Pa dilema: Të gjithë barinj e politikanë, askush peshkatar

Gazeta Shqiptare - - KERCENIMI -

fruta deti të ngrira që vijnë nga Greqia.

Është rregull: do të korret ajo që është mbjellë. Ndaj në këtë zonë, por dhe kudo gjetkë në Shqipëri, janë “mbjellë” delet për t’iu ngrënë qengjat dhe kanë lindur dhitë për të konsumuar mish keci. Sepse në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dilemë për të zgjedhur mes dy zanateve; bariut dhe peshkatarit. Nuk ka pasur asnjë hezitim për të zgjedhur mes shajakut të bariut dhe çizmeve të peshkatarit, mes fyellit lozonjar dhe rremit të ashpër të varkës, mes gjumit në hije të lisit dhe zgjimit të ftohtë në mesnatë, mes shëtitjes në pyll me qen stani në krah dhe lundrimit në dallgë mes errësirës, mes dhallës së ftohtë dhe supës së peshkut, mes supit nën armë apo fuzhnjës së rëndë metalike.

Veç këtyre diferencave që i bëjnë këto dy zanate kaq të ndryshme, ka pasur dhe shumë arsye të tjera që kullotja e bagëtive në mal është një sport kombëtar përpara peshkimit në det. Të jesh bari është fare e thjeshtë. Është një zanat që e nxjerr mishin, qumështin, leshin lehtësisht dhe me një rrezik pothuaj zero. Dhe, mbi të gjitha, atë mund ta ushtrojë edhe një njeri i vetëm. Zgjimi vërtet bëhet me sabah dhe me të lindur të diellit, por në pyll gjumi është mjaltë i ëmbël. Bariu mund të flejë, ndërsa punën e tij, herë pa u ndjerë dhe herë me të lehura, por gjithmonë me besnikëri, e bën qeni, miku i tij besnik me të cilin, në raste të veçanta, edhe mund të shkëmbehet ndonjë llaf sa për të luftuar mërzinë e vetminë.

Kurse puna e peshkatarit është shumë më e vështirë. Sepse duhet të dish së pari. Sepse duhet të bëhen bashkë në një mendje shumë njerëz. Duke filluar me atë që pret pemët, me atë që i stazhionon ato si lëndë e parë për varkën, me atë që e ndërton varkën, me atë që end velën dhe thur rrjetat dhe me të gjitha këto bashkë, jeta në det është e vështirë dhe nuk e bën dot kushdo. Duhen përmbushur dhe ca kritere të tjera. Për shembull, duhet së paku të kesh parë babanë e xhaxhanë që të hyjnë në det dhe të kesh njohur gjyshin, i cili gjithashtu dinte e bënte not për të punuar e për t’u argëtuar dhe njihte edhe yjet për t’u orientuar.

Shto këtu që peshkimi është një punë që bëhet kryesisht natën, në ujë, në errësirë dhe në shenjën e rrezikut që përgjon mbas çdo dallge që mund të jetë kurth, mbas çdo puhize që mund të shndërrohet në furtunë. Mund të mos jetë i nevojshëm shkrimi e këndimi, por duhen njohur me patjetër pozicionet e hënës dhe kapriçiot e çdo stine.

Ndaj nuk duhet të ketë asnjë çudi që edhe në Vlorë zakonisht shërbehet mish i freskët nga stanet e Dukatit dhe të Tepelenës, sa kohë që peshku në meny ose është i jashtëm, ose është peshk i kultivuar. Vetëm kocë e levrek, që rriten siç rritet në tokë domatja, qepa apo preshi, bima tjetër fluturake vendase. Të cilat, edhe nëse nuk bëjnë kënd për të qeshur, mund të bëjnë gjithkënd për të qarë kur ende dhe sot, lehtësia e padurueshme e zgjedhjes së të lehtës, të përkohshmes, vetjakes e vetanakes, është mbret në këto vise. Është koha që Shqipëria të kthejë sytë nga deti, duke kujtuar se për turp të të gjithë shqiptarëve është i vetmi vend në botë që nuk ka asnjë anije me flamur shqiptar. Është koha që duhet kuptuar se rrugët mbeten rrugëve nëse në hyrje të tyre, në Vlorë, Durrës e Shëngjin nuk rindërtohen portet. Është koha për të kuptuar se duke qenë vetëm barinj sigurohet buka, por nuk ndërtohet dot shteti komunitar. Përkundër legjendave dhe miteve heroike të së shkuarës, legjenda e të përditshmes, e frymëzuar nga çdo votues dhe e pranuar nga çdo i votuar, është miti i atij që ngryset i varfër, duke ëndërruar të zgjohet milioner me loton e fituar, është historia e çdo impotenti nga takati, që beson se meriton hareme plot dritëhije e mëndafsh, është përditshmëria e çdokujt që nuk di të shkruajë emrin e tij pa gabime dhe është i bindur se është politikan. Është mungesa e dilemës në zgjedhjen: bari në mal apo peshkatar në det!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.