RIKTHEHET "XHEJN ER"/ BOTOHET "DETI I PAANË I SARGASEVE" NGA JEAN RHYS

Gazeta Shqiptare - - KERCENIMI -

"Drejtësi, e kam dëgjuar këtë fjalë. Është një fjalë e ftohtë akull. E provova. E shkrova në një copë letër. E shkrova disa herë dhe gjithmonë më dukej si gënjeshtër e akullt. Drejtësia nuk ekziston."

"Deti i paanë i Sargaseve" është një roman i shkëlqyer, që shlyen pengje, që ngrihet mbi rrëfimin, i shndërruar nga një vetëdije e jashtëzakonshme. Gjatë gjithë jetës së saj, Jean Rhys u përpoq të kuptonte se çfarë ndodhte midis grave dhe burrave, dhe nga këto reflektime lindi një pasuri e brendshme, përfytyrimi i fuqishëm e pothuajse vegimtar i një "Xhamajke", ku dituria lulëzon në ligësi rrezatuese, ku injoranca mundëson mashtrime të tmerrshme dhe ku njerëzit sakatojnë e shkatërrojnë pasi e kanë frikë njëri- tjetrin", ka shkruar "The New York Times".

Me përkthimin e Anxhela Cikopanos, romani "Deti i paanë i Sargaseve" nga Jean Rhys është botuar në shqip nën logon e "Botimeve Pegi"

Antuaneta është një trashëgimtare kreole, një jetime e bukur dhe e vetmuar, që ka lindur dhe jeton në Xhamajkë, në periudhën fill pas ndalimit të skllavërisë. Ajo rritet në këtë parajsë tokësore, ku nuk ka asnjë idil, por vetëm një diell mbytës, një skamje rrëqethëse dhe një padituri vrastare. Në këtë ishull zhgjëndërr, ajo martohet pothuajse me mblesëri me Eduard Roçesterin, djalin e dytë të një aristokrati anglez, i cili po kërkon një bashkëshorte me prikë të majme. Emri i Roçesterit nuk është i ri për lexuesin: ky pothuajse çunak mban të njëjtin emër të atij zotërisë së rreptë, burrit të rëndë, pas të cilit do të dashurohet Xhejn Eri, vite më vonë. Si arriti ai, Eduardi, i ri, i çiltër dhe i sinqertë të shndërrohet në një burrë të ashpër e makiavelik? Si arriti ajo, Antuaneta, e bukur, tërheqëse dhe e lirë, të shndërrohet në një makth të fshehtë?

Historia e rrëfyer në këtë roman është prelud i historisë klasike e të paharrueshme të Xhejn Erit. Autorja përfytyron Roçesterin para se ai të bëhej punëdhënësi manipulues i Xhejnit, por mbi të gjitha, ajo rrëfen se kush ishte bashkëshortja e tij e marrë, para se të shndërrohej në atë përbindëshin e fshehur që fanitet netëve në Thornfilld. Ky roman mbresëlënës u jep zë historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura, duke eksploruar dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria. I përfshirë rregullisht në listat e ndryshme të përpiluara anembanë botës, për librat që duhen lexuar, të paktën një herë në jetën tuaj, ( Modern Library - 100 librat e përzgjedhur nga bordi drejtues; The Telegraph - 100 librat që të gjithë duhet të lexojnë; Time Magazine - All- Time 100 novels; Goodreades - 100 librat që duhen lexuar para se të vdesësh), ky roman ka zënë pa dyshim vendin e tij në klasikët modernë.

Autorja Jean Rhys, ( 1890 - 1979) lindi dhe u rrit në Republikën Dominikane, deri në moshën 16- vjeçare. Më pas ajo jetoi në Angli. Shkroi dhe botoi mbi dhjetëra vepra letrare, ndër të cilat, "Deti i paanë i Sargaseve" ( 1966) i dha fame ndërkombëtare.

Në foto: Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.