A është e thjeshtë të lindësh fëmijë në Shqipëri?

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Përshëndetje mikeshat e mia të dashura! Kjo javë që lamë pas ka qenë e mbushur me shira e përmbytje. Sinqerisht, kam menduar se nuk jemi në pranverë, por në vjeshtë ose dimër. E vetmja gjë që më ka bërë të ndryshoj mendje e të bindem se është pranverë është pema në dritaren e dhomës time, e cila sapo ka filluar të lëshojë sythat e para. Sigurisht, përveç kësaj, edhe lajmet e shtatzënive dhe lindjeve nga personazhet e showbiz-it. Ami sapo lindi një vajzë bukuroshe, që shpresoj t’i ketë ngjarë asaj e jo Ermalit. Dukesha Kate e Anglisë pret të lindë nga momenti në moment dhe Xhensila sapo bëri të ditur se po pret një vajzë, që gjithashtu shpresoj t’i ngjajë së ëmës e jo Besit. Përveç këtyre të famshmëve, kam edhe tri nga shoqet e mia të punës të cilat janë gjithashtu shtatzënë e presin të lindin me diferencë prej disa javësh nga njëra-tjetra. Është e kotë të fshihet fakti që shefit të zyrës i ka ikur mendja fare nga ideja që duhet të zëvendësojë tre persona në stafin e tij. Vajzën e parë që iu paraqit në zyrë për t’i dhënë lajmin se do të merrte lejen e lindjes pasi ishte shtatzënë e pyeti pa takt fare nëse do ta mbante fëmijën apo jo. Ajo, e habitur komplet nga pyetja, pasi tashmë i ishte rrumbullakosur dhe barku dhe nuk bëhej më fjalë për të abortuar, u përgjigj se do ta mbante dhe do të largohej me leje lindje sipas të drejtës së saj, të parashikuar në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë. Pas shumë debatesh në zyrë, ku kjo shtatzëna qante nga sikleti, ndërsa shefi nuk toleronte, u vendos që leja e lindjes të mos merrej 35 ditë para, siç i takon çdo femre, por 15 ditë, në mënyrë që të bëhej puna deri në fund dhe të mos i duhej shefit për ta zëvendësuar shumë herët këtë punonjëse. Dy vajzat e tjera as që e morën mundimin të debatonin, por pranuan fatin e tyre me një dyjavësh leje si kolegia e tyre. Kjo gjë më bëri të mendoj për lehtësinë e grave shtatzëna në Shqipëri. A kanë ato mbrojtjen që u takon, duke qenë se për nëntë muaj ato mund të quhen se hyjnë në kategorinë e invaliditetit? Personalisht, mendoj se jo. Mbaj mend se gjatë shtatzënive të mia isha në një institucion shtetëror dhe kam përfituar nga një vit të plotë leje. Vërtet që pagesa mujore ishte e tmerrshme, por ama nuk guxonte askush të më kërcënonte se do të më hiqte nga puna nëse nuk do të paraqitesha në tavolinën time ndërkohë që isha me barkun te goja ose ndërkohë që fëmija im i sapolindur kishte akoma nevojë për mua. Po çfarë përfitimi kanë gratë shtatzëna në ditët e sotme? Për t’u vizituar në maternitetet e Tiranës duhet të mbash radhën te mjeku i familjes për një rekomandim. Vende për t’u ulur jo gjithmonë ka dhe në rastet kur ka ndonjë karrige para derës së mjekut, nuk ngrihet njeri të të lirojë vendin. Më pas, merr autobusin për të shkuar në spital. Nëse dikush me paterica futet në autobus, ngrihen menjëherë disa persona për t’i liruar vendin. Nëse një femër shtatzënë hyn në autobus, krejt papritur, të gjithë nuk e kanë mendjen. Përjashtim bën ndonjë grua në moshë e cila e ka kaluar këtë siklet vetë më përpara dhe çohet e liron vendin. Problem është sidomos në muajt e parë të barrës, kur nëse me mirësjellje kërkon të ulesh te vendi që ka ikonën e femrës shtatzënë, të shohin nga koka te këmbët se mos je duke i mashtruar dhe, pasi binden, të lirojnë vendin hundë e buzë. Gjasme po u bëhet ndonjë padrejtësi. Më pas vjen momenti i tmerrshëm i pritjes së radhës në maternitet për të bërë një vizitë. Doktoreshat janë të shpërfytyruara nga fluksi i pacienteve që vijnë çdo ditë. Mundohen të bëjnë sa më shpejt detyrën e domosdoshme dhe të kalojnë te gruaja e radhës, ama me aq pak aparate që janë në dispozicion, zor se dilet të mbarohet e gjithë salla e pritjes brenda orarit. Salla është një tmerr më vete, ku ka gra shtatzëna, vjehrrat ose kunatat që i shoqërojnë këto gra, baballarët e ardhshëm të vogëlushëve që do të lindin dhe gra të tjera me probleme në aparatin e riprodhimit. Ajri bëhet mbytës dhe të gjithë e kanë për synim të rrinë brenda në sallë e të zënë vendet e uljes. Ndërkohë që bëhen gati për të pritur një engjëll të vogël, femrat e kanë mendjen të sigurojnë çdo gjë vetë pasi mundësitë për të siguruar një mbështetje nga dikush janë thuajse zero. Edhe pampersat që shiten në maternitet, që femrat i përdorin pas lindjes, janë të skaduara dhe nuk bëjnë edhe pse as ato nuk i fal njeri, por shiten më shtrenjtë se çmimi i tregut. Për të mos folur pastaj për analizat e ilaçet. Ne i paguajmë sigurimet dhe shërbimi që ofrohet në shtet, sado i ngadaltë e torturues, është falas. Por analizat ama, ato duhen bërë te privati. Shteti mundëson vetëm një analizë urine ose ndonjë analizë tjetër gjaku e cila hyn te analizat me çmimet më të lira në treg. Doktoreshat të thonë qartë se testet e fjalës së fundit të shkencës bëhen në klinika private. Ilaçet gjithashtu nuk rimbursohen asnjëherë. Kur një grua ka nevojë për ilaç, duhet ta blejë me lekë, me të njëjtat lekë që nuk merr në kohë nga sigurimet shoqërore, në rastin kur i ka paguar ato. Dhe ndërkohë që kontrollet shtetërore bëjnë namin kur gjejnë një punonjës të pasiguruar, ku lekët e sigurimeve ikin të parat nga buxheti i çdo institucioni dhe ku një pjesë e mirë e rrogës kalon direkt për këtë fond, kur vjen momenti për të përfituar nga këto sigurime, gjërat bëhen më të komplikuara. Kalimi i lekëve në llogari bëhet me vonesë, kërkohet një tufë dokumentesh në mënyrë periodike dhe asnjë dokument i shkarkuar nga portali e-albania nuk bën punë pasi duhet marrë një origjinal me firmë e vulë nga institucioni përkatës. Dhe të gjitha këto veprime duhet t’i bëjë një nënë e re, një grua shtatzënë, e cila është disa kile mbipeshë, ka një bebe në bark dhe nuk vepron dot si një njeri normal.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.