Mos u dashuro me burrë të martuar!

Gazeta Paloma - - Front Page -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 30-vjeçare. Vendosa të shkruaj historinë time dhe t’u jap një mesazh të gjitha atyre vajzave që ndoshta për një çast u duket sikur gjejnë dashurinë te një burrë i martuar. I besoj që mund të dashurohen me një njeri që e ka një familje, por nga përvoja ime do të këshilloja këdo t’i qëndronte larg një historie të tillë.

E di që shumë do të thonë: Kush je ti që na bën moral?! Edhe unë kështu u kam thënë dikur atyre që më kanë dhënë një mendim të sinqertë, që binte ndesh me atë që mendoja dhe dëshiroja unë. Unë nuk jam askush dhe pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të më besoni. Nuk jam shoqja që ju ka zili, nuk jam mami fanatike, as babi me të vjetrën, as motra që nuk ka besim te zgjedhja juaj. Jam një e panjohur që i kam provuar në kurriz vuajtjet e dashurisë me një burrë të martuar.

Erdha në Tiranë për të kryer studimet e larta, por me idenë e qartë se do të jetoja këtu. Dhe dëshira ime u bë realitet sepse që kur isha në shkollë fillova punë në një kompani private si ekonomiste dhe pastaj e pata të lehtë që me të ardhurat që sigu- roja të krijoja një jetë modeste në Tiranë. Nuk kisha menduar më gjatë se kaq. Më mjaftonte mos të kthehesha më pas dhe çdo gjë ia kisha lënë kohës. Por nuk e kisha parashikuar që fati do të më lidhte me A-në. E njoha në punë kur isha 25 vjeçe. I ndieja shikimet e tij që më ndiqnin nga pas, e kuptoja që kur uleshim në kafe nuk sillej me mua si me koleget e tjera. Por kishte raste kur mendoja se i gjithë perceptimi im mund të ishte trill i fantazisë. Më pëlqente ai, por këtë doja t’ia fshihja vetes. E dija se ishte i martuar dhe parimisht nuk doja të përfshihesha në një lidhje të tillë. Ai ishte 15 vite më i madh se unë, shumë më i pjekur sesa bashkëmoshatarët e mi. Dinte të bënte komplimente, të më bënte për të qeshur dhe më trajtonte sikur të isha e vetmja femër mbi tokë. Gjërat rrodhën natyrshëm dhe ishte e pashmangshme që unë të bija në dashuri me të.

Fillimi i lidhjes tonë ishte e vetmja pjesë e bukur e kësaj historie. Arsyeja ia kishte lënë vendin ndjenjës dhe asnjëri prej nesh nuk e mendoi gjatë se ku do të na çonte kjo lidhje. Përtej ditës që kalonim në punë, ku përkëdhelnim njëri-tjetrin gjithë kohën me shikime dhe takimeve të fshehta pasionante, gjithë pjesa tjetër e kohës ishte ferr.

Kur ai kthehej në shtëpinë e tij, te familja e tij, mendja më rrinte gjatë gjithë kohës tek ai. Doja ta kisha pranë, të dilja një pasdite a një mbrëmje, por në atë kohë nuk mund ta kontaktoja. Doja ta kisha pranë, por ishte e pamundur t’i dëgjoja edhe zërin. Kur ai kthehej në shtëpi, jeta ime ishte vetëm, kurse e tija me familjen, me gruan dhe djalin e tij. E njëjta gjë në fundjavë, kur pritja ishte edhe më e gjatë. Pas 2 ditëve pushim, e hëna dukej si dita më e bekuar e javës. I kam përjetuar shumë momentet që kaloja larg tij, me vetëdijen se ai ishte pranë familjes së vet dhe nuk mund ta kisha pranë. Ditët e festave ishin ekskluzivitet i familjes. Jeta e tij ishte e plotësuar, ndërsa jetën time e plotësonte vetëm ai. Jetonim një lidhje në situata të ndryshme. Më tregonte me endje për arritjet e të birit dhe në ato çaste unë e kuptoja se nuk mund të kisha kurrë vlerën që kishte familja e tij. E dija se më donte, më donte sepse plotësoja atë pjesë që i mungonte në shtëpi. E dija se në lidhjen e tij me të shoqen nuk kishte më pasion. E ndieja këtë, por vuaja kur mendoja se ata të dy i lidhte diçka më shumë sesa pasioni. Kishin krijuar një jetë së bashku. Ndërsa unë dhe A. dashuroheshim si të çmendur, por nuk kishim një jetë bashkë. Unë nuk kisha jetë fare. Prisja që ai ta gjente një hapësirë për të më kushtuar pak kohë, por e kuptoja që nuk e kishte të lehtë.

Pas dy vitesh lidhje, fillova të kërkoja më shumë. Nuk më mjaftonin takimet e rralla dhe ditët që kalonim në punë. Bëhesha keq sa herë që e shoqja postonte në Facebook fotografi me të dhe djalin. Ata dukeshin aq të lumtur. Ëndërroja që do të vinte një ditë kur rrethanat do të ishin në favorin tim dhe ne mund të jetonim bashkë, të krijonim një jetë së bashku. Por sa më shumë ëndërroja, aq më shumë vuaja sepse fantazia ime ishte shumë larg realitetit. I shihja shoqet apo kushërirat e mia që argëtoheshin bashkë me partnerët e tyre, dilnin me ta në publik, bënin udhëtime, gjëra të cilat unë nuk mund t’i bëja.

Ai thoshte se më donte dhe unë e ndieja që kjo ishte e vërtetë. Por asgjë më shumë se kaq. Si mund të jetohej dashuria fshehurazi? Unë isha gjithë kohën në pritje të tij. Kjo histori nuk zgjati pak. Kalova plot me 5 vite me të, me shpresën që diçka do të ndryshonte.

Para pak kohësh ai kaloi një moment të vështirë, ndarjen nga jeta të njërit prej prindërve. Kuptohet që unë nuk mund t’i qëndroja pranë. Isha e dashura sekrete. Këtë pjesë e bëri e shoqja. Ishte ajo në jetën e tij. Pas këtij momenti u bë e qartë se ai nuk do ta prishte kurrë jetën që kishte për mua. Unë isha vetëm një aksesor. E ndjeva ftohjen e tij dhe u largova. Nuk mund ta duroja atë situatë. As ai nuk bëri përpjekje të më mbante pas vetes.

Si përfundim, bilanci i kësaj lidhjeje ishte: 5 vite kushtuar një njeriu vetëm për të vuajtur. Nëse më pyesni sot se cila është dita më e bukur që kam kaluar me të nuk mund t’ju them një të tillë. Nuk kam kaluar asnjëherë një ditë të plotë me të. Kam kaluar pak orë apo ndonjë çast kur ai më trajtonte si princeshë dhe pastaj gjithçka kthehej në realitet. Ai shkonte atje ku e kishte vendin, pranë familjes së tij dhe unë isha në pritje, në dëshpërim të plotë.

Prandaj sot ju them me bindje se nuk ia vlen të sakrifikoni vitet më të bukura nga jeta juaj për një dashuri me një burrë të martuar!

Sot ndihem e penduar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.