Ekstradohet i dënuari për plagosje, ngjarja për arsye politike

Gazeta Shqiptare - - CEREMONIA -

Autori

i plagosjes së ndodhur 4 vjet më parë, Arjanit Dino, 46 vjeç, është ekstraduar dje nga Milano e Italisë drejt vendit tonë. Dino, nga Ballshi i Fierit, më 12 qershor 2013, në një lokal ku ka pasur të pranishëm edhe klientë, pas një konflikti për motive të dobëta ka plagosur në këmbë me armë zjarri pistoletë shtetasin B. L., bëjnë me dije burime zyrtare nga policia. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin penal datë 24.09.2013, e ka dënuar me 4 vjet e 3 muaj burg, për kryerjen e veprave penale "Plagosje e lehtë me dashje", "Prishje e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve". Sipas hetimeve të prokurorisë, plagosja është bërë për motive politike. Nga hetimet ka rezultuar se Dino së bashku me të dëmtuarin Bilal Lamaj, rreth orës 10: 30 kanë shkuar te një lokal loto- sporti në qytetin e Ballshit. I pandehuri Dino dhe Lamaj, shokë me njëri- tjetrin, janë ulur në një tavolinë në afërsi të banakut të këtij lokali. Gjatë bisedës, Arjanit Dino i ka kërkuar Bilal Lamajt që të ndihmonte të motrën e tij, E. D., gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, pasi ajo kandidonte nën siglën e një partie. Bilali i ka kujtuar Arjanitit një borxh prej 4000 eurosh që i pandehuri i detyrohej prej kohësh të dëmtuarit. Ai i ka thënë Arjanitit se nuk mund ta përkrahte motrën e tij, pasi ishte pozicionuar në një krah tjetër politik, kurse paratë i kërkonte sa më parë, pasi kishin qenë shokë me njëri- tjetrin dhe kjo gjë nuk i dukej e hijshme. I pandehuri është nervozuar, dhe pasi është ngritur në këmbë, në moment ka nxjerrë nga çanta një pistoletë dhe me të ka qëlluar një herë në këmbë Bilalin. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Një vit pas plagosjes për fushatën zgjedhore, Dino ka shkuar në Itali, ku ka rënë në kontakt me një grup të strukturuar kriminal në zonën e Abrucos. Atje ai ka nisur të merret me prostitucion dhe trafik droge. Dino u arrestua disa muaj më pas, bashkë me dy vëllezër shqiptarë dhe një rumun. Ata ishin martuar me shtetase moldave dhe i shfrytëzonin për prostitucion. Dinos iu gjet edhe një sasi e konsiderueshme droge.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.