SURPRIZAT E ‘GERALDINES’

Gazeta Shqiptare - Bluetooth - - SPECIALE -

Nuk është vetëm një sfilatë për të shfaqur modelet e reja të sezonit të dasmave, por dhe një shfaqje e vërtetë. Në dhjetëvjetorin e pasarelës së saj, “Geraldina Sposa” ka surprizuar sërish. Një nuse e vërtetë që ka çelur sfilatën, një performancë magjike e Aurela Gaçes dhe në fund fare, për ta mbyllur me madhështi, jo më një nuse nderi, por një çift nderi: Soni Malaj dhe Mirko Luccarelli.

SFILATA-SPEKTAKËL

I ka takuar një nuseje të vërtetë të çelë këtë vit sfilatën e “Geraldina Sposa”, duke nisur kështu një traditë të re për vitet e ardhshme: Xheni Shehu, e cila është martuar disa javë më parë në një dasmë madhështore, që e kishte planifikuar për një vit rresht. Në një dekor magjepsës, që është shfaqur në ekran teksa ajo sfilonte, Xheni ka veshur në dasmë tri fustane, Manuel Motta, LITURRI B dhe Elie by Elie Saab. Pikërisht me këtë të fundit ajo ka bërë kalimin e nderit në pasarelë, për të ruajtur nga dasma e vet, veç fustanit madhështor, edhe një kujtim të bukur. Privilegj ky që do t’i takojë çdo vit nuses që do organizojë dasmën më të bukur të vitit me “Geraldina Sposa”. Një tjetër element spektakli ka qenë kënga e Aurela Gaçes “Fati ynë, shpresë dhe marrëzi”. Ndërsa pret të kurorëzohet dhe vetë së shpejti, këngëtarja nuk i ka rezistuar ftesës së “Geraldina Sposa”-s të këndojë e veshur nuse në pasarelë. Pastaj pikën kulmore e kanë arritur ata të dy: Soni dhe Mirko, të cilëve u ka takuar surpriza e madhe e mbylljes së sfilatës. Një puthje e shkëmbyer fill pasi punonjësja e Bashkisë i ka shpallur burrë e grua dhe pastaj parakalimi nën tingujt e “Simply the best”. Fustani i Zuhair Murad ka pasur pjesën e vet në suksesin e këtij parakalimi.

FUSTANE TENDENCË

Veshje princeshash apo nuse romantike? Tradicionale e klasike, stili që nuk vdes kurrë, apo ekstravagante edhe për ditën më të madhe? Nga fustanet e dikurshme të nusërisë ka mbetur vetëm ideja, pasi të gjithë po eksperimentojnë në linjat, prerjet, ngjyrat dhe materialet. Çdo koleksion fustanesh në sallonin e “Geraldina Sposa”, veç veshjeve tradicionale, prodhon edhe veshje tendence, që provokojnë, pavarësisht se janë të rralla, pavarësisht se nuk i përshtaten shijes së shumicës. Meqenëse salloni furnizohet në linja të ndryshme ekskluzive në Itali dhe në Spanjë, krijon mundësinë që nuset të gjejnë një larmi stilesh. Në pasarelën e mbrëmshme kanë parakaluar fustane që nga stili i viteve ‘40 e deri tek vitet 2000. Këtë vit stilistët kanë propozuar edhe veshje të tjera, më të sofistikuara, të cilat shprehin më mirë personalitetin e asaj që e mban në trup. Pra një nuse që edhe në ditën e saj të veçantë nuk del nga stili i saj individual.

PASARELA E VAJZAVE TË NJOHURA

Veç modeleve profesioniste, më të kërkuarave të momentit, çdo vit në pasarelën e “Geraldina Sposa”-s parakalojnë dhe vajza të njohura të ekranit. Orinda Huta për shembull e ka një takim të përvitshëm me modelingun këtë; Floriana Garo, e “Jo vetëm modë”, këtë radhë e sheh nga brenda; Andresa Ambrosio e “Të dielës shqiptare” dhe Viola Spiro, velina e “Fix Fare”. Për modele profesioniste si Linda Poda apo Matilda Mecini kjo pasarelë është një nga të vetmet që zhvillohen në Tiranë ku ato kanë shansin të tregojnë profesionalizmin e tyre, ndërsa këtë vit janë shfaqur dhe dy imazhe të reja: Aurela Hoxha dhe Elena Lika, e cila, pas spektaklit të “Big Brother” që i dha famën, ka mundur të ketë kështu të parën mundësi për t’u shfaqur në profesionin e saj.

Ledion Liço, Arbana Osmani,

Xhemi Shehu, Lori Hoxha

Enada At Nikolla, Enada Hoxha & Gerd Vaso, Jonida Maliqi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.