Një dashuri e gabuar?

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje palomista, uroj të jeni të gjithë mirë. Ashtu si të gjithë dhe unë dua të shkruaj historinë time. Quhem Eno. “Nuk do ta harroj kurrë ditën e 6 shkurtit.

Atë ditë ne ishim mbledhur për një fatkeqësi. Unë nuk isha në shtëpi, kisha shkuar të flija të komshiu për shkak se në shtëpi kishin ardhur shumë njërez që do ta gdhinin atë natë kështu që vendosa të flija te shoku im. Sapo u zgjova shkova menjëherë në shtëpi sepse do të niseshim për në varreza. Dera ishte e hapur. Sapo u futa në guzhinë sytë më panë dy perla që ndrisnin si kristale. U habita. Ishte një vajzë shumë e bukur, bjonde, syjeshile, jo shumë e gjatë që po rrinte në guzhinë. Nuk e njihja, pyeta prindërit se kush ishte dhe ata më thanë që ishte një kushërira jonë shumë e largët që kishte ardhur thjesht për respekt të gjyshit. (Neve na kishte vdekur gjyshi). Vajta të vishesha menjëherë dhe dola në guzhinë, ajo ishte akoma aty, e shikoja gjithë kohës edhe pse nuk doja. Ishte nga Pogradeci. Mënyra se si ajo fliste më çmendte. Ishte një ëngjëll. Shkuam në varreza, dhe më pas në lokal. Në lokal nuk ja ndaja sytë. Nuk e di pse, por doja që të bisedoja me të, por s’kisha si të hyja në muhabet. Dreka mbaroi dhe ajo iku. Na takoi të gjithëve, dhe kur më dha dorën mua, unë ja shtrëngova fort. Ajo diçka kuptoi, por përsëri nuk kishim si të bisedonim aty pasi s’ishte koha e as momenti përshtatshëm. Ajo mua më njihte, kurse unë atë jo.

Kaluan ditë javë dhe s’dija më asgjë për atë.

Për herë të parë një kushëriri jonë nga Korça erdhi në shtëpi për vizitë. Mendova sikur Zoti e kishte sjellë tamam për mua. Në muhabet e sipër i thashë të ma jepte pak celularin e tij sa për të parë diçka. Ai ma dha menjëherë. Me duart që më dridheshin fillova të kërkoja numrin e saj. Kur e gjeta, sa s’fluturoja nga gëzimi. E mora numrin e saj, por s’guxoja të bëja asgjë. Si do të prezantohesha unë para saj? Kush isha unë? A do të më kthente sms? A do të pranonte të fliste me mua pa më njohur? Shumë pyetje dhe asnjë përgjigje. Vendosa që të provoja nëse e kishte hapur celularin. I rashë në darkë, por më doli i mbyllur. E provova të nesërmen, ishte hapur.

Atë mbrëmje kisha një punë të vogël në dorë kështu që vendosa t’i shkruaj sms. I çova një poezi dhe ajo reagoi menjëherë duke më thënë se kush jam unë dhe ku i gjej ato konfidenca për t’i shkruar gjëra të tilla. I thashë të më priste se do t’i shkruaja sërish. Ajo më priti. Sms filluan atë natë dhe çdo ditë shkruanim pa pushim. Filluam të njiheshim me njëri tjetrin. Ajo gjithë kohës thoshte që ishte lojë dhe kurrë nuk besonte se e kisha seriozisht. Kur mora vesh që ajo s’ishte e lidhur, u gëzova jashtë mase.

Në prill kishim një dasëm dhe ajo do të vinte patjetër. Unë isha i ftuar atje. I kisha premtuar që do t’i tregoja kush isha atë mbrëmje. Mezi prita që të gdhihej e nesërmja. Pasi u bëra gati shkova te dasma. Sapo hyra më thanë që do të vinte A nga Pogradeci. Nuk po më zinte vendi, dola të pija një cigare në tarracë kur mbas 10 minutash erdhi dikush. Zemra më rrahu fort. Ishte ajo. Ishte bukuroshja që kisha javë që prisja ta shihja sërish. Më takoi, folëm dhe u ul për t’u shplodhur. Në mbrëmje vajtëm tek lokali.

Sapo u ulëm më dërgoi një sms ku thuhej se atë mbremje i kisha premtuar t’i thosha kush isha. Unë i ktheva sms: “Po të vështroj gjatë gjithë kohës, po më kuptove më thuaj nëse jo do të ftoj të kërcejmë e do ta kuptosh kush jam”. Më ktheu menjëherë sms, ajo më thoshte se më kishte kuptuar që në mëngjes kur kishte ardhur se kush isha dhe nuk e kuptonte atë që ndjeja unë përveçse ta doja si kushërirë që e kisha. Ju luta të mos thoshte asgjë. Pra- noi. Unë ngriva në ato momente. Ajo nuk mi ndante sytë dhe në momentin që vështrimi jonë u ndesh më kërkoi të afrohesha te ajo dhe të bisedoja. Nuk kisha guxim dhe i thashë ta linim për më vonë.

Atë natë kërcyem biseduam gjatë, dhe kur mbaroi dasma i thashë të vinte të flinte tek shtëpia ime. Mbas shumë lutjesh të miat pranoi. Erdhi dhe fjetëm të dy në një krevat! Nuk guxova të bëja asnjë veprim vetëm e përqafoja. Atë e zuri gjumi kurse unë jo, rrija dhe dëgjoja frymëmarrjen e saj.

Në mëngjes kur u ngrit më pyeti se pse nuk kisha vënë gjumë në sy. “Nuk mundesha”…Ajo ndenji dhe atë ditë tek shtëpia ime. Kur u shtrimë sërisht në darkë për të fjetur, biseduam gjatë dhe unë i shpreha ndjenjat e mia, por ajo vetëm dëgjonte e habitur dhe përgjigja e saj ishte se nuk mund të më kthente asgjë prandaj ishte më mirë që të flinim.

Të nesërmen e përcolla për në Pogradec. Vetëm e përqafoja dhe lotët më rridhnin nga sytë. Ajo më thoshte të mos mërzitesha sepse do të flisnim dhe do të shiheshim sërish! Me shumë vështirësi u ndava nga ajo!

Mbas disa minutash më erdhi një sms prej saj ku më thoshte se kishte kaluar shumë mirë me mua dhe familjen time! Sms filuam të shkëmbenim çdo darkë, por thjesht për muhabet! Ajo nuk pranonte atë që ndjeja për të. Takoheshim ndonjëherë kur vinte në Tiranë, po sërisht s’pranonte të më jepte asnjë puthje!

Tashmë kemi ngelur miq dhe shumë rrallë shkëmbejmë sms ose flasim në celular. Unë vazhdoj ta dua, por s’di çfarë të bëj, si t’ia mbush mendjen të pranoj të lidhet me mua. Ajo e di që e dua, por nuk reagon. Ju palomista si më këshilloni? Ç’duhet të bëj sepse kam një dëshirë të pa parë për ta pasur në krahët e mi. Pres sugjerimet dhe këshillat tuaja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.