Kontrabandë cigaresh me ambulancë, kapet mjeku i Autoritetit Portual Durrës
Mallrat i merrnin nga tragetet dhe ua shisnin personave të ndryshëm Operacioni, përfundon në pranga dhe shoferi
Një mjek, punonjës i Autoritetit Portual Durrës si dhe shoferi i ambulancës janë arrestuar nga policia për kontrabandë cigaresh. Specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi, pas një hetimi prej rreth 2 muajsh me metoda speciale kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Cigarettes". Mësohet se specialistët kanë dokumentuar me prova shkencore se disa shtetas, punonjës në Autoritetin Portual Durrës transportonin mallra kontrabandë, të cilët në bashkëpunim me njëri- tjetrin merrnin steka duhani të markave të ndryshme pa pullë fiskale të autoriteteve shqiptare në tragetet që ankoroheshin në këtë port duke i futur në mënyrë kontrabandë me një ambulancë dhe në vijim ua shisnin personave të ndryshëm. Sipas policisë së qytetit bregdetar janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Artan Dhima 49 vjeç, banues në Durrës, mjek në Autoritetin Portual Durrës dhe Zamir Çyrbja 41 vjeç, shoferi i ambulancës në Autoritetin Portual Durrës. Ndërkaq, bëhet me dije se gjatë operacionit në fjalë u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 300 paketa të markave të ndryshme; 1 mjet i llojit ambulancë, tip "Volsvagen", i cili shërbente për futjen e cigareve kontrabandë në Portin e Durrësit; 1 automjet tip "Ford" që shërbente për transportin e cigareve nga Porti i Durrësit në shpërndarjen e tyre pranë personave të ndryshëm dhe 2 aparate celularë. Nga ana e grupit hetimor vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: "Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës", "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Shpërdorimi i detyrës" kryer në bashkëpunim