Turqi- Gjermani, Merkel kërkon të ulë tensionet

Gazeta Shqiptare - - KERCENIMI -

Pas përfundimit të pushimeve verore, kancelarja gjermane Angela Merkel dha deklaratën e parë për sa u përket marrëdhënieve me Turqinë. Merkel deklaroi se do dëshironte raporte më të mira dhe përdori termin "fazë shumë e komplikuar" për të ilustruar raportet mes dy vendeve, por tha se qëndrimet e reja ndaj Turqisë lindin si rrjedhojë e veprimeve të Ankarasë. "Rishikimi i raporteve me Turqinë ishte i domosdoshëm për shkak të arrestimit të shtetasve gjermanë", - u shpreh Merkel. Nuk dihet ende nëse do të ketë ulje të tensioneve, por kancelarja gjermane la të kuptohej se kjo nuk është në dorë të Gjermanisë. "Përmirësimi i raporteve varet nga respektimi i rregullave të shtetit të së drejtës. Në këtë moment kjo nuk po ndodh në Turqi dhe, veç kësaj, është edhe kërkesa e qartë që gjermanët e arrestuar për shkaqe politike të lirohen menjëherë", - shtoi Merkel. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme gjermane, në Turqi po mbahen nën masa arresti 10 shtetas gjermanë, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yucel dhe Mesale Tolu, si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Peter Steudtner.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.