Zbulohet biznesi i ri i Alketa Vejsiut

Gazeta Shqiptare - Bluetooth - - SPECIALE -

Alketa në biznes nuk është më një lajm i ri. Pas plotësimit në show-biz si promotorja, por edhe si producentja artistike e një prej patentave me sukses absolut global, “X Factor Albania”, Vejsiu ngacmon me surprizën e radhës. Në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ka ditë që hamendësohet mbi atë që do të sjellë “Class By Alketa Vejsiu”. “Bluetooth” zbulon risinë në detaje. Pas shumë tratativash, Vejsiu ia del të sjellë dy lider botërorë në tregun e fustaneve të mbrëmjes dhe nusërisë në Shqipëri dhe jo vetëm. Kontrata e ekskluzivitetit për këto dy brand-e sapo është mbyllur me sukses. Bëhet fjalë për “Mbretëreshat e industrisë”, Vera Wang dhe Jenny Pukham, të cilat së bashku me Aimme Montenapoleonen (sigla elitë e modës italiane), do të jenë pjesë e “Class Events” dhe “Weeding Planer”. Vera Wang vesh yjet e Hollywoodit, Jenny Packham ata të Mbretërisë së Bashkuar, përfshi dhe vetë Princeshën Kate Middleton. Sado dëshirë e mundësi ekonomike të kesh, nuk është e thjeshtë të tërheqësh vëmendjen për emrat e modës së lartë, ndërsa Shqipëria ende mbetet një treg pa interes. Megjithatë Vejsiu ia del gjithmonë. Të tjera marka plotësuese gjejnë vend në “Class”. Shumë prej tyre i keni hasur edhe në revista prestigjioze, duke filluar nga “Pronovias”, “Justin Alex- ander” e deri tek “Ronald Joyce”, në portofolin e të cilëve rrinë jo vetëm fustanet e nusërisë, por edhe ato të mbrëmjes, të denja për çdo tapet të kuq. Ky cikël plotësohet në detaj edhe nga produkte të tilla si: veshjet intime, getat, vathët, bizhutë, këpucët e çantat ceremoniale. Nga burimet tona, “Class” nuk do të jetë vetëm një “Super Sallon Multi Brand”, por një strukturë solide e cila do të ofrojë një paketë të plotë shërbimesh, të cilat do të kurojnë nga Aja tek Zh-ja eventet më të rëndësishme të individit dhe biznesit. Detajuar në procese konsulence dhe deri dekore të një standardi krejt tjetër. Për këto të fundit është ngritur një strukturë e veçantë brenda kompanisë. Luksin në këtë sallon mund ta paguash aq sa mundësi ekonomike të kesh. Projekti nuk përjashton asnjë portofol, përkundrazi, ka për qëllim të kënaqë të gjitha fashat e popullsisë, dhe kjo është edhe në themel të sloganit, “Class Is You”! Një pjesë e mirë e njerëzve e komplimentojnë në diskutimet sociale online për zgjedhjen e emrit, në fakt një mbiemër që duket se e identifikon Alketa Vejsiun prej ngahera. Kemi dëgjuar të thuhen shumë, por asgjë nuk tingëllon më mirë se: “Alketa është Class”! Lajmi tjetër i mirë vjen këtë herë për zotërinjtë. Carlo Pignatelli do të jetë në Shqipëri me kostumet super elegante. Dhe kështu do të mbyllë ciklin e “Class-it” Alketa Vejsiu që kulmon me dekore të papara. Dhe surpriza tjetër, një revistë. Alketa do të botojë një revistë “Class sipas Alketa Vejsiut” - për të jetuarin me class, veshjen, ushqimin, pushimin dhe sidomos komunikimin e tillë. Çudi si ia del me të gjitha! E aftë për të ndërtuar sisteme. Për të menaxhuar ekuilibrin midis “X Factor Albania”, edicionit të 3-të, dhe sfidës së re që po e bën të xhirojë botën e modës. S’mbetet veçse t’i urojmë suksese dhe jemi të bindur që do t’ju propozojmë të parët fotot ekskluzive të “Alketa Biznes”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.