BYROJA FEDERALE E HETIMIT

Gotti's Rules - - Xhorxh Anastasia -

Data e transkriptimit: 16/ 01/ 2006

XHON A. GOTI, i njohur gjithashtu si XHUNIOR GOTI, ishte i pranishëm në zyrën e prokurorit të SHBA- ve, distrikti jugor i Nju Jorkut, me adresë në 500 Pearl Street, Nju Jork, më 18 janar 2005, për një marrëveshje me prokurorinë. Ky takim bëhet me kërkesën e XHUNIOR GOTIT. Në takim ishin gjithashtu të pranishëm AVOKATËT E XHUNIOR GOTIT, Xhefri Lihtman dhe Mark Ferniç, si edhe prokurorët e Shteteve të Bashkuara, Robert Buehler, Xhun Kim dhe Xhenifer Roxhërs.

Pasi XHUNIOR GOTI dhe avokatët mbrojtës lexuan marrëveshjen dhe prokurorët iu shpjeguan atyre kushtet e kësaj marrëveshjeje, XHUNIOR GOTI e nënshkroi këtë marrëveshje. Më pas, XHUNIOR GOTI ofroi informacionin në vijim:

Vrasja e Deni Silvës

Në orët e para të mëngjesit të 11 ose 12 marsit 1983, XHUNIOR GOTI, së bashku me shokët e tij, MARK KAPUTO dhe ENTONI AMOROSO, qenë të pranishëm në barin “DHELPRA E ARGJENDTË”, që ndodhet në kryqëzimin mes rrugës “101” dhe shëtitoren “Liria”, në Kuins, Nju Jork. Në një moment, TOMI ( nuk i dihet mbiemri), i njohur me pseudonimin “ELFI”, iu afrua XHUNIOR GOTIT, i cili qe ulur në bar me një shoqe të quajtur DONA ( nuk i dihet mbiemri). Sipas XHUNIOR GOTIT, “ELFI” e ngacmoi disa herë. Shkëmbyen fjalë dhe, pasi u nxehën gjakrat, XHUNIOR GOTI e goditi “ELFIN” me një shishe të thyer. XHUNIOR GOTI i nguli “ELFIT” një thikë që XHUNIOR GOTIT ia dha AMOROSO.

Sipas XHUNIOR GOTIT plasi një sherr ku u përfshinë tridhjetë deri në dyzet klientë të barit. XHUNIOR GOTI kujton se ndër personat e përfshirë në sherr qenë: DENI SILVA, XHON dhe GREG MASA, ANXHELO KASTELI, XHOI KUIRO, RAJLI ( nuk i dihet emri) dhe XHON SEMANO. XHUNIOR GOTI deklaroi se DENI SILVA u godit me thikë dhe u vra gjatë këtij sherri. XHUNIOR GOTI përshkroi takimin që ndodhi pak kohë pas këtij incidenti në “DHELPRËN E ARGJENDTË” ndërmjet ANXHELO RUXHEROS dhe detektivit të departamentit të policisë së Nju Jorkut, XHON DEILI. XHUNIOR GOTI e shoqëroi me makinë RUXHERON për te ky takim që u bë në restorantin “Sherud”. Përpara takimit, XHUNIOR GOTI dhe RUXHERO diskutuan qëllimin e takimit.

______________________________________________________________________________ Hetuar më 18/ 01/ 2005 në Nju Jork Dosja nr. 281 – NY – 281763 ______________________________________________________________________________

Faqja e parë e memorandumit 302, marrëveshja bashkëpunuese e Xhunior Gotit me prokurorinë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.