Buxheti, kryeministri: Rikontroll kompanive të madha, shmangin detyrimet

Mbledhja e mbyllur e grupit, Rama ministrave: Mos vononi emërimet e deputetëve "Nuk jemi zgjedhur të merremi me histeritë e opozitës"

Gazeta Shqiptare - - SITUATA POLITIKE -

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje dje kompanive të mëdha të shmangin shkeljet përpara se të kontrollohen nga strukturat e shtetit. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS- së, kreu i qeverisë foli për buxhetin e vitit 2018, i cili do të diskutohet të enjten në seancën e parlamentit. "Ne do të çelim edhe një tjetër betejë me sipërmarrjen e madhe, sepse kemi konstatuar se në 800 kompanitë më të mëdha të Republikës së Shqipërisë, 42% e pagave janë nën 300 mijë lekë. Kjo për ne quhet shmangie nga detyrimet! Shmangie nga detyrimet që godet pensionet e atyre punonjësve deri dhe inxhinierë që paguhen nën 300 mijë lekë për t'u ikur detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe të taksave", u shpreh dje kryeministri Rama. "Ata marrin para më shumë në të zezë, por goditen pensionet e tyre dhe goditet i gjithë sistemin në Republikën e Shqipërisë. Kjo është një betejë që ne do ta nisim dhe prandaj thirrja ime për kompanitë e mëdha është që t'i japin fund kësaj loje, sepse në këtë rrugë për të bërë shtet, këto lojëra ne nuk do t'i pranojmë për askënd dhe për asnjë arsye. Kanë shumë të drejtë njerëzit që ankohen për rrogat që marrin dhe për faktin që keqtrajtohen me detyrimin e heshtjes, sepse mund të humbasin vendin e punës", u shpreh Rama. "Ne jemi aleatë të tyre dhe të gjitha këtyre kompanive do t'u bëhet rikontroll dhe përpara se t'u bëhet rikontrolli, është mirë që të zgjidhin problemin me ndershmëri dhe me dinjitet se s'ka turp më të madh sesa një kompani e madhe i shmanget deklarimit të rrogave të prindërve apo të të rinjve që vijnë aty japin kontribut dhe figurojnë sikur janë shërbëtorë të një beu që s'do të dijë as për shtet, as për ligj, as për dinjitet", bëri thirrje Rama. Ai foli për investimet që parashikon ky buxhet, si për Rrugën e Arbrit, ndërkohë që i ktheu përgjigje edhe opozitës. "Shumë kemi dëgjuar, ç'nuk kemi dëgjuar, por jam i bindur që ju do të doni ta dëgjoni, ata që s'e kanë dëgjuar, një gjë që unë dëgjova, sot pasdite në një prononcim të simotrës së rigjetur të Partisë Demokratike, që thoshte, "shtrirja e TVSH- së u shërben trafikantëve", tha Rama. "Histeria s'mund të jetë as vizion, as projekt, as program, as alternativë, as ide, por është vetëm fatkeqësia e atyre që e kanë dhe duke i shprehur të gjithë keqardhjen e sinqertë në pritje të një qetësimi të nevojshëm për vendin dhe për jetën politike, unë ju kërkoj që ne të vazhdojmë rrugën tonë, të vazhdojmë drejt me vendosmëri të kryejmë detyrat tona dhe të mbajmë përgjegjësinë tonë. Ne nuk jemi zgjedhur që të merremi me opozitën. Ne jemi zgjedhur që të bëjmë detyrat tona dhe pjesë e këtyre detyrave është lufta kundër informalitetit", u tha Rama deputetëve.

MBLEDHJA

Pas fjalës së kryeministrit, Gazetarja italiane e emisionit "Le Iene", Alice Martinelli reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Rama, që e quajti "kazan" edhe këtë emision që publikoi një reportazh për fëmijët që punojnë në Bulqizë. Duke i cilësuar të pavërteta ato që tha Rama, Martinelli u shpreh: "Ajo që thotë kryeministri është e rreme, si dhe dëmton punën tonë. Kryeministrit sigurisht që i leverdis ta thotë këtë, por realiteti është një tjetër".

deputetët vijuan mbledhjen me dyer të mbyllura. Në këtë pjesë raportuan me radhë kryetarët e nënkryetarët e komisioneve parlamentare për ato çfarë janë diskutuar në komisione. Në fund, fjalën e mori edhe ministri i Financave. Kryeministri mësohet se i ka porositur deputetët të jenë të përgatitur për seancën e së enjtes. Ndërsa, një tjetër porosi që

ka dhënë kreu socialist ishte edhe ajo për raportet mes ministrave e deputetëve të grupit, të cilët duhet të vijojnë bashkëpunimin mes tyre. Rama u ka kërkuar ministrave që të mos i vonojnë emërimet e grupit të deputetëve në të gjitha qarqet e vendit. Ndërkohë që një javë më parë u kërkoi deputetëve të mos ndikonin tek ministrat për emërimet e tyre.

Kryeministri Edi Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.