Letra për Enverin: Nesër në Mirditë do të arrestoj 147 burra, 17 janë për pushkatim

Zbulohet dokumenti i rrallë me letrën e Mehmet Shehut të 9 gushtit 1949, ku ai informon Enver Hoxhën mbi nisjen e operacionit në Mirditë, pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba Kujtimet e Nikoll Mëlyshit për masakrën e Mirditës, të botuara në 1976- ën në D

Gazeta Shqiptare - - SHKRIMTARET NE DIKTATURE - Dashnor Kaloçi

Plot 66 vjet më parë, më 7 gusht të vitit 1949, në ven din e quajtur Qafa e Valmirit në rrethin e Mirditës, mbeti i vrarë në një pritë deputeti i zonës, Bardhok Biba, i cili mbante, gjithashtu, edhe funksionin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së atij rrethi, si dhe gradën e kapitenit të Sigurimit të Shtetit në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nisur nga detyrat, postet e funksionet e larta partiake e shtetërore që mbante Bardhok Biba asokohe, të kaluarën e tij si partizan e komunist, ndër të paktit që kishte ajo krahinë ku ende ishte i fortë ndikimi i derës së Gjonmarkajve, Kapidanëve të Oroshit, ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe revoltoi pa masë udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës. Gjë e cila bëri që ata të ndërmerrnin një operacion ushtarak spastrimi në shkallë të gjerë në krahinën e Mirditës dhe zonat përreth, ku në krye të saj u vu vetë ministri i Punëve të Brendshme, gjeneralmajor Mehmet Shehu. Kjo gjë, përveç historiografisë zyrtare të regjimit komunist të para viteve ' 90- të si dhe mjeteve të propagandës së asaj kohe, bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor që publikohet për herë të parë në këtë shkrim të "Gazeta Shqiptare", ku Mehmet Shehu, nëpërmjet drejtorit Politik të Ushtrisë, nënkolonel Beqir Ndout, i bën me dije Enver Hoxhës, lidhur me veprimet e operacionit ndëshkimor që ai kishte planifikuar të ndërmarrë në Mirditë. Dhe ashtu siç ka shkruar me dorën e tij në një copë letër dërguar "Komandantit", Mehmet Shehu e bëri gjithçka realitet, duke ekzekutuar plot 14 burra nga krahina e Mirditës, pikërisht në vendin ku ishte vrarë Bardhok Biba, si dhe duke burgosur e internuar me dhjetëra e qindra persona e familje mirditore. Duke shënuar kështu një nga masakrat më të mëdha të pasluftës, për sa i përket numrit të personave të ekzekutuar për një ngjarje të caktuar, gjë të cilën me dhjetëra familje mirditore do ta vuanin gjatë. Nisur nga fakti se për këtë ngjarje, që nga ajo kohë dhe më pas deri në fundin e viteve ' 80- të, është folur e shkruar shumë nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në këtë shkrim po publikojmë "anën tjetër të medaljes", duke e parë atë nga këndvështrimi i Nikoll Mëlyshit, një nga krerët e Lëvizjes dhe Rezistencës Antikomuniste në Mirditë, nga familja dhe fisi, i të cilit pati disa të ekzekutuar, burgosur dhe internuar për ngjarjen e vrasjes së Bardhok Bibës. Kapiten Nikoll Mëlyshi, babai i Pal Mëlyshit, ( Hero i Popullit) i cili është personazhi real në filmin "Operacioni zjarri", ( Gjin Martini, babai i Kreshnik Martinit që interpretohet nga aktori i ndjerë Sheri Mita), e ka shkruar këtë ngjarje në një nga kapitujt e librit të tij "Ngjarje të ndime, të pame dhe të jetueme", të botuar në vitin 1976 në Detroit të SHBA ku ai jetonte si azilant politik. Ngjarjen në fjalë po e publikojmë në versionin origjinal ( ashtu siç është shkruar me dialektin e tij të gegërishtes dhe të folurën e Mirditës së asaj kohe) dhe me disa shkurtime, pasi libri i Nikoll Mëlyshit, është ribotuar edhe në Shqipëri në vitin 2005, nga i biri i tij, Lekë Mëlyshi.

Kujtimet e Nikoll Mëlyshit të botuara në 1976- ën SHBA

BARDHOK BIBA NE MIRDITE

Bardhok Biba, qi rrjedh prej një fisi të Kapidanave të Mirditës, patë vazhdue shkollën e mesme në gjimnazin e Shkodrës, por mbas dy vjetësh e patën përjashtue për sjellje të këqia. Ma vonë, me ndërmjetësinë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, kje pranue në Shkollën Teknike të Tiranës, ku më aty u filtrue pak në doktrinën komuniste. Ky edhe këtë shkollë e la përgjys pa krye, dhe filloj tuj shetit der më derë nëpër popull, kundër vullnetit të babës dhe vëllaut të madh të tij, tue folun nëpër popullin e Mirditës fjalë të bukura komuniste mbi përmirësimin e jetës së popullit. Populli i Mirditës, megjithqë i pashkollë e kishte kuptue se Bardhoku ishte tuj ba propagandë komuniste, por mbasi ishte prej fisit të Kapedanave dhe vetëm ai ishte në krejt bajrakët e Mirditës, e nuk kishte tjetër n'atë kohë dhe se ai djal i ri nuk mund të bahet i rrezikshëm në t'ardhmen, e bante edhe me gjederë.

Kur Bardhoku u ba 28 vjeç, u takua me komunistat e Tiranës dhe u ba komunist i betue. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, qarkullonte prapë nëpër katunde Mirdit e Kthellë, tuj u përpjek me shtij helmin komunist në popull, por prap nuk ja vënte kush rëndësinë dhe s'kishte mujt me ba kërkënd me veti, e bile populli i atyne krahinave filloj tuj e përbuz dhe ja nepshin nji grim buk si qenit. Shpesh herë e kan pasë në dor autoritetet e vendit me e kap e me e zhduk nga jeta, por prap e kan lanë se është i fisit të Kapedanit. Kështu Bardhoku përfitoj prej rasteve dhe kur komunizmi i ardhun nga Shqipnria e Jugut, Bardhoku i doli përpara Mehmet Shehut në Lurë dhe Mehmet Shehu, me formë propagandë, për t'i mbushë mëndjen popullit, i qetë përapara një toge partizanësh dhe e pret me për nder armët, tue i thanë popullit se ky asht i kushërini i Kapëdanit të Mirditës, dhe kur hyni komunizmi në Mirditë, Bardhoku u paraqit si ma i madhi i asaj krahine.

Bardhoku ka pas disa cilësina të veçanta; në popull gjithmonë paraqitej gjakftohtë, tregohej shumë i urtë, i ambël në bisedim, shumë i sgjutë, njeri miklues sa qi me ta pi gjakun me pambuk; punët i bante të mbulueme, tue hjedh gurin dhe tue mësheh dorën, me qëllim që fajet t'ua ngarkonte komunistave jugorë të Mirditës.

Bardhoku kryesonte nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe kishte fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia kishte dhanë me letër të bardhë Mehmet Shehu për ekzekutimin e urdhnave të tij. Me dhelpni e kopili i rrente disa të rinj e prej tyre përfitonte për çështje zbulimi, mbi lëvizjet e kundërshtarëve të vëndit. Parashifej se ai do të shtinte në dorë rininë e Mirditës dhe Kthellës. Një pjesë e popullit nuk i kuptonte ende të zëzat e Bardhok Bibës, e mendojshin se asht ashtu siç tregohej para tyne dhe se gjoja ai po i pshtonte disa njerëz nga litari prej rrezikut të vdekjes, sepse ashtu ishte metoda komuniste që zhvillonte ky tip në popull. Masa e populli, sidomos rinija, nuk kishte mbërritë ende me e kuptue se ai ishte xhelati që u kishte pij gjakun e sa qindra bashkëvllazënve të vet në rajonin e Mirditës e të Kthellës, tue pushkatue njerëz të pa procese dhe pa gjyqe, burgime, rrahje shtazore, internime, grabitje dhe zhdukjen e moralit malësuer, tue mobilizue vajza dhe gra të reja nëpër brigade punet. E komunistat për të zhdukë doket dhe zakonet e vëndit, i dërgojshin të rejat katundare të zeza me ba këngë dhe valle në çdo orë pushimi dhe për ma keq dhe zi, komisari i puntoris, caktonte një burrë dhe një grue si në punë ashtu dhe në banesë…?! E sa të tjera këso lloj punësh të zezash. Në të tilla raste, Bardhok Biba dërgonte dhe gruen e vet, Mrikën, për me u duk para popullit i sinqertë. Të gjitha këto mënyrë të shkatërrimit moral, zbatoheshin me urdhër e firmë të Bardhok Bibës. Bardhoku vazhdonte me metodat e veta; gjithmonë masakrimet në popull me urdhër të kapasapëve të kuq të Tiranës, sepse populli i krahinave tona ishte konsiderue prej Hox-

Bardhok Biba pak para vrasjes së tij në Mirditë, 1949

Enver Hoxha, Beqir Balluku dhe Medar Shtylla së bashku me prindërit e Bardhok Bibës, pak pas vrasjes së tij në Mirditë, 1949

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.