Si më bëri gruaja viktimë të një lavireje

Gazeta Paloma - - Front Page -

Me historinë time disa mund të buzëqeshin, disa mund të mendohen, disa mund të mësojnë. Unë e kam pësuar. Quhem A., jam nga Tirana, 36 vjeç, i martuar, me 2 djem të vegjël. Jam mulat. Problemet e mia familjare kanë ekzistuar që në fejesë (jo për nder e karakter), por për mosrespektimin reciprok midis një burri që bën për gruan dhe fëmijët dhe një gruaje që nuk është e zonja të respektojë burrin ashtu siç duhet brenda rregullave familjare. Çfarë kërkoja unë nga gruaja? Të ishte e ngrohtë me burrin, e dashur me fëmijët dhe e muhabetit. Me një fjalë, nuk doja një grua të hutuar në një kohë që të gjitha gjërat i vinin pothuajse të gatshme në shtëpi. Ne si çift nuk na mungonin shëtitjet, argëtimet, drekat apo darkat jashtë nëpër restorante të njohura. Unë e doja gruan dhe nuk doja të punonte pasi i kishte të gjitha kushtet. Gjithashtu unë jam dhe një person me një detyrë shoqërore humane, disi i njohur në media se përfaqësoj një shoqëri civile të një komuniteti shumë të madh në Shqipëri.

Ndoshta prej miqësisë dhe shoqërisë që kam filloi një lidhje e padëshiruar për mua. U njoha me një vajzë rreth 21 vjeç. Kur e njoha më dukej yll. Tani për mua është një femër mizore, e cila më shfrytëzoi moralisht dhe ekonomikisht.

Por po u kthehem problemeve në shtëpi. Marrëdhëniet e mia me gruan që prej 6-7 vjetësh kanë ardhur duke u zbehur. Unë kërkoja rregull dhe pastërti në shtëpi, kërkoja që fëmijët të ishin të pastër, të rregulluar e të përgatitur për mësime, besoj se janë gjëra normale këto, asgjë më shumë nga një grua që duhet të jetë shtëpiake. Këto dhe mund të rregulloheshin, por ka diçka edhe më të keqe. Para 10 vjetësh ne sollëm në jetë një fëmijë të bukur. Për fat të keq fëmija lindi me probleme, që kaluan pas disa muajsh terapie. Një muaj nga lindja e fëmijës sonë të parë, unë si burrë i asaj gruaje fillova të shtrihesha në kuzhinë, pasi herë- herë aty vinte dhe vjehrra e rrinte në dhomën time të gjumit për ta ndihmuar të bijën. Por kjo ardhje u bë rrugë dhe deri sot e kësaj dite unë më shumë kam fjetur vetëm sesa me gruan, sepse që nga ajo kohë ne filluam të rrinim në një shtëpi me vjehrrën dhe vjehrrin (në fakt unë shkova tek ata, pasi kjo është vajzë e vetme, por që fatkeqësisht ka edhe një vëlla me të meta mendore që është në spital). Pra mendoni një burrë jo i ndarë ligjërisht të flejë vetëm në kuzhinë! Fizikisht unë isha i ndarë prej saj, sepse ajo nuk kujtohej shumë për mua pasi kjo u bë rrugë prej vitesh, ndoshta është turp ta themi këtë por ky është realiteti.

Të them të drejtën e pyesja shpesh: Nuk ke ndjenja ti moj grua që më lë mua kështu e fle me mamanë tënde? Përgjigja e saj: “Po hajde ore se e përze unë atë nga dhoma”. Përzënia e mamasë nuk zgjaste me shumë se dy ose tri ditë, ndoshta edhe një javë dhe përsëritej e njëjta gjë. Imagjinoni një gjë të tillë prej vitesh! Kjo situatë do të digjte atë vetë, pasi mua më ndodhi kjo që do t’ju rrëfej më poshtë.

Një ditë janari, për detyrën dhe pozicionin që kam në shoqëri më ofruan kurse falas për kompjuter dhe anglisht dhe unë mendova të bëja mirë, siç e kam zakon, te njerëz që kanë vërtet nevojë dhe janë të interesuar nga komuniteti im. Përgatita një listë me 15 persona djem e vajza dhe i çova pranë këtij institucioni për të filluar kurset. Një shok lagjeje më kërkoi një favor, t’i regjistroja të dashurën. Kurset në fakt ishin mbyllur, megjithatë bëra një sakrificë dhe e regjistrova. Kur ç’të shikoja, bëhej fjalë për një vajzë të cilën e kisha shumë qejf prej kohësh. Ky shoku i lagjes sime këtë femër e prezantonte herë si grua, herë si të dashur, herë si “për të kaluar kohën” apo ku di unë. Në fakt kishte rreth 6 vjet me të pa kurorë.

Ma prezantoi, e pajisa me dokumente, bëra gjithë procedurat e nevojshme. Unë u rrija edhe vetë kursanteve në kokë për të parë ecurinë. Kjo tani, duke parë disa gjëra krejt ndryshe nga ajo se si e trajtonte i dashuri, filloi të bluante në kokë ato që i bëri realitet më vonë. Vajza me inicialet S.Sh. filloi të bënte një rol ndryshe që e kishte zakon pasi nuk kishte pasur vetëm këtë të dashur, por njëkohësisht edhe një tjetër dhe, siç më ka treguar, edhe disa të tjerë, që i kishte flakur në rrugë si pa të keq, duke ua copëtuar zemrën atyre meshkujve dhe mua viktimës së radhës.

Ishte dhe është një aktore e madhe për të bërë të tilla histori me meshkuj të sinqertë dhe të drejtë. Ajo bënte shumë skena provokuese dhe në sy të atij që gjoja e mbante për të dashur, që mua të them të drejtën më bënë përshtypje. Më ngacmonte me prekje te duart, me shikime, sa një ditë më puthi gjoja si shok në faqe në sy të të gjithëve. U ndjeva shumë, shumë keq...

Unë i njihja si familje disa prej motrave të saj, mamaja e saj ishte një shtrigë që e kishte ndarë burrin me 9 fëmijë që herët, pasi dashuronte një më të ri. Pak a shumë të gjitha motrat njësoj. Po nejse, çfarë t’i bëja këtij shokut tim, që edhe ky e donte deri diku, por ishte kjo që nuk vendoste për asgjë pasi është një aventuriere dhe aktore e zonja për të luajtur me zemra, pasi të merrte apo të gllabëronte atë që donte apo thjesht të hiqte fiksimin me atë që ia jepte truri. Të them të drejtën, jeta e shthurur e familjes së saj e ka bërë atë kështu, pasi ka kaluar dhe netë të nxehta dhe të ftohta jashtë apo me dashurit e saj...

Pas disa ditësh ndërruam dhe numrat e telefonit, uleshim për kafe edhe me të dashurin e saj, edhe pa të. Edhe unë fillova ta pëlqeja, për këtë nuk ju gënjej. Ajo nuk linte rast pa më provokuar. Një ditë shkuam në një institucion bashkë dhe duke hipur në ashensor në katin e gjashtë unë mora guximin ta puthja në faqe, pranë një nishani; ajo nuk bëri zë kur unë i kërkova ta puthja pak. E putha, por jo në faqe pasi ajo u kthye për t’u puthur në buzë. Dolëm si të hutuar pas asaj puthjeje me shumë afsh dhe të gjatë. Pas dy ditësh arritëm të bënim dashuri në makinë. Vazhduam kështu disa ditë, u bënë disa muaj, ndërkohë që të dashurin e vet e largoi me lezet, siç kishte bërë edhe me të tjerët, siç do të bënte edhe me mua.

Në fakt i dashuri i saj dyshonte. Unë ndihesha keq. U mata t’i thosha disa herë, por mendova se ajo duhej t’ia thoshte se ishte ajo që më provokonte, ajo më puthte shpesh në faqe, më prekte nëpër duar e nëpër shalë, shkruante fjalë dhe poezi për mua në fletoret e kursit. Ju betohem, më besoni. Disa fjalë qarkullonin për këtë lidhje të fshehtë mes nesh.

Pasi ai u largua nga ajo, por jo me zemër - këtë e mendoj si të isha unë - ajo më afrohej dhe ndoshta mund të me ketë bërë ndonjë magji që ma mori mendjen fare, sa unë desha vetëm një shkak sepse, siç ju thashë, edhe unë isha gati të ndahesha nga familja ime, jo për shkak të saj por prej marrëdhënieve të këqija që kisha me gruan prej vitesh.

Filluam të dilnim bashkë nëpër rrugë, kafene, restorante, jashtë qytetit, e bëra pjesë të shoqërisë sime me dokumentacion, i dhashë postin e sekretares së përgjithshme dhe në aktivitetet jashtë qytetit e merrja me vete. Sa herë dilnim jashtë, ajo donte të flinte me mua, kuptohet edhe unë, edhe këtu në Tiranë kemi fjetur shumë herë natën nëpër hotele dhe motele.

Ju betohem, i harrova të gjitha, fëmijët, gruan, punën, shoqërinë, sa kjo e fundit po më shikonte me një sy tjetër (shoqëria) pasi u largova shumë prej punëve të mia publike.

Pasi dëgjuam historitë e njëri-tjetrit, mendoj se kjo vajzë shfytëzoi gjendjen brenda familjes sime, problemet e mia dhe një ditë më kërkoi si me shaka të martoheshim. Ishte e papritur! T’ju them të drejtën e pranova me atë histori aq të shëmtuar po dhe aq të dhimbshme, pasi unë jam një njeri me shpirt të madh dhe më erdhi mjaft keq, sa isha dhe jam gati akoma të bëj diçka për të, sepse ma mori zemrën, depërtoi thellë në damarët e mi, por që po ta mendosh thellë nuk ia vlen, pasi është dhe pak e fshehtë për sa i përket lidhjeve që ajo ka pasur.

Jo më larg se dje më tha: “E di që të lëndoj, por mendjen e kam akoma tek ai”. Tek ai që la para meje... Ato fjalë që ajo i lëshoi si pa të keq mua më ranë si bombë! Ishte ajo që bënte be e rrufe se nuk e donte, se i kishte shkaktuar shumë dhimbje në jetë dhe kishte bërë disa dështime me të. E pra, kjo femër për pak gjë më shkatërroi me familjen, desh më çoi vërtet në ndarje, por për hir të fëmijëve po e duroj ende këtë gjendje.

Kjo femër sot e kësaj dite po trajnohet dhe po mëson pa asnjë kokërr leku prej meje nëpër institucione të ndryshme dhe shkolla, ndërkohë që më thotë se nuk do të vazhdojë më me mua. E pra, ajo nuk e meriton, shumë shpejt do të marr disa masa për këtë femër mizore. Shpesh më thoshte: A ndahemi? Dhe vendoste ashtu vetë, derisa më sëmurte e shkoja në spital. Kur kisha lekë nëpër duar që i fitoja nga puna ose rroga ime, lëpihej e bëhej sikur ç’të ishte, por kuptova vonë se kishte hyrë për interes tek unë, për të më prishur nga nervat, për të më bërë gjysmë njeriu. Unë i fala gjithçka kisha, jetën, zemrën, gjakun, ia fala një femre që nuk di të respektojë të paktën. Për diçka më vjen keq, që mbeta viktimë e saj.

Më besoni, të nderuar lexues, unë vërtet kam bërë gabim, por fajtore është vetëm gruaja ime që nuk di si të trajtojë një mashkull, si ta respektojë, si t’u përgjigjet fëmijëve dhe kërkesave familjare. Ju lutem mos abuzoni me mua duke menduar keq, pasi isha i detyruar dhe nga mungesa e afrimitetit në familje, rashë në dashuri me një lavire të vogël, që mallkimi im do ta ndjekë hap pas hapi. Mallkim dhe vetëm mallkim paç në jetë! S.

Me këtë histori dua t’u tregoj atyre bashkëshortëve të rinj e të vjetër të bëjnë kujdes në jetë, në marrëdhëniet familjare, pasi pakënaqësitë të çojnë deri këtu, të mos bien dashuri me femra që nuk e kanë problem të thyejnë zemra. Nëpërmjet këtij shkrimi që pres me padurim të botohet i plotë kërkoj sugjerime, këshilla, jo ofendime, pse jo dhe një lidhje të re, me një femër të mirë, mosha dhe bukuria nuk ka rëndësi, por të jetë e pastër në histori dhe dashuri, pasi jeta ime familjare tashmë është e shkatërruar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.