Morën rryshfet për legalizim, pranga 4 zyrtarëve

Punonjësja e policisë i dorëzon shumën e parave shefit të ALUIZNI- t në Laprakë Prokuroria: Përfituan 6 mijë euro, akuzohen për korrupsion

Gazeta Shqiptare - - SHKRIMTARET NE DIKTATURE -

Katër persona mes të cilëve tre zyrtarë janë ndaluar dje me urdhër të Prokurorisë së Tiranës nën akuzën e "korrupsionit pasiv" dhe "korrupsionit aktiv" në një proces legalizimi. Të ndaluar nga policia janë Klea Sala, punonjëse policie, e cila ishte aplikante për legalizim, B. Belli punonjëse e ZVRPP ( Hipoteka Tiranë), M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI në Laprakë dhe S. Musallaj. Sipas njoftimit të prokurorisë, punonjësja e policisë, Klea Sala ka aplikuar për legalizimin e një ndërtese, duke u lidhur me sekserin e identifikuar si S. Musallaj. Mësohet se punonjësja e policisë i ka dorëzuar 6 mijë euro shefit të ALUIZNI- t në Laprakë përmes punonjëses së Hipotekës, B. Belli, ndërsa dje ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014.

Në bazë të veprimeve procedurale të kryera nga Prokuroria e Tiranës, nisur nga informacioni i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, rezulton se shtetasja M. S. ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI- t, Tiranë, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj. Për të verifikuar ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja K. Sala, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative. Kjo e fundit është njohur me shtetasen S. Musallaj, e cila e ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentet. S. Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K. Sala dhe një punonjësve të Hipotekës së Tiranës, B. Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K. Salës, mësohet të ketë thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj ( Hipoteka). Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj tek ALUIZNI- i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin M. Bezhani. Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja K. Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI- t për Laprakën, M. Bezhani. Shuma e parave, në formë ryshfeti është dorëzuar nga shtetasja K. Sala tek punonjësja e Hipotekës, B. Belli, në datën 12 nëntor 2017. Shtetasja B. Belli është takuar pasditen e së dielës me shtetasin M. Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave. Në vijim të kësaj "pagese", ditën e djeshme, aplikuesja K. Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014. Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe pasditen e djeshme ka kryer ndalimet e shtetasve, K. Sala, punonjësve policie ( aplikante); B. Belli, punonjëse e ZVRPP ( Hipoteka) Tiranë; M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë; S. Musallaj.

Prokuroria e Tiranës

Foto ilustruese

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.