Kundër qëndrimeve radikale dhe absolutizmit në mendjet e shqiptarëve!

Gazeta Paloma - - Koktej -

Kush ka të drejtë? A nuk e bëni shpesh pyetjen dhe përgjigjen ia prisni sa hap e mbyll sytë, duke supozuar se dini gjithçka dhe mund të flisni, edhe pa dëgjuar asnjërën nga palët?

Është problem i hershëm, që në vend të retushohet me kohën, po më duket sikur sa vjen e zmadhohet. Shoqëria jonë kontroverse nuk njeh rrugë të mesme, sepse nuk njeh as konceptin e argumentit. Kujtoj një mësuesen time të dikurshme, që sa herë bëja ndonjë gabim të vockël dhe merakosesha për pasojat më qetësonte vetëm me një thënie: “Mos u mërzit zemër, kur të rritesh do të kuptosh se për çdo arsye ka një kundërarsye”. Dhe unë e kuptova, ndaj nuk mërzitem më duke kuptuar njëkohësisht se qenkam rritur. Po ju, kaq të vegjël keni mbetur?

Pse më parë vendosim në punë muskulin e gjuhës dhe jo trurin? Ku e dimë ne se si e ka hallin tjetri, që ka marrë një vendim të tillë? Pse duhet që çdo situatë apo ngjarje ta shohim si një fushëbetejë, ku do ketë patjetër edhe fitues, edhe humbës?

Kështu po ndodh me debatin e fundit, që ka mbushur dhe ka bërë të gumëzhijnë rrjetet sociale… Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” i paska dalë kundër komunitetit LGBT, ndërsa këta të fundit po ankohen te kryeministri. Situatë tejet qesharake nga

ana e shqiptarëve, që duke anuar nga njëra palë apo tjetra, duket sikur priren të na tregojnë bindjet e tyre politike. A nuk e mendoni edhe ju kështu?

Pa prit njëherë! Nga njëra anë paskemi një drejtoreshë shkolle, e cila ka thyer një urdhër të deleguar nga qeveria për të pranuar fushatën sensibilizuese kundër bullizmit, duke mos lejuar bashkëbisedimin me adoleshentët e këtij gjimnazi. Vërtet mendoni se ka shprehur veç mendimin e saj? Të nderuar, zonja në fjalë përfaqëson një institucion arsimor, për të cilin mbajnë përgjegjësi shumë “aktorë”, ndër ta edhe prindërit e fëmijëve. Ku e dini që nuk paska qenë edhe mendimi i tyre, po kryqëzuat vetëm zonjën Teuta? Pse nuk e pyetët për arsyet që e çuan drejt këtij vendimi? Apo hajde të gjejmë një “viktimë” e ta bëjmë shembull që të marrin vesh të tjerët. Nëse drejtoresha në fjalë ka vepruar në kokë të vet, ne dalim në konkluzionin që nuk është profesioniste dhe me këtë pjesë nuk na takon të merremi më, përveçse të presim nga punëdhënësit e saj.

Nga ana tjetër, kemi djemtë dhe vajzat, që e iniciuan këtë fushatë, anëtarë të komunitetit LGBT. Ata kanë ndeshur në një rezistencë të tejskajshme, edhe pse janë përkrahur nga instancat e larta të vendit. Pse? Nuk paskemi ne kulturë për të

kuptuar çfarë është i ndryshmi? Të dashurit e mi, si ka mundësi që e ngushtoni kaq shumë horizontin? Kur ti si prind nuk i jep fëmijës tënd as informacionin minimal lidhur me seksualitetin e vet, ç’pret të bëjë shteti? Të rrijë duarkryq? Të lejojë që ata fëmijë me prirje ndryshe të dhunohen nga të tjerët? Ç’rrisim për të ardhmen: një brez që shkon drejt vetëvrasjes ose kriminalitetit, apo jo? Të marrësh informacion nuk është kurrë e ekzagjeruar, për çfarëdolloj fushe, sepse secili është në gjendje ta përthithë dhe selektojë atë.

Nuk bëhet fjalë për të mitur, por për adoleshentë që në ditët e sotme kanë edhe eksperienca në fushën sentimentale. Nuk bëhet fjalë për t’i orientuar, por për t’i informuar. Nuk bëhet fjalë për t’i imponuar në zgjedhje, por veç për t’i edukuar që të pranojnë ndryshimin: në ngjyrë, racë, fe, klasë sociale, sjellje seksuale etj. E kuptuat që po bëni shumë zhurmë për asgjë?

Po tani kujt i jepni të drejtë në rastin e mësipërm? Nëse kemi arritur t’ju bëjmë të reflektoni qoftë edhe dy minuta, pra të jeni lëkundur sadopak nga mendimi i mëparshëm radikal dhe të jepni një përgjigje qoftë edhe dy minuta më vonë sesa më parë… mund të pohojmë me plot gojë se ia kemi arritur qëllimit!

Fundjavë të mbarë dhe Gëzuar Pashkët!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.