Agron Tufa:

“Krijimi është nishani i identitetit tim si njeri”

Gazeta Shqiptare - - CEREMONIA -

që e konkurron, e eklipson e madje e fshin realitetin konkret. Më së paku, e relativizon atë, sado qoftë ( siç ka qenë) i pa gëlltitshëm. Kur i dorëzohesh letërsisë, i je dorëzuar botës së ëndrrave.

Letërsia është më shumë pasion apo profesion?

Është pasion, e vetëm pasion. Profesion bëhet kur me të fiton jetesën, por profesioni nuk arrin të bëjë letërsi pa pasur në thelb pasionin. Tjetër është kur ajo bëhet dhe profesion. Atëherë profesioni vihet në shërbim të pasionit, si artizanat. Por prapë, profesioni është shkencë ( craft), ndërsa pasioni në letërsi është art. Për mua letërsia ka nisur si pasion, e shumë më vonë, me mbarimin e studimeve të gjata brenda e jashtë Shqipërisë, është bërë dhe profesion.

Cilës nuk do t’i ndaheshit kurrë auditorit apo shkrimit?

Shkrimit, mendoj. Auditori nuk është një gjendje defenitive dhe sidomos, nuk është në dorën tënde. Ndonëse ata nuk e përjashtojnë njëri- tjetrin, nëse do të duhet të zgjidhja, sipas ndonjë situate të imagjinuar ekstremale, atëherë do të zgjidhja shkrimin. Nuk mund të jetë ndryshe. Krijimi është nishani i identitetit tim si njeri.

Numërohen në krijimtarinë tuaj një sërë librash. Cili është i preferuari juaj?

Kjo është si puna me fëmijët. Në përgjithësi nuk është e drejtë të bësh dallime, por dihet, se çdo prind e ka fëmijën e tij të preferuar. Unë nuk kam një libër, nëse do të duhet ta kallëzoja, por kam zhanër. Midis poezisë dhe prozës, gjithmonë kam zgjedhur poezinë, thjesht se ajo më përfaqëson më saktë, jo vetëm pse ka qenë e para.

Është më e thjeshtë të shkruash poezi apo prozë?

Asgjë nuk është e thjeshtë. Është krijim dhe unë nuk bëj dallim në muzën e prozës nga muza e poezisë. Mendoj se është çështje mjetesh shprehjeje. Mendoj se është shpërngulje e mjeteve shprehëse nga njëri zhanër në tjetrin, ndërsa ti je po i njëjti krijues. Shpesh gjendje të poezisë kalojnë në prozë dhe anasjelltas. Poezia, për vetë natyrën e thukët të mjeteve shprehëse, për vetë ekonominë e ligjërimit, të jep më shumë ngazëllim kur ia qëllon. Por ajo kërkon mund, kërkon momentin inkandeshent, kërkon një tejndehje të të gjitha shqisave dhe punës së meditimit, prandaj dhe nuk është një gjendje e shpeshtë. Një vëllim i mirë me poezi është gjithmonë më superior nga një roman. Për t’u bërë një libërth i hollë me poezi, përpos kushteve që përmenda më sipër, duhet të kesh shtrydhur mirë rafte e biblioteka me libra. Është i gabuar përfytyrimi se një prozator i mirë, është më eruditiv se një poet i mirë.

Çfarë këshille u jepni të rinjve që shkruajnë?

Atyre që shkruajnë dhe atyre që duan të shkruajnë u jap gjithnjë një këshillë: Lexoni! Njiheni mirë poezinë popullore të vendit tuaj, njiheni mirë poezinë e kultivuar të vendit tuaj në të gjitha traditat dhe, sidomos, njihini mirë mjeshtrit e mëdhenj të traditave të shekujve të letërsisë së huaj. Pa i njohur këto, ju nuk mund të abstragoni kurrsesi. Sepse çdo tekst i shkruar ka me mijëra lidhje të padukshme me traditat amtare e të huaja para jush. Nëse nuk e keni cilësi të karakterit dhuntinë për t’u habitur, lëreni më mirë këtë zeje.

A keni tentuar të synoni tregun e huaj me librat tuaj?

Jo, lavdi Zotit! Puna ime mbaron me krijimtarinë time në gjuhën shqipe. Dhe e quaj të jashtëzakonshme të shkruash shqip, në këtë gjuhë që ka mundur të mbijetojë midis mundësive të shumta për t’u zhdukur. Nuk dua asnjë sekondë të merrem me atë, që s’e kam në dorë, tregun e brendshëm e të jashtëm. Puna ime merr fund me botimin e librit. Gjithçka tjetër është botë menaxhimi, e unë s’ia them fare si menaxher.

A lexojnë shqiptarët letërsi?

Gjithmonë kanë lexuar. Edhe sot ka lexues, ndonëse sfera e leximit ka ndryshuar me kohë. Ajo nuk është pakësuar, por është elitarizuar. Kanë ikur prej saj lexuesit e lehtë e të sipërfaqshëm, dezertorë, që kanë pasur lidhje të dobëta me të. Mendoj se i kanë bërë nder të madh leximit.

Ku zgjodhët të pushonit këtë verë ?

Si gjithmonë, në Jug, edhe kësaj here në Borsh.

Sa kohë u kushtoni fëmijëve?

Thuajse gjithë kohën pas pune. Jam tip që kurrë nuk dal, kurrë nuk lë takime, nuk shkoj nëpër aktivitete. Rri me kalamajtë, në shtëpi apo në udhëtime, në shëtitje apo duke mësuar me ta. Ata janë gjithçkaja ime, personazhet kryesorë ku vërtitet përdita dhe përnata ime.

Sa e vështirë është që dy letrarë të jetojnë bashkë?

Ka megjithatë të mirat e veta. Më shumë ndihmon, se pengon. Ime shoqe është bashkëpunëtore dhe ndihmë e madhe. Ajo është lexuesja, redaktorja dhe korrektorja e librave të mi. Mundohem që edhe unë të jem i ndërsjellët.

A do të donit që fëmijët të ndiqnin hapat tuaj?

Jo të gjithë. Po edhe nëse jo, nuk është ndonjë humbje. Të paktën dikush prej tyre do të doja të përfshihej në këtë pasion. Por kjo nuk bëhet me dëshira.

Si është një ditë e zakonshme për ju?

Përpjekje e pandërprerë për të pasur nën kontroll kohën, axhendën dhe harmonizimin e punëve. Është një përditshmëri shqiptare e rëndë, rraskapitëse, shpesh me zhgënjime e gurë nën rrota.

Ka diçka që do donit ta ndryshonit nga rrjedha e kohës?

Jam pajtuar me rrjedhën e kohës, ndonëse gjithmonë kam ëndërruar shumë, nëse kjo do të ishte e mundur. Do të doja të rikthehesha në adoleshencë, për të korrigjuar disa gjëra, që i kisha të pamundura për t’i bërë asokohe. Do të kisha dashur të mësoja nja dy gjuhë të vdekura dhe, kryesisht, të shfrytëzoja më mirë kohën.

Keni menduar ndonjëherë ta “braktisni” artin? Nëse po çfarë do zgjidhnit tjetër?

Unë nuk kam braktisur as edhe një pasion të fëmijërisë. Të gjitha i kam trashëguar deri më sot: futbollin, shahun, lojëra të ndryshme, muzikën. Nuk ka arsye “të braktis” artin, ndonëse mungesa e thekshme e kohës, kur ti do të shkruash me muaj e muaj dhe kohë dëshpërimisht nuk ke, a nuk duhet konsideruar edhe kjo si njëfarë “brakstisjeje”?

Aktualisht, keni në duar ndonjë libër ?

Gjithmonë janë më shumë se një. Janë disa. Nuk dihet cili do ta qesë kryet i pari. Kur do vij për lexuesit? Për këtë s’e vë dot dorën në zjarr. Por seç kam një ndjesi, që njëri do të jetë në stendë për këtë panair.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.