Dua të ble një shtëpi, cila është mënyra më e mirë e kërkimit?

Gazeta Paloma - - Front Page -

E kam burrin njeri të mirë, por nuk e dua më. Kam të drejtë të ndahem?

I nderuar avokat, dua të ndahem nga burri se nuk e dua më. A kam të drejtë të ndahem pasi ai nuk ka kryer ndonjë tradhti apo ndonjë gjë tjetër? Bruna.

-E nderuar lexuese, pyetja juaj është mjaft interesante dhe shtron për diskutim një temë shumë të gjerë teorike. Në këndvështrimin praktik ju keni të drejtë të zgjidhni martesën tuaj për shkak se nuk e doni më bashkëshortin tuaj. Pra, ky shkak është nga ata që mund të shërbejnë si bazë për të kërkuar zgjidhjen e martesës. Ju sqarojmë se ndjenja është një nga bazat e një martese dhe në çdo rast zë një vend relativ, pra ndryshon nga rasti në rast.

Në rast se ju nuk keni më ndjenja dhe pasi keni reflektuar lidhur me situatën tuaj keni arritur në konkluzionin se dëshironi zgjidhjen e martesës, ju mund të procedoni lidhur me këtë pa asnjë problem. Ju këshillojmë që të angazhoni një avokat për të ndjekur procedurat në mënyrë që të mund të arrini të zgjidhni martesën dhe të mbroni interesat tuaja në çdo aspekt.

Duke mos dashur t’ju inkurajojmë drejt vendimeve të nxituara dhe të pamenduara mirë, ju këshillojmë që të mendoheni seriozisht lidhur me këtë çështje dhe pasi të analizoni të gjitha rrethanat, pa ndikime të jashtme, të merrni një vendim i cili të jetë më i miri për ju. Besojmë se jeni sqaruar lidhur me pyetjen tuaj.

Jam e divorcuar në Kanada, ku të drejtohem që vendimi i gjykatës atje të ketë fuqi këtu?

I nderuar avokat, kam rreth 5 vjet që kam emigruar në Kanada. Atje u martova me një djalë nga Elbasani dhe kemi qenë të martuar për rreth 4 vjet. Gjendja u përkeqësua aq shumë sa nuk kishte më kuptim që të vazhdonim martesën. U ndamë dhe besoj se është më mirë kështu. Theksoj se martesa u lidh në Kanada. Tani dua të kthehem në Shqipëri sepse u bë kohë dhe dua që të zgjidh disa punë. Kam dëshirë që të bëj gjithashtu edhe njehsimin e vendimit të divorcit që është marrë në Kanada. Ju faleminderit për këshillën!

-E nderuar lexuese, vendimet gjyqësore të gjykatave të huaja duhet të vërtetohen sipas procedurës të përcaktuar në Kodin e Procedurës Civile në Shqipëri. Sipas këtij kodi, vendimet e gjykatave të shteteve të huaja njihen dhe zbatohen në Republikën e Shqipërisë, në kushtet e parashikuara në këtë kod ose në ligje të veçanta. Kur për këtë qëllim ka marrëveshje të posaçme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit të huaj zbatohen dispozitat e marrëveshjes. Vendimit të një gjykate të shtetit të huaj nuk i jepet fuqi në Republikën e Shqipërisë kur: a. sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në kompetencën e gjykatës së shtetit që ka dhënë vendimin; b. kërkesëpadia dhe letërthirrja për në gjyq nuk i është njoftuar të paditurit në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet; c. midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt e për të njëjtin shkak, është dhënë një vendim tjetër i ndryshëm nga gjykata shqiptare; ç. është duke u shqyrtuar nga gjykata shqiptare një padi që është ngritur përpara se vendimi i gjykatës së shtetit të huaj të ketë marrë formë të prerë; d. i është dhënë forma e prerë në kundërshtim me legjislacionin e tij; dh. nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar.

Kërkesa për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj i paraqitet Gjykatës së Apelit. Kërkesa mund të paraqitet edhe në rrugë diplomatike kur ajo është e lejueshme nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbi bazën e reciprocitetit. Në këto raste, në qoftë se pala e interesuar nuk ka emëruar përfaqësues, kryetari i Gjykatës së Apelit emëron një avokat për të paraqitur kërkesën.

Kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten: a. kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri; b. vërtetim nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, si edhe përkthimi e legalizimi noterial i tij. Si kopja e vendimit ashtu edhe vërtetimi se vendimi ka marrë formë të prerë duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë; c. prokura, në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i të interesuarit, e përkthyer dhe e legalizuar te noteri.

Gjykata e Apelit nuk e shqyrton çështjen në themel, por vetëm kon- trollon nëse vendimi i paraqitur nuk përmban dispozita që vijnë në kundërshtim me nenin 394. Për kërkesën e paraqitur, Gjykata e Apelit jep vendim.

Dua të ble një shtëpi, cila është mënyra më e mirë e kërkimit?

I nderuar avokat, dua të ble një shtëpi. Cila është mënyra më e mirë për të kërkuar, mund të më këshilloni? Me respekt, Tani.

-I nderuar lexues, ju interesoheni për tregun e pasurive të paluajtshme. Këshilla e parë që mund t’ju japim, që është edhe më praktikja, është të drejtoheni në agjencitë e pasurive të paluajtshme. Këto agjenci do t’ju informojnë lidhur me të gjitha detajet dhe elementet e këtij procesi. Një variant tjetër është drejtimi te shoqëritë e ndërtimit drejtpërsëdrejti. Ju mund të pyesni shoqëri ndërtuese lidhur me projektet e tyre dhe të negocioni një shtëpi drejtpërdrejt me ta. Një mënyrë tjetër është kontrolli i njoftimeve të shitjeve në disa gazeta që pasqyrojnë oferta tregtare lidhur me pasuri të paluajtshme.

Këto janë mënyrat më klasike dhe të zakonshme që përdoren për të gjetur një shtëpi. Ju këshillojmë që në të gjitha variantet të veri dhe të konsultoheni me një avokat për të garantuar transaksionin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.