Histori personale

Gazeta Paloma - - Front Page -

Kur nusja e djalit të vë përfund

Unë që po ju shkruaj jam një grua 63 vjeçe nga jugu i Shqipërisë. Kam qenë kuzhiniere kopshti dhe tani jam pensioniste. Jam nënë e tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Do t’ju tregoj historinë time familjare. Vendosa ta bëj këtë pasi jam e trishtuar, çdo ditë e më shumë, por e kam mbajtur çdo gjë brenda vetes se nuk dua të mërzis djalin mbi të gjitha.

Unë jam martuar që 18 vjeçe se ashtu ka qenë koha. Kam jetuar me prindërit e burrit për 16 vite. I kam quajtur gjithmonë mama e baba. Edhe ata më kanë respektuar, nuk them dot të kundërtën. Sot të tre fëmijët i kam të martuar dhe të rregulluar me familjet e tyre. Brenga ime është im bir që nuk e mori një nuse siç e kisha ëndërruar unë. Por mos mendoni se kam prishur ndonjëherë qejf.

Im bir u martua kur ishte 27 vjeç. Kam kaluar 14 vite që nga ajo kohë. Unë dhe im shoq kishim menduar se ai do të jetonte në një shtëpi me ne. Kishim shtëpi të madhe dhe të dyja vajzat i kishim të fejuara. Shumë shpejt edhe ato do të iknin në shtëpitë e burrave të tyre. Mirëpo disa kohë para dasme, vjen im bir në shtëpi turivarur. E shihja që kishte diçka, por nuk e kuptoja. Deri sa ai i tha burrit që donte të dilte në shtëpi më vete me të shoqen, se ishim shumë njerëz në shtëpinë tonë. Nuk më pëlqeu kjo gjë se e kuptoja që ishte ndikimi i gruas. Djali ka qenë gjithmonë shumë i lidhur me ne. Duke qenë se ishte djalë i vetëm ka qenë më i përkëdheluri, e kemi rritur me pekule. Im shoq u nxeh fillimisht, por pastaj ramë dakord që kur të martoheshin vajzat, do të vinte ai në shtëpi. Me nusen u mërzitëm, por nuk ia shprehëm.

Pas martese djali me gruan dolën në shtëpi me qira. Gjithë ai shpenzim, duke e pasur shtëpinë aty. Nusja rrallë vinte te ne. Djali kalonte thuajse përditë, por vetëm. E pyesja gjithmonë për nusen dhe më thoshte se ajo kishte punë. Edhe ne rrallë shkonim te djali sepse nuk ndiheshim të mirëpritur. Na dukej sikur e bezdisnim të shoqen. Nuk patëm asnjëherë përplasje me të, por ashtu në heshtje kishim një lloj distance, që e krijoi ajo dhe nuk e di për çfarë arsyeje.

U martuan dhe vajzat vit pas viti dhe pas 3 vitesh i themi djalit të vijë në shtëpinë e tij se kishte hapësirë boll. Djali ishte bërë me fëmijën e parë. Dhe të them të drejtën kishim qejf ta kishim nipin afër. Ishte nipi i parë për ne. Por ai nuk pranoi. Në shtëpinë e tij gjeje gjithmonë njerëzit e nuses dhe kur shkonim ne rrinim 30 minuta dhe duhej të iknim se nuk kishte mikpritje. Sa herë shkonim atje mërziteshim. Im shoq thoshte që nuk do t’i shkelte më në derë, por kur i binin nervat, për hir të djalit, bënim sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Fatkeqësisht im shoq u nda nga jeta në 2013-n nga infarkti. Djali ishte pa punë në atë kohë dhe ishte ngushtë ekonomikisht. Vinte shpesh te ne për të marrë para borxh. Në shtëpi i kishin nisur sherret për shkak të ekonomisë. E shoqja punonte në një parukeri, kurse im bir ishte bërë si nuse shtëpie, pastronte e gatuante. Më vinte plasja kur e shikoja ashtu. Kur ai mund të vinte të jetonte në shtëpinë e vet dhe ia bëja unë të gjitha nëse nuk kishte kohë e shoqja. I ndihmoja të dy. Pasi vdiq im shoq, djali erdhi dhe kërkoi të vinte në shtëpi se nuk e përballonin dot më jetën vetë. E mirëprita, por ia thashë që më vinte keq që babai i tij nuk e gëzoi një ditë në shtëpi pas martese, atë me gjithë fëmijët e tij. Djali ka dy fëmijë tani. Mbesa është 6 vjeçe dhe me atë jam shumë e lidhur. E kam dritën e syve. Ishte vetëm 1 vjeç kur erdhën në shtëpi me mua dhe e kam rritur vetë. Kurse nipi është pas të ëmës. I duket gjyshja me të vjetrën.

U përpoqa që me nusen të krijoja një marrëdhënie sa më të mirë. I thashë se për punët, pazaret e gatimet sa të mundesha do t’i bëja unë. “Si të duash”,- më tha, por asnjëherë nuk ka shprehur një falënderim. Nuk e kam parë njëherë t’i qeshë fytyra a të bëjë një shaka me mua. Më duket vetja sikur i jam barrë, ndërkohë që kanë ardhur ata në shtëpinë time. Nusja shkon e vjen nga puna e direkt në dhomën e vet. As me djalin nuk shkon mirë, një e dy e zihen për hiç mos gjë. Një ditë nuk durova dot. Në 2015-n e gjeta duke i bërtitur vajzës së vogël që kishte thyer një pasqyrë dhe nuk durova dot. I thashë: Po punë e madhe se e pastroj unë dhe blejmë një tjetër. Të më kthehet mua e të më thotë: “Mos fol kur flas unë, se jam unë e ëma dhe e di unë atë punë”. Më të ofenduar nuk e kam ndierë ndonjëherë veten. M’u mbushën sytë me lot dhe iu ktheva. I thashë që në shtëpinë time nuk mund të më thoshte kur të flisja e kur mos të flisja. I thashë që po të mos i pëlqente jetesa në shtëpinë time, derën e kishte të hapur dhe mund të ikte kur të donte. Ajo sikur atë fjalë kishte pritur dhe mori dy fëmijët e shkoi te nëna e saj. Për mbesën më pikonte në zemër se atë e kam debulesë. Dhe më ka mbetur peng që këtë sherr e bëra në sy të saj. Kur e mori vesh djali sigurisht që u mërzit. Mua nuk më pushonin lotët dhe ai nuk foli fare. Iu lut të shoqes që të kthehej, por ajo nuk pranonte. Erdhi tek unë djali e m’u lut që t’i kërkoja falje, që të kthehej për hir të fëmijëve. Vetëm për lumturinë e djalit e ula kokën e shkova në shtëpinë e nënës së saj dhe i kërkova falje. Më tha që do të vinte kur të qetësohej. Shkoi edhe djali në shtëpinë e nënës së saj. Ndenjën atje 1 muaj dhe pastaj erdhën.

Që kur janë kthyer të gjithë, si unë edhe djali, jemi kokulur para saj. Nuk e kundërshtojmë dot për asgjë se kemi frikë mos ikën me gjithë fëmijët. E shoh që tim bir e ka vënë për fund. E di që ai mendon për fëmijët e vet, por nuk ndihem mirë. Nuk kam jetuar ndonjëherë e përulur. Kam pasur një burrë që më ka respektuar nga dita e parë deri në ditën e fundit që kemi qenë bashkë. Kam dy vajza që shkojnë me vjehrrat e tyre për mrekulli. Edhe vetë, siç e thashë në fillim, kam shkuar shumë mirë me prindërit e burrit. Si ka mundësi që kjo nusja ime nuk njeh as mirësjellje, as edukatë, as mirënjohje!

I kisha menduar ndryshe vitet e pleqërisë. Mendoja se do të gëzohesha me nipër e mbesa e do të jetoja e qetë. Po vetëm tension në shtëpi. I gëzohem vetëm mbesës së vogël se ajo, sado që e ëma përpiqet ta tërheqë pas vetes, nuk e harron nënën. Është një fëmijë i dashur që më fal shumë dashuri.

Më vjen keq që e shoh se edhe im bir nuk është i lumtur. Nuk kalon një moment të bukur me të shoqen, vetëm sherr për gjënë më të vogël. Nuk më takon mua si nënë që ta them këtë gjë, se për nipin e mbesën dua të rriten me të dy prindërit, por po të jetë për jetë me mërzi, më mirë të ndahen. Nuk e di pse e pati im bir këtë fat të keq. Çdo ditë e më shumë vuaj për këtë gjë.

Dëgjoj plot vajza të reja që kanë pakënaqësi nga vjehrra. Po a e dinë ato se ajo vjehrra është nëna e njeriut me të cilin kanë zgjedhur të ndajnë jetën? Po çfarë u bëjnë vjehrrat në fund të fundit? Duan vetëm një fjalë të mirë dhe pak mirësjellje. Nisem nga rasti im, që nuk e lë nusen të prekë gjë me dorë në shtëpi, çdo gjë e gjen gati dhe nuk jam pishman. Po të paktën të mos rrijë turivarur, të ma bëjë djalin të ndihet mirë dhe të krijojë harmoni në shtëpi.

Po e mbyll këtu letrën time me shpresën se diçka do të ndryshojë në jetën tonë. Ju uroj gjithë të mirat dhe ju nuset e reja, më tepër harmoni me vjehrrat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.