Memo për kritizerët e arsimit

Gazeta Shqiptare - - KERCENIMI - Nga Pëllumb Karameta

( vijon nga faqja 1)

... të punës së mësuesve dhe drejtuesve, vlerësimit të performancës së tyre apo për përsosjen e procedurave të punësimit në arsim, i kam çmuar si shqetësime të vyera qytetare. Reflektimi për sfida të tilla i bën nder çdo qytetari, prindi, studiuesi apo punonjësi arsimor. Ndërkaq, ankesa, pretendime, sharje, etiketime deri fyerje banale nga më të ndryshmet, pa iu referuar asnjë burimi serioz informimi, rasti apo prove të verifikueshme, u ofruan përmes mediave të shkruara, statuseve të ndryshëm, apo në emisione televizive muajt e fundit. Kontribute si këto, që ofrohen nga kritizerë delirantë dhe të paditur, por me qëllime të caktuara vetjake, aspak dashamirëse ndaj shkollës, mësuesve dhe arsimit në tërësi, cenojnë imazhin dhe veprimtarinë e shkollës shqiptare, të mësuesve dhe të drejtuesve të tyre.

Në vijim, të dhëna dhe prova ofrohen si informacion rreth ndryshimit që po ndodh në arsim. Përkitazi, ato do mund të shërbejnë edhe si memo për kritizerët e arsimit ( deputetë ose ish- të tillë e me radhë).

1. U kujtoj këtyre se, gjithë sa ofruan reformat, në periudhën 2004 - 2013, në vend të ndryshimit të dëshiruar, i detyruan nxënësit dhe studentët t’i përshtaten një kallëpi të vjetruar pedagogjik. Dhe nuk ishte vetëm individi që vuante nga trysnia e këtij kallëpi, më së pari, e mbi të gjitha, vuajtën kurrikulat, formimi i burimeve njerëzore, zhvillimi profesional, kërkimi shkencor etj., që i bënë fëmijët dhe rinjtë të kërrusen për t’iu përshtatur këtij kallëpit, me sa mund ta bënin këtë gjë. Analiza e ekspertëve tanë, në kuadrin e përgatitjes së “Strategjisë 2014- 2020”, provoi, pa asnjë mëdyshje, se elementët e logjikës së funksionimit të sistemit arsimor i takonin logjikës pedagogjike të shekullit të shkuar. Në sistem mbizotëruan tekstet e shtypura, të shpërfytyruara sa më s’ka nga politika e altertekstit dhe prania në treg e 31 shtëpive botuese (!) tipike, mësimet riprodhuese rutinë në mjedise shpesh të mbipopulluara, pa mjetet dhe burimet që krijojnë situatat tërheqëse, argëtuese dhe të kuptueshme nga nxënësit, pa teknika dhe strategji që nxitin ve- primin e individit, imagjinatën dhe inteligjencat e shumëfishta, kureshtjen, kënaqësinë dhe shpirtin e aventurës. Ky kallëp i vjetruar solli ditët mësimore të mbingarkuara me elemente pa vlera; mungesën e përkushtimit dhe të vëmendjes së nxënësit; sjelljet e paqarta jo profesionale dhe pandjeshmërinë ndaj nevojave të nxënësve / studentëve etj. Nga shkeljet e ligjit ndër vite, u punësuan 1984 mësues pa arsim përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit që ndikuan në cilësinë e formimit të 177 mijë nxënësve, në mbarë vendin. Edhe me ligjin e arsimit para universitar, drejtues shkolle, i cili drejton, menaxhon procesin pedagogjik, personelin dhe burimet financiare të siguruara nga shkollat, mund të bëhet mësuesi me 5 vjet përvojë (!). Arsimi ynë, kësisoj, përjetoi vuajtjeje të pashembullta. Të ashtuquajturat reforma nuk mundësuan aspak cilësinë e kërkuar dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

2. U kujtoj të interesuarve, gjithashtu, se ndryshimi filloi, në vitin 2014, me reformimin e kurrikulës së arsimit para universitar, si zemra e këtij sistemi. Procesi është revolucionar për nga natyra, pasi ndryshon bazën epistemologjike, teorinë e hartimit të kurrikulës, metodat dhe teknikat e reja të nxënies dhe të vlerësimit të arritjeve etj. Reformimi po zhvendos progresivisht theksin nga nxënia e dijeve të teksteve si qëllim, te përgatitja e nxënësve për të bërë gjëra me njohuritë e ndërtuara ( arsimi për kompetencat). Zhvendosja nga shkolla që të aftëson të njohësh, drejt shkollës që të përgatit të veprosh siç duhet, kërkon mësues e drejtues të aftë dhe përdorimin nga nxënësit të burimeve të reja që i ndihmojnë ata të ndërtojnë njohuri të reja dhe të kompetencat për jetën dhe punën, në çdo nivel të sistemit arsimor, çka përbën sfidën kyçe të reformës kurrikulare, objektivin e saj. Në këtë kontekst, po reformohen të gjithë elementet që jetësojnë kurrikulën e re zyrtare në praktikën shkollore. Për këtë, u realizuan 400 tryeza diskutimi, ku u përfshinë 4.000 mësues dhe u organizuan 5 konferenca kombëtare për reformën kurrikulare. Produkti: 80 programe mësimore të reja, të bazuara në kompetencat europiane, çka po lehtëson ngarkesën mësimore për rreth 400 mijë nxënës. Për herë të parë në Shqipëri, kurrikula e re u pilotua në 26 shkolla të vendit, përpara se të zbatohet në sistem dhe, vetëm në vitin e parë, 20152016, u trajnuan 27.258 mësues dhe drejtues. Për të shtjelluar më tej idenë, nga shembujt e shumtë që ilustrojnë përmasat e ndryshimit, po veçoj dy syresh.

a) Politikën e re për burimet e nxënies, përfshirë tekstet shkollore. Pas përfundimit të fazës së parë ( reduktimi i alternativave dhe certifikimi i tekstit pas 1 vit pilotimi etj.) po marrin jetë elementet e fazës së dytë: përdorimi nga nxënësit i një grupi të ri burimesh ( të shtypura, elektronike apo jetësore). Sa u takon teksteve shkollore, si një nga këto burime, ata priten ta plotësojë cilësisht funksionin e tyre, vetëm kur të arrijnë të jetësojnë realisht kuptimin për tekstin alternativ. Pra, kur t’u referohen, sa më mirë të jetë e mundur, nivelit, kërkesave dhe interesave të nxënësve për të cilët hartohet. Kështu, p. sh., për formimin matematik, sot, në botë, një alternativë për një fushë nxënieje/ klasë të caktuar ndihmon nxënësit të kalojnë më lehtë nga niveli konkret, në atë figurativ dhe më pas në nivelin e mendimit abstrakt ( seritë e Singaporit); një alternativë tjetër nxit ndërtimin e operacioneve mendore të përfshirjes, zbulimit, shqyrtimit dhe të ndërlidhjes së gjërave ( seritë e “Oxford International Primary Maths), sikundër, një e tretë, ndihmon kuptimin e nxënies dhe e përforcon atë përmes veprimtarive me shkrim, veprimeve praktike dhe diskutimeve në grup ( seritë e “Nelson International Primary Maths”).

b) Reformimi i sistemeve që sigurojnë mësues dhe drejtues profesionistë, aktorët kryesorë të jetësimit të kurrikulës zyrtare. Sistem të tillë janë: 1) formimi fillestar, 2) punësimi dhe promovimi, 3) zhvillimi profesional i vazhduar, 4) vlerësimi i performancës. Në gjendjen siç ishin, këtyre sistemeve, u mungonte bazamenti teorik, koherenca dhe mbështetja në përvoja të mira botërore. Ndaj, reformimi i tyre ka nisur me ndërtimin e modeleve që orientohen nga standardet profesionale ( të përmbajtjes dhe të performancës). Konceptuar kësisoj, modelet e reja gjejnë bazamente teorike domethënëse. Ripërcaktohen rolet/ përgjegjësitë e aktorëve dhe baraspeshohet struktura kurrikulare me fleksibilitetin që mban parasysh ndërlikimet e njohura të punës mësimore. Në ndërtimin e modeleve po mbahet parasysh ligji për arsimin e lartë, që unifikon 80% të kurrikulës të fakulteteve të edukimit. Shtoj, këtu, për ndonjë kritizer se, përmirësimi sistematik i procesit të licencimit dhe i zbatimi i standardeve të reja për trajnimin dhe për vlerësimin e performancës, u parapri nga pezullimi i veprimtarive të agjencive që ofronin shërbime arsimore, për shkak të shfaqjeve aspak profesionale, në disa raste dhe korruptive, që shoqëruan aktivitetet e organizuara prej tyre.

A jemi në udhën e duhur? Kujt mund t’i besojmë për këtë? Kritizerëve të palodhur, apo raportit të OECD për edicionin PISA 2915 dhe raportit të ekspertëve të UNESKO- s? Unë zgjedh të dytët. Nëse raporti i OECD- së konstatoi ngritje me 20 vende të nxënësve 15 vjeçar, raporti UNESKO- s, i prezantuar në prill të këtij viti, konstatoi se sistemi ynë arsimor ka pësuar ndryshime të prekshme; ka modernizuar kurrikulën, ka zhvilluar kapacitetet në sistem, po përmirëson sistematikisht përfshirjen e fëmijëve në arsimin e detyruar, si dhe po përshtat objektivat e politikës arsimore kombëtare me kuadrin europian dhe atë ndërkombëtar.

c) Po u kujtoj, së fundmi, kritizerëve të arsimit tonë të vërtetën e madhe, sipas të cilës për ndryshimet në arsim nuk ka “shkop magjik”. Kjo e vërtetë ka pjesë të saj idenë se shoqëria jonë nuk mund të evoluojë dhe të përgatitet që të sfidojë devijimet që e pështjelluan jo pak, pa riorganizuar themelet, pa ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet e reja. Kjo, më së pari, kërkon një vizion imponues për nxënien në shekullin e ri. Vizion që duhet komunikuar me pasion dhe përkushtim nga të gjithë, për t’u konkretizuar në të gjitha nivelet e sistemit. Sepse arsimi është një nga kapacitetet vetjake kyçe me të cilin njerëzit mundet të ndryshojnë botët e tyre. Reformimi i tij, në brendi, strukturë dhe formë, synon atë arsim që i përgatit të rinjtë dhe të rejat për kohët kur fushat e betejës do të kthehen në fusha tregtare; kur mendjet e tyre do të kthehen në hapësira idesh; kur hapësira arsimore shqiptare të mos diskriminohet, por të ndajë me hapësirën europiane të njëjtat cilësi, vlera dhe qëndrime.

Tiranë, më 29.08.2017

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.