Cila është shprehja që dëmton adoleshentin?

Gazeta Paloma - - Front Page -

Si e “ushqejmë” ne frikën te fëmija?

“Po më mërzit me këtë mënyrë sjelljeje”. “Mos vazhdo të sillesh kështu se do të mërzitem dhe e di ti pastaj”. Këto shprehje që përdoren rëndom nga nëna, baballarë dhe gjyshër do të ishte mirë të mos përdoren më. Ato nuk tregojnë gjë tjetër veçse padurimin dhe mërzinë e prindërve për të ndihmuar fëmijën të mësojë sjelljet e duhura që e ndihmojnë të rritet si i rritur dhe qytetar. Këto shprehje ushqejnë frikën dhe mbajnë gjallë te fëmija mosbesimin dhe ndjesinë e të qenit vetëm, edhe pse është i rrethuar nga të rritur. Frika nga prindërit dhe mosbesimi tek ata mbajnë gjallë konfuzionin dhe për pasojë paaftësinë për të marrë komanda dhe për t’i zbatuar ato. Kujdes, prindër dhe të rritur të tjerë!

Cila është shprehja “vdekjeprurëse” për adoleshentin?

Në adoleshencë, edhe pse njeriu ka mësuar apo më saktë e ka bërë të vetën konceptin e të mirës dhe të keqes apo rëndësinë e punës përsëri sjelljet e tij janë shumë impulsive. Ai nuk e ka të lehtë ta menaxhojë këtë formë energjie. Në këtë fazë të jetës i rrituri ka një rol vendimtar, me kushtin që mos të jetë paragjykuhes dhe mbi të gjitha të mos demonstrojë dijen e tij prej të rrituri që i di të gjitha. I rrituri duhet të shmangë shprehjen: “Të thashë, por nuk më dëgjove”. Kjo shprehje është “vdekjeprurëse” për adoleshentin. Është kjo shprehje që e shmang dhe e prish dialogun aq të rëndësishëm adoleshent-i rritur. Adoleshenti ka nevojë si për ajrin, për këtë dialog. Do të ishte ideale që i rrituri të ishte mësuesi shkollës ku adoleshenti bën pjesë. Familja, nëna, babai, edhe pse janë shumë të rëndësishëm për adoleshentin, kanë dalë në plan të dytë për faktin e thjeshtë sepse kështu zhvillohet cikli i rritjes. Fillon me familjen, periudha nga 0-13 vjeç, ku mer- ren bazat e edukimit dhe më pas vazhdohet me të mësuarin nëpërmjet njerëzve të tjerë me të cilët nuk ka lidhje gjaku. Është shumë e rëndësishme që i rrituri jashtë familjes të jetë një i rritur tolerant dhe i përgjegjshëm, pasi këtu janë premisat ku ndërtohet dhe merr vrull njerëzorja dhe qytetarja, të pranosh tjetrin si veten pa pasur lidhje gjaku.

Si e shohin botën prindërit dhe fëmijët?

Prindërit dhe fëmijët e shohin botën dhe e përftojnë atë në mënyra krejt të ndryshme. Shijet janë krejtësisht të kundërta. Ato që për të rriturit duken të bukura, për fëmijët nuk janë të tilla. Fëmija pëlqen një gjë që i vë mendjen në punë, që i nxit kureshtjen, që e nxit të lëvizë si me trup, po ashtu edhe me mendje. Kështu, mjediset e fëmijëve nuk duhen organizuar me shijet e të rriturve. Të rriturit kërkojnë qetësi, ndërsa fëmijët kërkojnë lëvizjen. P.sh., vizatimet në muret e dhomave të fëmijëve apo mjedise fëmijësh u bëjnë më shumë dëm sesa i kënaqin, pasi ato nuk ndryshojnë. Fëmijët kërkojnë gjithmonë diçka të re, për të njohur e zbuluar, po u ofruam gjëra të pandryshueshme biem ndesh me fiziologjinë e fëmijës, që është gjithë kohën në lëvizje dhe në transformim. Po iu ofruan gjëra fikse, fantazia e tyre do të ngurtësohet dhe nuk do të arrijnë atë zhdërvjelltësi, që u duhet për të vënë mendjen në punë, që nesër të jetë një i rritur, i zoti dhe dinjitoz dhe jo një njeri i vjetruar.

Mesazhi që i japim fëmijës kur e gënjejmë

Nëna duhet të shkojë diku, por nuk do ta marrë me vete fëmijën. Fëmija e ndjen se nëna nuk do të rrijë me të dhe nuk i ndahet. Nëna nervozohet dhe i thotë fëmijës: Mos bëj kështu!

Kur fëmija e pyet nëse do të ikë, nëna i thotë jo, edhe pse fëmija e sheh duke u veshur. Në këtë kohë hyn edhe gjyshja në lojë, dhe i thotë: “Hajde te gjyshja se do të të jap diçka”. Fëmija shikon me trishtim, nuk beson as njërën, as tjetrën, por nuk ka ç’të bëjë. Shkon te gjyshja dhe ajo i jep një çokollatë, ndërkohë dëgjon derën që hapet dhe mbyllet dhe fëmija kupton, që nëna iku dhe fillon të qajë me të madhe, përplas çokollatën, shkon me vrap te dera, por ajo është e mbyllur. Shkon te dhoma e nënës dhe ajo nuk është më aty. Këtë ngjarje, ku unë isha spektatore, e kam postuar tre vite më parë dhe për fat të keq, po sot, unë isha prapë spektatore e po të njëjtës sjellje të nënës dhe gjyshes me fëmijën. Të dyja, nëna dhe gjyshja, me gjakftohtësi dhe pa u menduar e gënjyen fëmijën. E keqja qëndron se prindërit, pasi i gënjejnë vetë fëmijët, i etiketojnë dhe pretendojnë që ata, fëmijët, të mos gënjejnë apo të jenë të edukuar. Sjellja është pasojë, të nderuar prindër dhe ndërtohet e fitohet në familje sipas shembullit që i ofrojnë vetë prindërit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.