26 gusht 1952 - Gjithçka për mua filloi këtu, 65 vjet më parë

Gazeta Shqiptare - - CEREMONIA - NGA MAL BERISHA

Në brendinë e këtij pylli gësh tenjor, në sfond, dikur gjendej një shtëpi ku gëlonte jeta. Aty jetonin burra, gra, djem e vajza, nuse të reja që prisnin të bëheshin nëna, të rinj që po burrëroheshin e prisnin të martoheshin… Pikërisht aty, me datën 26 gusht 1952, nëna ime e dashur Sibja, i fali djalin e parë babait tim tani të ndjerë, Bajramit, i cili atë kohë sapo ishte veshur me uniformën e ushtarit të Republikës.

Askush nuk e dinte atëbotë se ajo ditë dikur do të ishte ditë e shënuar për tërë njerëzimin. Madje rrallëkush e dinte deri pas vitit 1990 se 42 vjet më parë, në të njëjtën ditë kishte lindur ajo që sot është shenjtore, Shën Nanë Tereza. Çfarë koincidence fatlume! Heronjtë e jetës sime janë babai dhe nëna ime, të cilët bënë të pamundurën për shkollimin tim, i cili më hapi dyert e jetës. Prandaj iu jam mirënjohës përjetë.

Fëmijëria ime ishte e zakonshme në atë pyll fantastik gështenjash ku buka “bëhej në degë”, siç thonë ata që gështenjën e përdorin jo vetëm si frut. Vështirësitë e jetës herë i shtonte e herë i pakësonte natyra, herë e egër e herë joshëse, në atë vend alpin – malor. Sapo dilje në oborrin e shtëpisë, pamja e parë që të kapte syri ishte Shkëlzeni ( Shkëlqen) madhështor. Në verë ai ishte hijerëndë, impozant, gjigant, mbresëlënës, imponues, tërheqës për t’iu ngjitur deri në majë… Në dimër, i zbardhur nga bora, i hijshëm, që të mrekullonte me bukurinë e vet. Dita çelte herët, me shndritjen e majës së Shkëlzenit nga rrezja e parë që Dielli lëshonte nga Lindja që vinte nga Kosova e fortdëshiruar. Vështrimi i një fëmije përherë mbetej i shtangur nga madhështia e tij. Më pas vinte dita e mbushur me hijet që lehtësonin vapën në verë, ndërsa në dimër me rréhét ( udhët e çelura nëpër borë), të hapura nga të mëdhenjtë për të çarë mes përmes “tunelit” të bardhë drejt shkollës “Asim Vokshi”. Fusha e Tropojës, pemëtoret me lloj- lloj frutash, ku dominonte kumbulla tropojane, e zbusnin atë natyrë të cilën do ta kishin zili tërë banorët e Alpeve, kudo në botë.

Ai mjedis nuk kalonte dot pa lënë gjurmët e veta në karakterin e njerëzve. Epika madhështore, Këngët e Kreshnikëve, lahutarët me këngët “Fort po shndrit njaj Diell e pak po nxe”, këngët e trimave për luftërat pa mbarim në Malësi të Gjakovës e në Kosovë, “Col Delia sy sahati, i lumtë goja mirë vikati, vetë po shkoi Pashën po e çarti”, përbënin kontrast me lirikat e rralla. “Moj bardhokë, bardhokë e bardhë” apo “Në drrasë të vekit kush po kan…?”.

Ishte dhe është ai mjedis i Malësisë së Gjakovës që kishte rritur burra e gra që i dolën zot vatanit si Binak Alia, Col Delia, Zeqir Halili i Prifçit, Zylë Hysenja e Koraqit, Cuce Avdylja e Geghysenit, Ali Ibra i Nezajve, Haxhi Zekë Byberi, Bajram Curri, e sa e sa të tjerë, të gjithë luftëtarë e pleqnarë që i bënin dritë atij vendi. Aty kishin gjetur strehë burrat e Kosovës dhe kryengritjet e tyre anti- osmane e kishin bazën po në atë malësi. E kjo traditë vazhdoi deri te lufta e fundit e UÇK– së, krejt në traditën e mëparshme.

Fëmijët aty rriteshin me epikën e piskamës së burrave që lëshonin kushtrimin, me zërin e vajtoreve që qanin trimat, me këngët e legjendave, por edhe me ritmin e tupanit që të “ngre peshë në ajër”, me zërin jehues të grave që zbukuronin dasmat, “Ngjitet kana pika pika…”, e sa e sa të tjera.

Ndërkohë që rritesha, malësorët e mi më bënin përherë e më krenar për prejardhjen time. Po rritesha duke u krenuar për poetët, piktorët, valltarët, muzikantët, artistët, krijuesit, këngëtarët, studiuesit, profesorët, doktorët, edukatorët, fizikanët, inxhinierët, pedagogët që bënin çdo ditë emër në aradhën e intelektualëve shqiptarë e më gjerë.

Më vonë u bënë politikanët e krahinës sime ata që i dolën ballë përballë diktaturës, e sfiduan atë, i hapën udhën demokracisë, e transformuan Shqipërinë dhe i dhanë dhe i japin nder jo vetëm Malësisë së Gjakovës, por mbarë kombit.

Me rastin e parë të dhënë për iniciativën e lirë, pas rënies së komunizmit, ishin bashkëvendësit e mi që ndërtuan kompanitë më të suksesshme të kapitalizmit në Shqipëri. Ato janë sot pika referimi në kryeqytetin tonë, Tiranë, si kullat më të larta dhe më të njohura, duke u bërë histori të vërteta suksesi të tregut të lirë.

Edhe pse fëmijëria ime në atë vend të bukur u ndërpre shumë shpejt, imazhet e asaj kohe më mbetën përherë në sy dhe në mendje: Pylli i bukur i Kojelit bashkëjeton në një dialog të përjetshëm ballë përballë me gjigandit Shkëlzen.

Kujtimet e fëmijërisë lidhen më shumë se me çdo gjë me shkollën. Pata fatin të isha nxënës i shkollës 8 vjeçare “Asim Vokshi” Tropojë, aty ku kanë mësuar figura të shquara që jetonin në një rreth jo më larg se 1 km nga njëri- tjetri dhe nga familja ime. Në mes tyre spikatin:

• Profesor, Dr. Sali Berisha, Presidenti dhe Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, ish- nxënësi, studenti, mjeku kardiologu, pedagogu, profesori i shkëlqyer, anëtari i Bordit drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe më vonë politikani që e drejtoi Shqipërinë drejt demokracisë, ekonomisë së tregut dhe botës së lirë.

• Profesor Arif Gashi, studenti më i shkëlqyer shqiptar në Moskë, i cili më vonë ra ndesh me diktaturën dhe përfundoi në burgjet e egra komuniste.

• Profesor Zenun Mulaj, një ndër pedagogët dhe fizikanët më të ditur në Shqipëri, i urti dhe njerëzori: ish- student i Universitetit të Shën Petërburgut, mësimdhënësi më i edukuar që auditorët shqiptarë kanë parë në Fakultetin e Shkencave, në Tiranë.

• Poeti i shquar Avni Mulaj, autori i veprave poetike, letrare dhe dramatike “Valbona e Kaltër”, “Orët e Mia”, “Currila”, “Gërsheti i luftërave” kushtuar Shote Galicës, për të përmendur vetëm disa.

• Mjeshtri i Madh i poezisë, Hamit Aliaj, i njohur për poezitë e tij aq të bukura.

• Edukatori Osman Islami, ylli i Shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka”, i cili iu nënshtrua persekutimit mizor të diktaturës vetëm pse e donte Kosovën dhe dëgjonte “Radio Prishtinën”.

Vitet kaluan dhe pas shumë ecejakesh, suksesesh por dhe peripecish, jam përsëri krenar që përvoja e fundit e jetës sime aktive në punë i shërben një kompanie të madhe, pronë e një tropojani që sot është figura më e njohur dhe më e suksesshme e biznesit shqiptar, dhe ku? Bash në Kosovën tonë të dashur!

Këto pamje kaq të larmishme të natyrës me të cilën e ilustrova komentin e kësaj dite kaq të rëndësishme të jetës sime ndoshta janë edhe ndikuesi më i fortë i natyrës njerëzore të krahinës sime, ku ngjizen dhe harmonizohen epika, bukuria shpirtërore dhe fizike, impulset, energjitë, trimëria, zgjuarsia, shpeshherë nxitimi, arsyetimi i shëndoshë, por edhe vendimet e menjëhershme, aksionet racionale, por edhe ngutja në vendim.

Prandaj, kudo që shkova, në çdo cep të botës, u ndjeva krenar kur iu përgjigja pyetjes se nga isha:

Jam nga Tropoja, nga Malësia e Gjakovës, nga Shqipëria.

Nga ky vendi që shihni në foto. Iu ktheva kujtimeve të vendlindjes sime sot, në këtë ditë të 26 gushtit 2017, sepse gjithçka për mua filloi këtu, si sot 65 vjet më parë, në lagjen “Kojel”, Tropojë, Malësia e Gjakovës – më 26 gusht 1952.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.