Autiku që ' lufton' me penel nuk pranohet në Lice

Pikturat e Drinit vlerësohen nga ekspertët ndërkombëtarë, në konkursin në Shqipëri, jofitues Edlira Sallaku: Djali im dëshiron të jetojë, mos e diskriminoni

Gazeta Shqiptare - - EKONOMI - Voltiza Duro

Për 19- vjeçarin, piktura është e vetmja urë që e lidh me realitetin, e që e lejon të shprehë botën dhe ndjenjat e tij. Ai quhet Drini Sallaku, i diagnostikuar që në moshën dyvjeçare si një fëmijë me aftësi të veçanta i spektrit autizëm. Ai më së shumti qëndron në studion e tij të pikturës, në praninë e nënës dhe psikologes. Me penelin në dorë fillon të pikturojë, si një mënyrë komunikimi me këtë botë. E në fund, duke buzëqeshur, me rrokje arrin të shqiptojë "Faleminderit". Ai dëshiron të jetojë e piktura është vetë jeta për të. Nëna e tij, Edlira Sallaku, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" tregon se për të dytin vit radhazi po lufton për ta regjistruar të birin në Liceun Artistik të Tiranës, por nuk po mundet, sepse barrierat janë shumë të forta.

Kur është zbuluar talenti i Drinit në pikturë?

Drini nisi të pikturonte në klasën e gjashtë. Aftësinë e tij e spikati mësuesja e Vizatimit në shkollën "Mihal Grameno" ku djali mësonte. Ajo më njoftoi se im bir ka talent e fantazi, veçanërisht në koordinimin e ngjyrave dhe në format gjeometrike, mad- je më këshilloi të konsultohesha me një specialist arti.

A u konsultuat me një ekspert arti pas kësaj?

Kontaktova me një mësuese në Liceun Artistik, e cila e vlerësoi talentin e Drinit, por ajo nuk ishte e specializuar për të punuar me fëmijë autikë. Edhe disa mësues të tjerë privatë nuk pranuan të punonin me djalin tim sepse ai është me nevoja të veçanta.

Në një kohë që asnjë mësues nuk e pranoi, si vepruat ju?

Unë vetë mora një orientim të përgjithshëm sesi të punoja vetë me tim bir mbi pikturën, pasi kjo fushë ka ndihmuar shumë në rehabilitimin e tij. Duke qenë se nuk ka një mësues të specializuar pikture, ai gjithçka e bën në bazë të fantazisë, ku pasqyron botën dhe ndjenjat e tij. Shumica e pikturave janë abstrakte sureale, e Drini bën një ndërthurje, pasi realitetin e sheh në këndvështrimin e tij. Në klasën e tetë filloi të punonte me telajo, e pas një viti i numëroheshin 25 piktura.

A mundët t'i paraqisnit diku pikturat e djalit tuaj?

Deri më tani Drini ka realizuar plot 6 ekspozita, ku kanë qenë të pranishëm edhe profesionistë arti, që e kanë vlerësuar maksimalisht talentin e tij. Kritikët u shprehën se ngjyrat e përdorura përcillnin shpresë. Pikturat e tij kanë arritur deri në galeritë e Nju- Jorkut.

Tashmë Drini është 19 vjeç. A po ndjek studimet mbi pikturën?

Në vitin 2016, kërkova ta regjistroja Drinin në Liceun Artistik të Tiranës, por nuk e pranuan për faktin se është autik. Sipas kushteve të

përcaktuara për këtë kategori të veçantë, ai duhej të futej në konkurs me një grup multidisiplinor, por nuk ndodhi diçka e tillë. Në juri mungonin specialistët dhe im bir nuk e fitoi konkursin. Grupi i Antidiskriminimit, për 4 muaj me radhë bëri një verifikim të hollësishëm të situatës dhe arriti në konkluzionin që Drini ishte i diskriminuar dhe i vendosën gjobë drejtorisë së Liceut. Si vijoi çështja më tej? Unë çështjen e dërgova në Gjykatën Administrative, të cilët i dhanë Drinit pjesërisht të drejtë dhe i ofruan mundësinë që të futej këtë vit në konkurs, por Liceu nuk e pranoi. Pra, kjo shkollë dhe DAR në Tiranë, po shkelin vendimin e Gjykatës dhe Komisionerit të Antidiskriminimit. Nuk e kuptoj arsyen se përse duhet të veprojnë

kështu ndaj fëmijës tim.

Cili ishte reagimi nga Drejtoria e Liceut Artistik?

Drejtoresha e Liceut tha: "Në asnjë mënyrë unë nuk mund ta regjistroj autikun", ndërkohë që një fëmijë autik është i regjistruar në këtë Lice për kitarë. Por drejtoresha Valbona Gavelli, në seancën gjyqësore e mohoi që në këtë shkollë mësojnë edhe fëmijë autikë. Për shkak se unë kisha trumbetuar edhe në media edhe në rrugë ligjore, nuk e pranuan Drinin. I kërkova që psikologen ta paguaja unë privatisht, por sërish ajo nuk pranoi.

A e keni ngritur shqetësimin tuaj në Ministrinë e Arsimit?

Sigurisht që po! Kërkesat e mia ia kam drejtuar edhe vetë ministres Nikolla, por deri më tani nuk po marr asnjë përgjigje, ndërkohë që viti shkollor ka filluar. Në MAS, më thanë që do e zgjidhin, por asgjë konkrete, dhe tashmë nuk di më ku të drejtohem në këtë vend.

Si ka reaguar Drini ndaj gjithë kësaj situate?

Im bir e shpreh botën e vet nëpërmjet pikturës dhe ai kërkon të jetojë dhe të pranohet nga shoqëria e vendit ku ka lindur. Pas gjithë kësaj situate, Drini ka filluar të qajë e psikologia thotë që po kalon një fazë depresioni për shkak se nuk ka mundësi të socializohet e të shkojë në shkollë. I bëj thirrje shtetit që të mos e diskriminojë më fëmijën tim, në të kundërt do u drejtohem ndërkombëtarëve.

Drini Sallaku me nënën në studio

Kryebashkiaku Erion Veliaj në tregun e fruta- perimeve

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.