A mund ta bëjnë dy persona një testament?

Gazeta Paloma - - Front Page - Studio Ligjore Xhixha, Tiranë Kontakt: studioxhixha@ gmail.com

A mund të marr një kopje të dokumentit te noteri?

Gazeta “Paloma”, ju lutem më ndihmoni me një pyetje për avokatin. Më ktheni një përgjigje këtë javë pasi kam ndër mend ta bëj të madhe këtë gjë që më ka ndodhur nëse kam të drejtë. Ju shpjegoj pak si është situata ime. Unë jam vajza e vetme e një nëne të sëmurë dhe një babai pijanec. Babai, në pije e sipër, ka shitur shtëpinë te një çift nga një qytet tjetër. Mamaja thotë që e dinte, por nuk ishte e sigurt nëse e kishte bërë vërtet apo jo ai këtë gjë. Kur shkova te noteri ku kanë bërë kontratën dhe kërkova një kopje për ta vërtetuar aktin, më thanë se nuk ma japin dot. Pyeta një mikun tim dhe më tha që noteri ta jep aktin po të paguash lekë. Më fal, po si është kjo punë kështu? U jepka lekë për çdo gjë? Edhe për shtëpinë ku banoj unë vetë?

-Përshëndetje e nderuar. Si fillim, nga letra juaj kuptoj që babai juaj ka qenë në gjendje të dehur në momentin e shitjes së një prone, më saktësisht, të shtëpisë ku ju banoni familjarisht. Më lejoni t’ju them se kjo është e pamundur të ndodhë. Ose më saktë, është e pamundur të ndodhë pa praninë dhe firmën e mamasë tuaj. Çdo pronë e fituar pas martese është në bashkëpronësi të çiftit, edhe pse në certifikatë të pronës mbase mamaja nuk e ka emrin të shkruar. Kështu që shitja ose nuk është bërë fare ose është bërë fiktive, nëse babai ka paraqitur dikë tjetër në vend të mamasë tuaj, e cila ka firmosur sikur të ishte ajo. Rasti tjetër është edhe që mamaja juaj ka lënë një prokurë në emër të babait ku e autorizon të firmosë në vend të saj për shitjen e apartamentit. Nëse asnjëra nga këto situata nuk ka ndodhur, atëherë ka mundësi të jetë shitur prona te dikush tjetër pa u plotësuar të gjitha kushtet ligjore. Pra mamaja juaj nuk ka firmosur, askush nuk është paraqitur me prokurë por palët, në bashkëpunim me noterin, kanë kryer aktin sikur të ishte çdo gjë në rregull. Sa i përket kopjes që ju dëshironi të tërhiqni, sigurisht që ajo merret kundrejt pagesës, sikundër çdo veprim tjetër që kryhet pranë noterit. Quhet të tërheqësh kopje të aktit nga arkiva noteriale dhe mund të bëhet vetëm me kërkesë të njërës prej palëve që ka firmosur kontratën. Ti, edhe pse je vajza e shitësit, nuk e ke emrin në kontratë, pra nuk je palë dhe nuk mund të kërkosh kopje të kontratës, përveç rastit nëse ke prokurë nga babai ose nëse babai ka ndërruar jetë dhe ti je trashëgimtare e tij.

Si mund të bëj një testament?

I nderuar avokat, ju përshëndes për rubrikën tuaj! Jam një zotëri në moshë të thyer dhe kërkoj një përgjigje nga ana juaj. Si çdo person në moshën time, edhe unë mendoj tashmë më të largëtën, vdekjen. Jam i martuar dhe bashkë me bashkëshorten dëshirojmë të lëmë një testament. Problemi është

se jemi interesuar dhe na thonë që nuk mund të lëmë një testament të dy bashkë dhe nuk mund të përjashtojmë njërin fëmijë nga ajo që do të lëmë. Ne nuk kemi shumë, por menduam t’i lëmë djalit shtëpinë dhe vajzës mos t’i lëmë gjë pasi i kemi blerë pajë kur është martuar. Tani ju si më këshilloni? Çfarë të bëjmë?

- Përshëndetje zotëri! Njeriu e mendon gjithmonë të fundit vdekjen, por është mirë që të sistemohen gjërat sa jemi të gjithë në kohë, në mënyrë që edhe pasardhësve tanë t’u lëmë sa më pak probleme. Ju dhe zonja juaj nuk mund të bëni një testament të përbashkët pasi jeni dy persona të ndryshëm dhe ligji lejon që testamenti të bëhet vetëm nga një person, nuk lejohet të bëhet në mënyrë kolektive. Pra ju duhet të bëni një testament dhe zonja juaj një tjetër. Për sa i përket përjashtimit të njërit prej fëmijëve, ju nuk mund ta bëni këtë gjë me anë të testamentit pasi ligji i mbron të gjithë trashëgimtarët në mënyrë të barabartë. Ju, sidoqoftë, mund të bëni një dhurim të pronës suaj dhe t’ia falni atë djalit tuaj.

Pasaporta për fëmijën

Avokat, si jeni? Nuk e di a keni ju informacion mbi pasaportat, por unë jam e interesuar të nxjerr një pasaportë për fëmijën tim pasi dëshirojmë të bëjmë një udhëtim në fund të vitit dhe nuk kemi si të udhëtojmë jashtë Shqipërisë pa vajzën e vogël me vete. Ajo është 8 muajshe tani që shkruaj. Kur mund t’i nxjerr pasaportë? A mundet që tani? E vëmë dot në pasaportën time vajzën?

-Zonjë, përshëndetje! Ju sigurisht që mund të aplikoni dhe të pajiseni me pasaportë për fëmijën tuaj në këtë moshë që është. Pasaporta është me afat 5-vjeçar dhe është pasaportë e veçantë për fëmijë. Ju nuk mund të vendosni të dhënat e vajzës në pasaportën tuaj pasi ligji nuk e lejon më këtë gjë. Ju duhet të aplikoni për pasaportë të fëmijës e të kryeni procedurat. Më pas, vajza juaj do të pajiset me këtë pasaportë të cilën mund ta përdorë deri sa të mbushet afati prej 5 vitesh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.