Te fëmija me aftësi të kufizuara, shiko njeriun dhe jo paaftësinë e tij!

Gazeta Paloma - - Front Page -

Bashkëpunimi dhe dialogu me fëmijën

I rrituri duhet t’i transmetojë fëmijës besimin e tij tek ai, fëmija, që është i zoti dhe i aftë ta zbulojë dhe ta njohë vetë botën. Për çdo gjë dhe sa herë të ketë nevojë apo dëshirë për të pyetur apo ndarë ndonjë gjë, i rrituri do të jetë aty pranë tij për ta dëgjuar dhe për të ndarë së bashku mendimet e tyre. Fëmija i tregon mendimin e tij dhe i rrituri i tregon “gjënë” e re që mësoi nga ai, fëmija. Ky bashkëpunim dhe dialog është i domosdoshëm për fëmijën, por edhe për të rriturin.

Te fëmija me aftësi të kufizuara, shiko njeriun dhe jo paaftësinë e tij!

Fëmija me aftësi të kufizuara i ka potencialet njerëzore, si çdo fëmijë të tjerë. Edhe ai, si të gjithë fëmijët, kërkon shumë vëmendje, përgjegjësi dhe dashuri nga të rriturit. Të rriturit, duke filluar nga prindërit, duhet të gjejnë mënyrat për të nxitur fëmijën, për ta përfshirë atë në jetën e përditshme, të marrë komanda dhe të kryejë shërbimet ndaj vetes, të ketë një apo më shumë detyra në shërbim të familjes. Kjo është e vetmja mënyrë për çdo fëmijë, pra edhe për fëmijën me aftësi të kufizuara, për të mësuar përgjegjësinë dhe vetëbesimin. Kjo është detyra numër një e çdo prindi, pra, edhe e prindit që ka fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, ndihma për fëmijën me aftësi të kufizuara nuk duhet të bëhet se ai është gjynah. Jo, kjo formë të trajtuari është fyerje dhe përtesë njëkohësisht nga ana e të rriturit. Te fëmija me aftësi të kufizuara duhet parë njeriu dhe jo paaftësia e tij. Gjithashtu, të rriturit pranë tij, prindër e mësues të gjejnë mënyrat më eficente, që fëmija t’ia dalë, madje është detyra e tyre.

Të shmangësh paragjykimin për fëmijën me aftësi të kufizuara dhe ta ndihmosh atë të jetë i pavarur është emancipim për vetë të rriturin dhe shoqërinë.

Fëmijët, pasqyra ku ne duhet të shohim etikën tonë

Ne të rriturit, kur ndihemi vetëm, të fyer, të neglizhuar nga indiferenca e tjetrit dhe e të tjerëve na pushton një inat dhe mospërmbajtje, sa harrojmë gjithçka dhe sillemi aq keq, madje edhe me ata që nuk kanë asnjë faj, madje janë edhe mbështetës. Ne shpërthejmë me veprime, ngritje zëri e fjalor të pakontrolluar. I harrojmë të gjitha, edukatën, etikën, madje edhe fëmijët që janë aty e shohin e dëgjojnë. Po kur shohim një fëmijë që kryen një veprim të paragjykuar si “i keq” reagojmë menjëherë, deri duke e penalizuar dhe etiketuar fëmijën. Gjithashtu i japim të drejtë vetes që bëmë mirë që e ndëshkuam fëmijën, sepse ai u soll keq, u soll pa edukatë. Ajo që është më e çuditshmja, asnjëherë nuk kujtohemi kur sillemi vetë në këtë mënyrë që edhe fëmija, si ne, është keq dhe ka nevojë për ndihmë që të dalë nga gjendja e keqe që e “ka pushtuar”. Përkundrazi, gati shijojmë ndëshkimin që i bëmë fëmijës. As që na shkon në mendje që ta mendojmë veprimin si një rezultante e një gjendjeje emocionale të rënduar nga e cila fëmija, ashtu si dhe ne, e ka shumë të vështirë që të dalë. Gjithashtu harrojmë se modelet që ofron mjedisi lënë shumë për të dëshiruar. Prindër, të rritur, fëmijët janë pasqyra ku duhet të shohim dhe testojmë sjelljen dhe etikën tonë.

Shprehjet urdhëruese e kërcënuese që duhen shmangur

Specialistët kanë konstatuar që fjalët apo shprehjet e duhura nuk janë të parat që vijnë në mend kur duhet qetësuar një fëmijë tekanjoz apo që grindet. Ata kanë grupuar një seri shprehjesh që duhet pasur kujdes t’i evitojmë dhe të mos i përdorim, edhe pse janë të parat që na vijnë në mend. Shprehjet e mëposhtme janë ato që duhen shmangur.

1. Mjaft i hodhe gjërat përtokë!

2. Fëmijët e rritur nuk sillen kështu! 3. Mos guxo të gjuash! 4. Po sillesh shumë keq! 5. Tani do të të dënoj! 6. Shko laj shpejt dhëmbët! 7. Ha ose do të shkosh të flesh pa ngrënë! 8. Mjaft, fëmijë qaraman! 9. Pusho, nuk të dëgjoj! 10. Sa herë duhet të ta përsëris! 11. Po më turpëron në sy të të tjerëve! 12. Ik që këtu! 13. Do të të çoj në banjë! 14. Mjaft bërtite! 15. Të kisha thënë, por nuk dëgjon! 16. Po humbas durimin! Këto shprehje janë organizuar në fjali urdhërore. Fjalia urdhërore krijon te njeriu gjendje alarmi dhe jo qetësie, si në rastin e fjalisë dëftore. Gjithashtu tregon që i rrituri ka humbur durimin, përton të qetësojë veten dhe të ndihmojë fëmijën të kalojë këtë situatë. I rrituri “i bie shkurt”, urdhëron dhe kërcënon.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.