Në bashkëjetesë me diabetin, 25- vjeçarja: Shteti të bëjë rimbursimin e fishave

"Kostot e trajtimeve të papërballueshme, shkojnë deri në 350 mijë lekë në muaj" "Nuk do e lejoj sëmundjen të më mposhtë"

Gazeta Shqiptare - - SHKRIMTARET NE DIKTATURE -

Prej 2 muajsh 25- vjeçar ja nga kryeqyteti po bashkëjeton me diabetin, duke u përpjekur fort në betejën që ka nisur kundër tij. Në ditën botërore kundër diabetit, vajza me inicialet T. N., në një intervistë ekskluzive për "Gazeta Shqiptare" tregon momentet e para kur mori lajmin që i përmbysi gjithë botën. Me lot në sy, ajo tregon se shpenzimet që i duhen për mjekimin e përditshëm janë shumë të mëdha krahasuar me rrogën modeste që merr. 25- vjeçarja i bën thirrje shtetit shqiptar që të bëjë rimbursimin e fishave të glicemisë, pasi ekonomikisht vlera e tyre është e papërballueshme. Por me vetëbesim, e reja nga Tirana shprehet se diabeti nuk ka për ta mposhtur kurrë e ajo do të luftojë deri në fund me të.

Kur jeni diagnostikuar se ishit të prekur nga diabeti?

Si sot dy muaj më parë, nga një parandjenjë personale vendosa të bëja një matje glicemie. Isha bashkë me motrën time në momentin e tmerrshëm që mjeku më tha se pas kontrollit, rezultoja se isha e prekur nga diabeti.

Si u ndjetë në ato momente?

Për një çast m'u duk sikur gjithë bota u përmbys. Nuk po arrija ta besoja dhe po shpresoja shumë që të mos ishte e vërtetë. Rrahjet e zemrës m'u shtuan dhe gjatë gjithë kohës po mendoja se përse ky mallkim duhet të trokiste në shtëpinë tonë, përse pikërisht unë duhet të prekesha nga kjo sëmundje. Gjatë gjithë kohës po mendoja se nuk mund ta përballoja luftën me të dhe diabeti do më çonte drejt vdekjes.

Si e priti familja juaj këtë lajm?

Diabeti ka vite që jeton e është bërë pjesë e pandarë në familjen time. Edhe prindërit e mi, edhe motra janë të sëmurë me diabet. Kjo sëmundje është bërë bashkudhëtare në rrugëtimin tonë. E tashmë edhe tek unë. Me lot në sy u dhashë lajmin prindërve dhe ata përpiqeshin gjatë gjithë kohës që të më jepnin kurajë, por dukej që po e vuanin jashtëzakonisht këtë fakt. I vetmi pjesëtar që kisha shpëtuar për vite me radhë isha unë, por sëmundja nuk më harroi. Vetëm dëgjoja mamin, e cila qante me ngashërim duke thënë: "E gjithë bota ime u kthye përmbys brenda një sekonde".

Cilat ishin simptomat e para që iu shtynë të bënit kontrollin?

Prej muajsh kam pasur dhimbje koke, tharje të gojës, e vazhdimisht më pihej shumë ujë. Ndihesha e pafuqishme, e lodhur dhe ndonjëherë kisha edhe mpir- je të duarve.

Si paraqitet tani gjendja juaj shëndetësore?

Kam plot 10 ditë në QSUT, 10 ditë që unë po shpohem dhe 10 ditë që familja ime nuk është as në tokë, as në qiell. Por unë pavarësisht të gjithave, nuk e di akoma se çdo të thotë të jesh e lodhur, e rraskapitur duke luftuar me këtë sëmundje, pasi ende jam në fillimet e betejës.

A po merrni mjekim aktualisht?

Që prej ditës së parë që mora vesh se isha prekur nga diabeti, mjeku më dha një sërë këshillash. Kam filluar të ndryshoj stilin e jetesës, të ha një ushqim më të shëndetshëm e të kujdesem më tepër për veten. Më duhet të bëj matjen e glicemisë rregullisht dhe mbi të gjitha të marr insulinë. Mjekët më thonë që duhet të bëj edhe aktivitet fizik 2- 3 herë në javë.

Sa mund t'i përballoni ekonomikisht shpenzimet?

Unë kam një rrogë modeste, që nuk i kalon 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë që trajtimet e mjekimet për diabetin arrijnë rreth 350 mijë lekë të vjetra. Por, këtu përfshi edhe faktin që familjarët e mi janë të prekur nga sëmundja e kërkojnë trajtim. Kështu që kostot janë shumë të larta. Nuk e di për sa kohë mund ta përballojmë këtë situatë, ku shumë herë na është dashur të marrim edhe borxhe te të afërmit për mjekimet.

Cila është thirrja juaj ndaj shtetit shqiptar në emër të të gjithë të sëmurëve me diabet?

Prej një muaji jam bërë pjesë e Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet që

operon në vendin tonë. Kauza jonë madhore në këtë muaj sensibilizues kundër diabetit është rimbursimi i fishave që shërbejnë për matjen e sheqerit në gjak. Ne vetë nuk mundemi ta përballojmë. Nëse më parë do të doja të blija një fustan, tani nuk e kam më atë dëshirë, pasi kërkoj vetëm fisha, ato fisha pa të cilat unë nëse nuk i kam, s'mundem t'ia dal, nuk kam siguri tek vetja, kam frikë se do të ngel në rrugë dhe kjo vetëm sepse jetoj në këtë shtet, që vetëm shtet nuk është.

Cili është mesazhi juaj

për të gjithë të sëmurët me diabet, por edhe për shoqërinë?

Nuk dua që historia ime të jetë një histori që të jep dhimbje, por motivim. Nuk dua t'i dorëzohem kësaj sëmundjeje, që fëmijë kam ëndërruar shumë dhe vazhdoj të ëndërroj dhe luftoj për ato që dua dhe këtë herë s'do të ketë ndryshim. Diabeti s'do të më mposhtë kurrë, do të jem unë ajo që do të vendosë sesa ai do të më prekë. Fatmirësisht kam rreth vetes njerëz që më duan dhe më qëndrojnë në krah sa herë unë kam nevojë.

25- vjeçarja me inicialet T. N.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.