhet të bëj?

Përgjigje: Shijo djalin, burrin, familjen dhe bëj një atmosferë të ngrohtë dhe të ëmbël çdo natë në shtëpi. Mund të ketë femra më të bukura, por ato nuk munden kurrë të zënë vendin tënd.

Mister X, jam një vajzë 17 vjeçe, jam në gjimnaz. Kam dy vjet që dua çmendurisht një djalë. Ai është një vit më i madh se unë, jemi në të njëjtën shkollë. Deri pak kohë më parë, ai as nuk e dinte ekzistencën time, por tani prej shoqërisë së përbashkët u njohëm dhe përshëndetemi. Unë vdes për të, nuk ha, nuk fle, nuk mësoj. Është dashuria më e madhe e jetës time. Shoqja ime e ngushtë më thotë që ta bëj hapin e parë, por unë kam shumë frikë dhe turp. Të lutem shumë më jep një këshillë pasi e di që do të më këshillosh drejt. Të përshëndes!

Përgjigje: Shkruaji në inbox-in e Facebook-ut, dërgoji gjëra që ty të duken shumë të bukura dhe ndërkohë duhet të hash, të flesh dhe mbi të gjitha të mësosh sepse duke bërë si somnambul do të humbësh gjithçka.

Mister X, jam Aureli nga Durrësi dhe doja të dija se për çfarë arsye një femër mund të tradhtojë. Sapo kam kaluar një zhgënjim dhe nuk di si ta kaloj këtë.

Përgjigje: Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet vetëm… nuk e di se kush!

Mister X, përse qeveria nuk ndërmerr ndonjë ligj për mbrojtjen e kafshëve por e lë gjithçka në dorën e një peticioni që nuk dihet nëse do të merret parasysh ose jo?

Përgjigje: Çdo gjë me kohë. Qeveria nuk lëviz, po nuk lëvizën njerëzit. Ku halli qeverisë e ku halli yt. Nuk e sheh se po kapen thasë me para dhe thonë se do të blinin hekur?

Mister X, prej ditësh një djalë më ngacmon nëpër rrjete sociale, madje ka gjetur numrin tim përmes një shoqeje dhe prej saj vazhdon të marrë të gjitha informacionet në lidhje me mua. Unë nuk e kam zbuluar cila është “shoqja”, si mund ta zbuloj dhe të shpëtoj nga ai njeri?

Përgjigje: E thjeshtë. Bëje djalin që të ngacmon të të tregojë. Kështu që heq “qafe” “shoqen” dhe më pas edhe karafilin që të ka bërë ajo dhuratë.

Përshëndetje Mister X! Jam një vajzë e martuar, 23-vjeçare. Kur isha e lidhur me bashkëshortin tim, ai më kishte falur shumë besim dhe liri, pra mund të dilja edhe pa i dhënë llogari atij. Pas martesës ai më ka vendosur si rregull që t’i marr leje sa herë dal. Përveç kësaj, ai nuk më lejon të dal asnjëherë e pashoqëruar nga ai ose mamaja e tij. Çfarë ka ndodhur me të, ia vlen ta vazhdoj këtë martesë nën kushtet e tij?

Përgjigje: Nëse ai ta jep përgjigjen për këtë pyetje do të jetë shumë më mirë. Nuk ia vlen të vazhdosh martesën në këto kushte, por të gjithë ata që kanë kaluar vite në martesë kanë mësuar një gjë: gjithçka ndryshon. Për këtë fli e qetë.

Mister X, jam 14 vjeç dhe të gjitha shoqet e mia të klasës janë të lidhura, përveç meje. Ato më quajnë të shëmtuar vetëm nga fakti se unë nuk jam e lidhur. Nuk kam pasur mungesë të propozimeve, thjesht nuk dua të lidhem që në këtë moshë, por ato nuk duan ta kuptojnë arsyen time. Çfarë mund të bëj? Nuk i duroj dot më ofendimet.

Përgjigje: Thuaju që edhe ti ke qenë e lidhur, por je zhgënjyer herën e fundit në kopsht dhe tani ke nevojë për kohë për të reflektuar.

Jam 21 vjeç, kam një problem shumë serioz që nuk do të guxoja kurrë ta thosha ballë për ballë: kur isha adoleshente u fejova dhe u ndava, por kalova një traumë si përdhunimi. Tani s’e kuptoj, por ndiej tërheqje nga e njëjta gjini! Kam shumë frikë të fejohem, më tremb jeta, jam bërë tip i mbyllur. Kam shumë frikë nga meshkujt, nga marrëdhënia seksuale tmerrohem.

Përgjigje: Fol me një psikoterapiste. Trauma, si çdo gjë tjetër, do të kalojë me kohën.

Mister X, jam një vajzë 18 vjeçe dhe do të doja një mendim tuajin: Është më mirë ta vazhdoj shkollën e lartë për farmaci apo stomatologji? Përgjigja juaj do të më ndihmonte. Ju faleminderit!

Përgjigje: Unë do të pyesja se çfarë vendesh pune kërkon më shumë Gjermania: Farmacistë? Stomatologë? Besoj se kërkon më shumë infermierë!

Mister X, të uroj shëndet! Si e shpjegon ti këtë: katër gra prej fisit më janë qepur; në Greqi kam ndërruar tre pronarë, në të tre më janë qepur gratë. Edhe në klub më hedhin llafe vetë femrat. Çfarë të bëj?

Përgjigje: Tregohu burrë dhe tregoju vendin.

Mister X, sa e ndihmojnë një lidhje “gënjeshtrat e vogla”? A është e vërtetë se po të tregosh gjithmonë të vërtetën shpejt a vonë të kesh telashe? Mira, Durrës

Përgjigje: Shih një film të Akira Kurosavës, “Rashomon”. Filmi është himn për “të vërtetat relative” në këtë jetë. Do të mësosh shumë nga ky film. E gjen edhe në Youtube.

Përshëndetje! Kam një problem. Kam një vit e fejuar dhe shpesh i gjej të fejuarit në celular foto gocash që i fotografon në rrugë nga mesi e poshtë. Thotë që më do e nuk do ta bëjë më, por prapë vazhdon. Duhemi dhe shkojmë shumë mirë bashkë, por pse i bën ai këto? Ju lutem një përgjigje. Me respekt, 20-vjeçarja Fr.

Përgjigje: Lexo ca materiale për të sëmurët pas seksit. Shih mos futet në këtë kategori i fejuari.

Mister X, kam pasur mundësi shkollimi jashtë shtetit, por prindërit më kanë ndaluar shumë herë duke i shkatërruar mundësitë e mia. Jam 19 vjeç dhe ende më trajtojnë si minorene. Si mund të bëj që të kenë besim tek unë dhe të më lejojnë të ndjek ëndrrat?

Përgjigje: Unë do të bëja çmos që të shkoja jashtë shtetit për të studiuar. Prindërit, nëse nuk e kuptojnë tani, do ta kuptojnë më vonë. Dëshira e prindërve është që ti të jesh e sigurt, e qetë dhe e lumtur. Ata nuk e dinë se këto të tria mund t’i sigurosh me një shkollë të mirë jashtë. Këtë duhet t’ua shpjegosh.

Mister X, për 4 vite kam jetuar në Greqi dhe kam pasur një lidhje 4- vjeçare me një djalë aty. Tani jam e lidhur me dikë në Shqipëri, por ai nuk ndalet së më gjykuar për lidhjen time të mëparshme. Nuk kam pasur as marrëdhënie intime me ish- të dashurin, madje mund të them me siguri që e dua të dashurin tim tani, por ai nuk më beson. Ia vlen të vazhdoj këtë lidhje që më përplas ditë pas dite në fytyrë lidhjen time 4-vjeçare?

Përgjigje: Jo. Shkëputu. Shih reagimin e tij. Nëse nuk pendohet dhe betohet se nuk e hap më këtë bisedë nuk ia vlen. Do të shkarravisni ndjenjat tuaja duke folur për ish-të dashurin.

Mister X, jam një vajzë 22 vjeçe nga Elbasani. Para një jave u fejova. Problemi është se nuk di si t’ua mbyll gojën njerëzve se të gjìthë më thonë që e mora për lekë. Të lutem më kthe përgjigje se nuk po i duroj dot. Faleminderit!

Përgjigje: Thuaju se po, e more për lekë! Ose nuk ke pse flet me ta. Çfarëdo që të thuash dhe të bësh nuk do të mbyllësh dot gojën e botës. Ka një zgjidhje. Blini një shtëpi në një pallat të ri, me shumë kate, në Tiranë dhe do t’ju duhen vite të njihni se kush jeton përballë jush.

Mister X, jam një vajzë nga Tirana, dhe doja mendimin tënd. Një çun nga një fshat i Tiranës më ka kërkuar për shtëpi, m’i ka prezantuar prindërit e tij. Problemi është se unë nuk e dua, thjesht kam simpati se është njeri i mirë, me aq sa kam arritur ta njoh. Unë jam në vitin e fundit në gjimnaz dhe pretendoj për shkollë të lartë, ai këtë gjë më duket se nuk e pëlqen. Ç’mendim ke ti: a ia vlen të mbaj lidhje me këtë njeri?

Përgjigje: Unë them po, por ç’rëndësi ka mendimi im para asaj që ndjen ti! Jepi vetes kohë. Shkollës mos iu ndaj. Njeriu ndryshon. Në të shumtën e rasteve për mirë. Ndoshta duke gërmuar pak simpatinë që ke mund të shpërthejnë llavat e dashurisë. Pastaj je vetëm 18 vjeç, ndoshta do të duhen e pakta 10 vjet për të mbushur mendjen top.

Mister X, a harrohet dashuria e parë? Nëse jo, pse? A mund të jetë i lumtur njeriu kur vlerëson atë dashuri dhe pëlqen ato këngë? Personin me të cilin jeton e ka njohur para saj, por tjetra iu dha menjëherë. Si ta kuptoj shprehjen: Më kërkonte të kryenim marrëdhënie, nuk pranova se nuk doja ta lëndoja? Gjërat nuk shkonin mirë. Familjet nuk e dëshironin lidhjen dhe unë u tërhoqa. Si do ta lëndonte kur ajo e donte?

Përgjigje: Ke bërë 3 pyetje në një dhe ma bëre kokën dhallë. Për ty do të thosha diçka tjetër: shiko diellin kur agon, kur perëndon, shih gjethet kur zverdhen, dëgjo një kanarinë kur këndon, shijo ujin kur të jesh e etur dhe bukën kur të jesh e uritur. Pjesa tjetër është detyrë biologjike për të lënë trashëgimtarë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.