Elhaida Dani shkëlqen në “The Voice of Italia”

Gazeta Shqiptare - Bluetooth - - SPECIALE -

Ka

mahnitur jurinë e “The voice” në Itali dhe publikun, këngëtarja shqiptare, 19-vjeçarja Elhaida Dani. Me interpretimin e këngës “Mama knows best”, Elhaida ngriti në këmbë jo vetëm publikun italian, por edhe anëtarët e jurisë së “The Voice”. Të mahnitur e të ekzaltuar nga fuqia dhe bukuria e zërit të këngëtares shqiptare, të mëdhenjtë e muzikës italiane, Raffaella Carra, Riccardo Cocciante dhe anëtarët e tjerë të jurisë nuk i kursyen fjalët për 19-vjeçaren nga Shqipëria, duke e cilësuar atë “një uragan”, “shkatërruese”, “të madhe”, “fantastike”, “një fuqi të natyrës” dhe më pas “luftuan” me njëri-tjetrin për ta marrë atë nën “kujdestarinë” e tyre. Tepër e emocionuar dhe shumë modeste, Elhaida zgjodhi Riccardo Coccianten, për të vazhduar rrugën e bukur në këtë spektakël, të pëlqyer shumë tashmë edhe në Shqipëri. Raffaella, pas zgjedhjes së trajnerit nga Elhaida, tha: Mister Cocciante, keni marrë në skuadër një bombë! Elhaida na bëri krenarë të gjithëve, jo vetëm me interpretimin e mahnitshëm, por edhe kur shqiptoi me zë të brishtë “Jam Elhaida dhe vij nga Shqipëria”. I urojmë sukses në rrugën e saj këngëtares sonë Elhaida Dani, e cila është tashmë shumë e njohur në Shqipëri nga interpretimi i këngës, me të cilën mori çmimin e parë në “Top Fest 9”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.