Triumfon bashkëpunimi me Edmond Tupen dhe “Çek Production” Renis Gjoka fiton “Netët e Klipit Shqiptar”

Gazeta Shqiptare - Bluetooth - - SPECIALE -

Këngëtari Renis Gjoka dhe videoklipi i prodhuar nga studio “Çek Production”, rrëmbyen sivjet trofeun e çmimit të madh në Festivalin e Videoklipit Shqiptar. Videoklipi i këngës me titull “Unë dhe Gogoli” u zgjodh unanimisht nga juria prestigjioze e festivalit, e cila sivjet përbëhej nga Mimoza Musaraj, Valter Qarri, Blendi Salaj, Gent Bejko dhe Rezarta Skifteri. Teksti i këngës “Unë dhe Gogoli”, është realizuar nga prof. Edmond Tupe dhe u kushtohet fëmijëve autikë. Ky ishte videoklipi i parë i prodhuar nga studio “Çek Production”, cilësia e të cilit u vlerësua maksimalisht. Nata gala e ndarjes së çmimeve, e cila u zhvillua në “Teatër Kame”, nisi me tapetin e kuq, mbi të cilin shkelën të veshur bukur emra të njohur e të suksesshëm të skenës. Produksioni i DELIART ASSOCIATION, nën drejtimin e regjisorit dhe producentit Petri Bozo, vlerësoi me plot 20 çmime, videoklipet e përzgjedhura nga juria. Për të dhënë këto çmime, në skenën e finales së festivalit ishin ftuar personazhe të rëndësishme, si Rajmonda Bulku, Elton Deda, Anila Basha, Ndriçim Xhepa, Floriana Garo, Ardi Asllani, Muharrem Fejzo, Gëzim Kame etj. Skena e festivalit u mbush me batuta dhe emocione, dhe u ndez nga performanca e Vëllezërve Korçarë e nga koreografia e Olta Ahmetajt. Në një transmetim të drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Publik shqiptar, finalja e “Netëve të Klipit” u prezantua nga Adelajda Xhamani, por në skenë u ngjitën për të bërë nga një prezantim edhe moderatoret ndër vite të këtij festivali, Çiljeta Xhilaga, Gerta Heta, Hygerta Sako e Kozeta Kurti. Çmimi “Klipi më i mirë në të gjithë komponentët”, u dha për fituesit nga drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Beci. E gjithë nata gala e ndarjes së çmimeve, por edhe minipuntatat janë realizuar nën kujdesin e bashkëproducentes Alda Bida, e cila bëri një punë të shkëlqyer. Pavarësisht të gjitha momenteve të veçanta, bukuria e mbrëmjes ishin vajzat konkurrente të “Miss Shqipëria”, të cilat sfiluan me fustane nusërie. Grupi Deliart, i cili paralelisht ka punuar për këtë event të rëndësishëm, do të sjellë në datën 22 qershor spektaklin e bukurisë “Miss Shqipëria 2013”, i cili këtë vit zhvillohet në Bylis.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.