Avokati u zhduk në traget, policia sekuestron kamerat e sigurisë në port

Gazeta Shqiptare - - AKTUALITET -

DURRËS - Ndonëse kanë kaluar 12 ditë që nga momenti kur avokati Besnik Muço fiku celularin dhe humbi kontaktet me familjarët, ende nuk ka informacion për fatin e tij. Policia e Durrësit është duke hetuar intensivisht për zhdukjen e mistershme të Muços. Mësohet se së fundmi, blutë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së portit, për të kuptuar nëse avokati është zhdukur në traget, apo nuk ka hipur në të mbrëmjen e 2 nëntorit. Lajmi për zhdukjen e tij u bë i ditur 3 ditë më parë kur bashkëshortja e Muçës që e priste në Itali dha alarmin. Pas këtij momenti, në policinë e Durrësit denoncoi edhe vëllai i tij. Sipas burimeve nga policia e qytetit bregdetar, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë "check in" në portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku dhe si mund të jetë zhdukur. Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës- Bari, ashtu siç shkruajnë mediat italiane, ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget. Besnik Muço, prej disa kohësh punonte në Tiranë si avokat i lirë. Nga dëshmia e vëllait të tij, "News 24" mësoi se Bujar Muço kishte dokumente të rregullta qëndrimi në Itali, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa kohët e fundit ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë. Për të ndarë më shumë kohë më familjen, ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku edhe jetonte familja. Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muço nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera.

Avokati Besnik Muço

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.