Histori personale

Të dashurosh me shpirt personin e gabuar

Gazeta Paloma - - Front Page -

Unë që po ju shkruaj jam “Ai” nga një qytet i vogël i Shqipërisë. Para disa vitesh njoha një vajzë. Në atë kohë unë isha në vitin e tretë, ajo në të dytin. Ishte dashuri me shikim të parë. Për herë të parë e pashë në konviktin e qytetit. Atë ditë që e pashë, unë kisha shkuar për të marrë disa konviktore për provat në një pjesë teatrale. Në katër ditët në vijim nuk kam fjetur. Vendosa që në imagjinatën time ta quaja Manushaqe pasi kokën gjithmonë e mbante të ulur. Fillova të interesohesha më tej për emrin, prejardhjen, klasën etj. Ajo dalëngadalë po më hante shpirtin. Më magjepste çdo gjë e saj. Sa herë më kujtohej nuk arrija të përqendrohesha tek ajo që po bëja. Në atë kohë, në maj, fillova të punoja te një fotostudio dhe pjesa teatrale u shfaq me sukses të plotë. Në atë sukses unë u afirmova si regjisor. Çdo ditë përpiqesha t’i bija në sy, por rezultati linte për të dëshiruar.

Mbaroi viti shkollor. Vetëm Zoti dhe një shok i imi e dinin sa po vuaja për të. Rashë shumë në peshë, pasi nuk haja shumë. Por stina e verës nuk zgjati përjetësisht. Shtatori erdhi, filloi shkolla. O Zot, nuk mund ta imagjinoni si jam ndierë kur e kam parë tek oborri i shkollës! Po fluturoja nga gëzimi. Fillova të hapja muhabet me një shoqe të saj sa për të pasur mundësinë të flisja edhe me Arin tim (shkurtim i emrit të saj). Mora vesh nga shoqja e saj se rreth marsit i kishte vdekur e ëma. Kjo më bëri t’i vija vetes qëllimin ta bëja të lumtur vetëm kaq doja vërtet. Mos vallë kërkoja diçka të tepërt? Unë thjesht po mendoja për të mirën e saj.

Më kujtohet si sot kur te Pallati i Kulturës po jepej një koncert. Bleva tri bileta. E ftova të vinte atë dhe një tjetër sa për të mos rënë në sy. Por ajo nuk pranoi. Një të premte ajo po priste të ikte për në shtëpi. Vajta te konvikti dhe i thashë: “Ari, unë të dua dhe jam gati ta vë zemrën time nën këmbët e tua”. Nuk mund ta imagjinoni se me çfarë mospërfillje u përgjigj: “Unë nuk të dua”. Zemra më plasi në një mijë copa. Por nuk e dhashë veten. E kalova atë fundjavë në maksimumin e dëshpërimit. Mendoja se pse nuk më donte. Pse nuk përpiqej së paku?

Pas pak kohësh i gjeta numrin e telefonit. Të gjithë do të qeshnin nëse do ta dinin ç’më është dashur të bëj për ta gjetur atë numër. Fillova t’i telefonoja. Gjithmonë ma hapte telefonin dhe më dëgjonte. Kjo më jepte shpresa. Çdo ditë e doja më shumë.

E gjithë klasa po e kuptonte se dashuroja një vajzë. Çdo shok apo shoqe klase më thoshte: “Zër mend se je në vit të fundit, mendo për shkollë të lartë dhe pastaj për të tjerat”. U përpoqa ta harroja, por më kot. Çdo ditë e pyesja nëse kishte ndërruar mendje, por jo. Nuk më mbushej mendja të hiqja dorë nga ajo. Kështu kaloi viti. Mora një numër të ri dhe i çova SMS për t’i uruar Vitin e Ri. Ajo nuk pyeti se kush isha, edhe pse numri ishte i panjohur për të. Sidoqoftë unë nuk u dëshpërova.

Filloi semestri i dytë. Notat e mia po përkeqësoheshin dita-ditës, por nuk rashë poshtë nivelit të notës 9. Të gjithë shqetësoheshin për mua, por unë nuk mendoja për asgjë tjetër veç saj. Çdo natë thurja plane për të ardhmen tonë. Gjumë flija pak.

Më 1 shkurt vajta te klasa e saj. Ata kishin ndezur sobën. Vajta me justifikimin se doja të ngrohesha. Po bëja muhabet me shoqen e saj. Aty erdhi edhe një shoqe klase e imja. Shoqja ime e dinte për Manushaqen. Erdhi dhe u ul në prehrin tim, pa të keq, pasi shkoj me të si vëllai me motrën. Ari ishte përballë meje. Vura re se shqeu sytë sapo e pa atë gjest. Kjo më pëlqeu. Pastaj ajo i tha një shoqes së vet: “Si të duket kjo unaza?”. “Kush ta ka dhuruar?”- pyeti ajo. “I dashuri im për Shën Valentin”,- ia ktheu. “U bë xheloze”,- thashë me vete. “Nuk ka dyshim që edhe Ari më do”. Sa për ta ngacmuar, i thashë: “Ari, s’qenka gjë puna e tij”. “Pse?” - tha. “Po përderisa ta jep një unazë 2 javë para Shën Valentinit, normalisht që i vjen turp ose ka frikë ta pranojë që të dashuron”. Ajo nuk komentoi më tepër. Pastaj erdhi Shën Valentini. U përpoqa t’ia uroja, por më kot: telefoni i saj ishte i fikur. Këtu hyn në lojë Fati, një shoqe e saj, e cila më thotë se telefoni i ishte prishur. Por për 5 sekonda arrita t’i flisja Arit. Pavarësisht se ajo nuk u ndal arrita ta uroja për Shën Valentinin. Isha njeriu më i lumtur dhe më i palumtur në botë. Por vazhdova ta doja edhe pse ajo bënte sikur s’më shihte. Gjatë kësaj kohe mora vesh nga një shoqe se një vajzë kishte rënë në dashuri me mua. Kjo më tronditi dhe realisht nuk më pëlqeu. Isha përpjekur ta ndihmoja me të gjitha mundësitë e mia, por pasi isha i paaftë për ta dashur vërtet nuk doja ta lëndoja. Ndërkohë që fillova ta telefonoja më shpesh Arin. Ajo më dëgjonte, kjo më jepte shpresa për të ecur përpara. Një ditë vendosa t’i dërgoja një lamtumirë të papritur. I dërgova një SMS të gjatë ku i tregova se hiqja dorë vullnetarisht, se do ta doja gjithmonë dhe se isha më i mirë se çdo kandidat që do të marrë. Në fund i shkrova lamtumirë. Tashmë çdo gjë varej nga ajo. Dhe ja ndodhi diçka e papritur që më bëri të fluturoja. Të nesërmen Ari ktheu SMS, ku më thoshte se i vinte keq se e doja dhe nuk mund t’i përgjigjej dashurisë sime. Por tha se më ofronte miqësinë e saj. E mora në telefon dhe i thashë se nuk e doja miqësinë e saj, por doja një shans për t’i treguar se sa e doja. Pavarësisht se ajo tha se më ofronte vetëm miqësinë unë e dija se dalëngadalë po lëshonte pe. Thashë me vete se gjërat po fillonin të ndryshonin. O Zot sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë doja. Me ngrohjen e motit filluan të ngroheshin edhe ndjenjat tona.

Një ditë më shkrepi në kokë të bëja diçka të çmendur. Atë ditë sapo kisha përfunduar së lexuari romanin “Kristalina” të Danielle Steel. Thashë me vete: Po sikur ta provoj t’ia jap këto dy vëllime. Dhe kështu veprova. I thashë t’i lexonte me vëmendje. Mendoja se do t’i lexonte dhe do të nxirrte ndonjë mësim të bukur përsa i përket ndjenjës së dashurisë. Pas dy javësh e pyeta nëse i kishte lexuar. Më tha se po, por kur e pyeta se ç’ mendonte më tha: “Të mirë m’u dukën”. Në sytë e saj kuptova që po më gënjente. U binda që s’e kishte vënë ujët në zjarr që t’i lexonte. Për këtë jam i bindur edhe sot e kësaj dite. Me dëshpërim i mora librat, por i dhashë një poezi rreth 40 strofa. E porosita ta lexonte vetëm, jo me të gjithë kolektivin. Në këtë poezi i tregova se bota kishte vajza plot dhe për djem si puna ime vajzat janë shumë të lehta për t’u arritur. Madje arrita edhe t’i tregoja për atë gocën që më donte. Në atë poezinë i thashë gjithashtu se unë nuk doja tjetër veç asaj. Dhe se asnjë vajze tjetër nuk më bën përshtypje. Pra nuk po e gënjeja. Gjithashtu i thosha se nëse më pranonte nuk do të pendohej. Dhe sinqerisht nuk do të pendohej. Një orë pasi ia dhashë atë budallallëkun tim ajo më çoi SMS ku më thoshte: “Më vjen vërtet keq që më do kaq shumë, por jam ende e vogël që ta them fjalën me vendosmëri. Poezia ishte vërtet e bukur, na ranë lot kur e lexuam. TUNG”. Dy gjëra më bënë të çmendesha kur e lexova këtë SMS: e para ishte fjalia “na ranë lotët”, që do të thoshte se e kishte lexuar bashkë me kolektivin. Dhe e dyta ishte fjala “tung”. E kishte dërguar atë fjalë sikur po më uronte ditëlindjen, jo sikur po më copëtonte zemrën. E mora në telefon dhe i thashë se kur të rritej ajo do të ishte tepër vonë pasi unë do të shkoja në shkollë të lartë shumë shpejt. U tërbova, mora leje nga dita e punës, vajta në shtëpinë e një shokut tim, Edit. Atë natë nuk vajta në shtëpinë time, nuk doja që të mitë të kuptonin se diçka nuk shkonte. Shoku im kuptoi se gjërat kishin vajtur si mos më keq. M’u lut ta harroja Arin, por unë i thashë se nëse donte të mbetej shoku im nuk duhej ta përsëriste më atë gabim. Atë natë e tejkalova limitin e dëshpërimit, nuk e mbaj mend se sa shumë kam qarë, por shumë ma tha ai shoku im. Atë natë kam pirë rreth një shishe verë nga mërzia. Të nesërmen u zgjova si mos më keq. Tashmë çdo gjë kishte marrë fund. Mendoja se ajo thjesht ishte kënaqur duke u tallur me mua. Në klasë të gjithë e kuptuan se diçka e keqe kish ndodhur, por unë nuk pranova të flisja me asnjërin. Po luaja mendsh. Të nesërmen në pushim të gjatë dola në katin e katërt. Në sy të saj fshiva numrin e saj nga telefoni im. Me një gjakftohtësi të tejskajshme tha: “Mirë”. Pastaj i dërgova një SMS ku i thosha se një jetë të re do të filloja dhe të vjetrën do ta harroja. Më ktheu SMS dhe më tha se më uronte një jetë të lumtur. Thjesht u çmenda, por durova. Nuk besoj se në të gjithë planetin mund të ishte një njeri më i dëshpëruar se unë, së paku në ato çaste. Në mesditë e mora në telefon dhe i thashë të zërë be në shpirtin e nënës se nuk donte apo nuk ishte e lidhur me një tjetër. Por ajo tha jo. Dita vazhdoi normalisht, pavarësisht se nuk kishte arsye për të vazhduar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.