Unë dhe gjithë të dashurat e tua...

Gazeta Paloma - - Front Page -

Përshëndetje miq të gazetës “Paloma”! Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 26 vjeçe nga një qytet i Shqipërisë së Mesme. Po ndaj edhe unë me ju diçka që më shqetëson.

Jeta ime ka pasur momente të lumtura, por edhe momente hidhërimi, që kanë lënë gjurmë në shpirtin tim dhe në jetën time e të familjes sime. Unë jam vajzë e vetme, e rritur me pekule nga dy prindër shumë të përkushtuar. Pas meje, ime më pati edhe një shtatzëni tjetër që nuk shkoi mirë. Më pas prindërit e mi nuk mund të kishin më fëmijë tjetër. Unë isha drita e syve të tyre dhe i ishin mirënjohës Zotit që më kishin. Këtë gjë e përsërisnin vazhdimisht. Ata u martuan në moshë të madhe dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që patën vështirësi për t’u bërë prindër. Kështu, prindërit e mi e vlerësonin maksimalisht rolin e tyre si prindër. Jua tregoj të gjitha këto që të kuptoni se ç’lidhje e fortë u vendos mes meje dhe prindërve. Ishim një treshe e pandarë. Nuk më ka munguar për asnjë çast mirëkuptimi dhe mbështetja e tyre. E ndiej veten me fat që kam pasur ata të dy.

Por jeta nuk ka veç gëzime. Im atë u sëmur rëndë. Kështu filluan vuajtjet për familjen tonë. Në fillim ma fshehën atë sëmundje të pashërueshme që kishte prekur tim atë. Deri sa një ditë ai vetë vendosi të më tregonte, që unë të përgatitesha për atë që do të ndodhte më pas. U përpoq që atë pak jetë që i kishte mbetur ta kalonte gëzueshëm, por gjendja e rëndë shëndetësore jo gjithmonë e lejonte që të bënte gjërat që donte. Për shembull, donte të bënte një udhëtim bashkë me mua dhe mamin. Gjithmonë kishte ëndërruar të shkonte në Paris, ashtu siç ëndërron kushdo. Dhe vendosi që me ato pak kursime të shkonim të tre. Por ja që gjendja fizike iu rëndua dhe ato pak para të kursyera duheshin për mjekime. Kështu, në mendjen time Parisi lidhet me këtë ëndërr të tim eti. Kur të shkoj atje, do të mendoj që po realizoj ëndrrën e babait tim.

Nuk kaloi shumë kohë dhe im atë, ashtu siç na kishin paralajmëruar edhe mjekët, u nda nga jeta. Pavarësisht se ai ishte përpjekur që të na përgatiste si mua edhe mamin për atë moment, ne e vuajtëm shumë. Ai ishte njeri aq i mirë, sa do t’i kishte munguar kujtdo, jo më ne të dyjave që e adhuronim. Ndarja nga jeta e tim eti na e ndryshoi jetën përgjithmonë. Shtëpia jonë, nga një vend i hareshëm u shndërrua në një vend të zymtë. Asgjë nuk kishte më kuptim pa babin. Hidhërimi i mamit ishte në maksimum. Ajo përpiqej ta mbante veten përpara meje, sepse një nga amanetet e babit ishte që mami të kujdesej për mua, të më largonte trishtimin e të ma bënte jetën të bukur. Ndërsa mua më kishte lënë porosi që të mos e mërzisja mamin, që t’i qëndroja pranë e t’ia zbukuroja jetën. I tillë ishte im atë. Mendonte gjithmonë për të tjerët. Donte të na shihte gjithmonë të lumtura. Për asnjë çast nuk u dëshpërua para nesh për faktin se jeta e tij do të mbyllej. “Çdo gjë që desha, unë e bëra në jetë”,thoshte, që të na i lehtësonte dhimbjen.

Vitet kalonin dhe unë me mamin u përshtatëm me një mënyrë të re jetese, më të qetë, më të shkëputura nga festat apo aktivitetet e tjera që ndiqnim kur ishte babi gjallë. Por edhe gjatë viteve që mbetëm të dyja, pati edhe gjëra të mira në jetën tonë.

Unë u njoha me R-në, një djalë që më bëri për vete dhe më fali plot gëzime. Lidhja jonë dita-ditës forcohej edhe më shumë. E njoha edhe me mamin. Kishim shumë ngjashmëri me njëri-tjetrin, duke nisur që nga mënyra se si ishim rritur deri tek dëshirat për të ardhmen.

Pas 3 vjetësh lidhje, u fejuam. Nuk bëmë festë sepse unë nuk dëshiroja. Nuk mund ta imagjinoja të festoja pa pasur babin pranë. Ai ishte i vetmi njeri me të cilin do të doja të gëzoja dhe pa të çdo gjë më dukej e kotë. As mami nuk mund të gëzohej pa pasur pranë babin, prandaj e shmangëm festën. Bëmë një drekë të thjeshtë, ku morën pjesë vetëm prindërit e tij, familja e vëllait të R-së dhe mami im.

Që nga ajo ditë kanë kaluar pothuajse dy vjet. R. hyri në shtëpinë tonë në momentin e duhur. Është bërë njeri i afërt edhe për mamin tim. Ajo e vlerëson shumë, sepse ai është djalë i përgjegjshëm dhe ka një zemër të madhe. Mami ndihet e lumtur që unë kam bërë një zgjedhje të mirë, ashtu siç do të kishte dashur edhe babi.

Para disa kohësh, R. më propozoi që të martohemi këtë verë. U gëzova shumë. Edhe unë dëshiroj të lidh jetën me të. Më tha që të takoheshim bashkë me prindërit e tij dhe mamin tim që të fillonim të bënim organizimin e dasmës. Por atë ditë kur u ktheva në shtëpi më kapi një ndjenjë ankthi. Sapo u takova me mamin, mendimet e mia u turbulluan. Mendova se si do ta lija mamin vetëm pasi të martohesha. Nuk kisha folur për këtë pjesë me R- në. Unë nuk mund ta lë mamin vetëm. E mora menjëherë në telefon dhe i thashë që të mos bisedonte me prindërit e tij, por të flisnim edhe njëherë bashkë. Kur u takuam të nesërmen, e pyeta se ku mendonte që do të jetonim ne të dy. Ai më tha se kishte menduar të merrnim një shtëpi të vogël për ne të dy. I thashë se nuk mund ta lija mamin vetëm. R. më tha se mund të merrnim një shtëpi pranë shtëpisë së mamit, por nuk kishte kuptim që të jetonim të tre. Tha se edhe ne duhet ta shijojmë martesën tonë. U përpoq të më bindte, duke më thënë se unë mund ta takoja mamin sa herë të doja dhe ajo mund të vinte në shtëpinë tonë kur të donte, por ishte më mirë që secili të kishte shtëpinë e vet. I thashë se nuk doja të martohesha sepse nuk mund ta lija mamin vetëm. Ai u revoltua dhe më tha: “Domethënë, ti thua se po nuk erdha unë kollovar, më mirë të mos martohemi?!”. U çua nga tavolina dhe iku.

E mora në telefon, por nuk më përgjigjej. Pas disa orësh që unë insistoja më çoi një mesazh, ku më shkruante: “Mendohu mirë se çfarë ke ndër mend të bësh përpara se të bisedosh me mua. Unë të kam respektuar ty dhe mamin tënd, por edhe unë kam nevojë të kem një jetë vetëm me ty”.

Kur shkova në shtëpi, mami më pyeti për R- në. I thashë se ishte në punë dhe nuk do të dilja atë ditë. Ajo e kuptoi se diçka nuk shkonte. Më pyeti, por nuk mund t’i thosha për diskutimin që kisha pasur me R- në sepse e dija që mami do të ndihej shumë keq. Ndoshta as mami nuk do të donte që unë me R-në të jetonim me të pasi të martoheshim, por unë nuk mund ta lija vetëm.

Të nesërmen e takova R-në. Ai priste që unë të kisha ndryshuar mendim. Në fakt, unë vazhdoj të mendoj se nuk mund ta lë vetëm mamin. I thashë që t’i shtynim planet për dasmën deri sa të biem dakord se ku do të jetojmë më pas. Ai u mërzit shumë. Më tha se mund të priste vetëm që unë të ndërroja mendim, por unë nuk duhej të prisja që ai të pranonte të vinte kollovar. Që nga ajo ditë jemi ftohur disi me njëri-tjetrin. Unë e dua me gjithë shpirt, por jam e pavendosur për të hedhur këtë hap.

E shkrova historinë time që të më jepni edhe ju një mendim. Çfarë duhet të bëj? A duhet ta lë mamin vetëm? Kam frikë se atë do ta mbysë dëshpërimi. Imagjinoni një njeri që ka pasur një humbje të madhe pak vite më parë, që mua më ka të vetmin gëzim, të përfundojë duke ndenjur vetëm! Sado që mund të takohemi gjatë ditës, në mbrëmje ajo do të kthehet në atë shtëpi ku ka vetëm kujtime dhe asnjeri me të cilin të mund të ndajë dy biseda. Një njeri që ka sakrifikuar shumë në jetë nuk duhet të përfundojë i vetëm.

Ndoshta R. nuk e kupton shqetësimin tim sepse ai i ka të dy prindërit. Prindërit e tij kanë njëri-tjetrin. Nuk mund ta kritikoj R-në për asgjë sepse ai na është gjendur mua dhe nënës sime sa herë kemi pasur nevojë. Por kaq e vështirë është për një mashkull ta bëjë edhe një sakrificë vetëm që bashkëshortja e tij të ndihet e qetë?

E shikoj që lidhja jonë po rrezikohet nga kjo situatë. Nuk dua që të ndahem prej tij sepse e dashuroj dhe e vlerësoj, por nuk di si të veproj. Situata ime është e veçantë, nuk është një rast si gjithë të tjerët. Ndoshta edhe të tjerë që kanë pasur një prind janë larguar nga shtëpia kur janë martuar, por ata mund të kenë pasur vëllezër e motra që të kujdesen për prindërit. Mami im më ka vetëm mua. Unë nuk jam nga ata fëmijë që i çojnë prindërit nëpër azile.

R. më ka vënë në një pozicion të vështirë, duke më kërkuar të bëj një zgjedhje. Unë do të doja të jetoja me të dy, por kjo duket se është e pamundur.

Ju faleminderit që lexuat historinë time! Mirëpres sugjerimet tuaja!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.