"Babalja", PD: Prokurorët i kërkuan Xhafajt të hetojë të vëllain

Babalja dhe Alizoti, PD: Tri provat që prokurorët ia lanë në dorë ministrit të Brendshëm "Nuk heton kriminelët, por denoncuesit"

Gazeta Shqiptare - - DOSJA "AGRON XHAFAJ" -

Partia Demokratike publikoi dje disa do kumente zyrtare, që sipas saj provojnë sesi Prokuroria ia ka adresuar policisë fabrikimin e provave për të mbrojtur vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, për të cilin opozita pretendon se është i përfshirë në trafik droge në audiopërgjimin e njohur si "Babale". Demokratët Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi publikuan dy dokumente, të cilat sipas tyre vërtetojnë që hetimet për rastin "Babale" janë kryer nga Fatmir Xhafaj. "Ky është dokumenti i datës 7 qershor 2018, që provon se hetimin për këtë fakt nuk e ka bërë Prokuroria, por Policia e Shtetit. Pra, nëse kanë qenë apo jo bashkë Albert Veliu dhe Agron Xhafaj, e ka hetuar vetë Fatmir Xhafaj. Ky është dokumenti i datës 15 maj 2018, që provon se mostrat e zërit të Agron Xhafajt janë marrë nga eksperti vartës i Fatmir Xhafajt, me pajisjet e Fatmir Xhafajt", tha Gazmend Bardhi. Demokratët i kërkuan publikisht organit të akuzës të përgjigjet se përse prokurorët nuk e kanë verifikuar videopërgjimin e publikuar nga Ervin Salianji me Fredi Alizotin, i cili pranon se i është bërë një ofertë nga pala tjetër. "Cila është pala tjetër? Çfarë oferte ka marrë? Kush e ka bërë ofertën? Të gjitha këto duhet të ishin hetuar nga Prokuroria", tha Bardhi. Kurse deputeti Enkelejd Alibeaj akuzoi se Prokuroria nuk heton krimin, por denoncuesit dhe se Agron Xhafaj nuk u hetua kurrë, por u lejua të ikë natën për në Itali. Ai tha se prokuroria nuk ka zhvilluar asnjë hetim për trafikun e drogës. "Jemi këtu për të dëshmuar me prova se si Rama përmes veglave në prokurori nuk heton krimin, por denoncuesit. Nuk arreston trafikantin e drogës, por përndjek gazetarët. Agron Xhafaj nuk u hetua kurë, por u lejua të ikë natën në Itali, sapo u publikua materiali audio se ai drejtonte trafikun e drogës. Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka zhvilluar asnjë hetim për trafikun e drogës. Çfarë është bërë me drogën e Tragjas? Çfarë është bërë me personat trafikantë që shfaqen në materialin gazetarit? Rama ka instaluar një shtet privat mafioz. Prokuroria përdoret nga Rama si zyrë e propagandës për manipulimin publik", - tha Alibeaj. Deputeti i PD u shpreh ndër të tjera se krimi ka kapur edhe Prokurorinë dhe Shqipëria është shndërruar në diktaturë mafioze. "Krimi tashmë ka kapur edhe Prokurorinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda është kthyer në një celulë kriminale. Përdorimi politik i drejtësisë nga Edi Rama është paralajmëruar nga PD që ditën kur në mënyrën e njëanshme u emërua një kryeprokurore vegël e tij. Rama mbron kriminelët me të cilët bashkëqeveris. Shqipëria është shndërruar në diktaturë mafioze", - theksoi z. Alibeaj.

Demokratët Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, dje në konferencë për shtyp

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.