Vajzat e bukura e kanë të vështirë të zgjedhin...

Intervista - - TELEVIZION -

E bukur, seksi, e sigurtë në vetvete; janë këto cilësitë që e bëjnë Einxhin të jetë një nga ato vajzat e vendosura për të ecur përpara. Einxhi është moderatore e emisionit me muzikë hip-hop në Mad TV bashkë me kolegun e saj Sid Tarifa. Me siguri, shumë prej jush deri tani e keni parë Einxhin në rolin e fotomodeles e tashmë në atë të moderatores, por nuk dini shumë rreth saj, ndaj më poshtë, Einxhi na tregon shumë gjëra interesante për veten, por jo vetëm...

Mia.B: - Einxhi, si u bëtë bashkë ti dhe Madtv?

Einxhi Shkira: - Unë dhe Mad u bëmë bashkë falë sugjerimit që bëri miku im e gjithashtu kuratorit të imazhit në MAD Tv, Niko Komani. Mund të them se ai ishte kumbari i këtij bashkimi. (Buzëqesh)

- Pse pikërisht një emision për muzikën hip-hop?

- Mad ishte në kërkim të dikujt që e ndjek këtë rrymë dhe të ishte i informuar më së miri mbi të. Niko e dinte mirë këtë fakt, duke qenë se të dy jemi adhurues të hip-hop-it. Kështu, papritur, u gjenda në vendin dhe momentin e duhur, duke m’u dhënë mundësia të prezantoj një emision mbi “dashurinë” time të hershme, Hip Hop-in!

- Mbi ç’shtylla është ndërtuar emisioni?

- Emisioni është një projekt i programuar që në fillesat e MAD dhe atij në Greqi, madje prej disa vitesh atje. Thjesht, këtu iu desh një përshtatje me audiencën shqiptare. Ai ka për qëllim edukimin e brezit të ri me kulturën Hip-Hop që nga fillesat e saj. Për këtë, dy shtyllat janë Old School Hip-Hop, një terren që e mbulon më së miri kolegu im Sid Tarifa, një njohës dhe lexues shumë i mirë i kultures dhe filozofisë HipHop si dhe Nevv School Hip-Hop, terren që e mbuloj unë me info dhe kuriozitete. Unë jam ajo që dëgjoj dhe pëlqej më shumë “New school” (kjo, edhe për hir të gjeneratës sime), njoh artistët e rinj dhe shpesh bëj thashetheme mbi ta. ( Qesh) Kjo ndërthurje e muzikës së vjeter e të re dhe informacionit, vjen që “Hip-Hop” të mos jetë vetëm për t’u dëgjuar, por edhe për t’u njohur si kulturë apo filozofi.

- Ata që të ndjekin te Mad, duan të dinë diçka më shumë për ty... Me çfarë merrej Enxhi para se të bëhej pjesë e Mad?

- Pikë së pari, jam shumë e lumtur me interesin që ka pasur për këtë emision dhe përkrahjen që më është dhënë mua. Gjithsesi, për ata që nuk më njohin, unë më parë kam eksperimentuar me botën e phootomodeling-ut dhe kam qenë pjesëmarrëse në shumë editoriale mode, revista, kopertina e aktivitete të tjera të këtij lloji, por të gjitha këto në nivel hobi. Nuk mohoj se kanë qenë eksperienca të bukura e të suksesshme që më kanë ndihmuar të përfshihem në artin pamor pasi unë jam tepër e lidhur me të, për shkak edhe të një tjeter talenti që kam; pikturës. Vazhdoj studimet për Arkitekturë.

- Gjithashtu, të kemi parë në klipin e Encës “Ata s’e dinë” ku të dyja fusnit në kurth meshkujt. Çfarë eksperience do ta cilësoje këtë?

- Videoklipi ishte një eksperiencë e re për mua dhe shpeshherë i kisha refuzuar oferta të tilla, por kësaj here, ishte ndryshe. U gjenda në klip jo vetëm si një personazh i këtij minifilmi, por edhe si skenariste e fabulës së tij, për shkak se Enca është një mikeshë e mirë e Rigelsi, gjithashtu.

- Po në realitet, ndodh kështu me ty, që të fusësh meshkuj në kurth?

- Realiteti im është shumë larg asaj që shfaq klipi.

- Zakonisht, vajzave të bukura nuk u besohet kur thonë se nuk kanë të dashur, por ka shumë prej tyre singëll. Pse ndodh kjo?

- Shpesh, ato e kanë më të vështirë të zgjedhin apo të gjejnë personin e duhur. Mbi të gjitha, atë që i sheh përtej pamjes së jashtme.

- Çfarë mendohet tjetër gabim për vajzat e bukura?

- S’mund të flas në përgjithësi, por mendoj se edhe të bukurat kanë komplekset dhe pasiguritë e tyre, si pjesa tjetër e vajzave. Unë i admiroj për bukurinë që u ka falur nëna natyrë.

- Të është dashur ndonjëherë të gënjesh një mashkull që ke të dashur, vetëm që ta largoje?

- Gënjeshtra nuk është pika ime e fortë. Mendoj se e vërteta do ta bënte shumë më të thjeshtë zgjidhjen e situatës.

- Djali që do të të bënte për vete duhet të kishte cilësitë...

- Jam pak tip i vështirë në këtë sektor. Akoma nuk e kam hartuar një listë cilësish. (Qesh)

- Deri tani, mund të themi se e ke arritur atë që ke dashur?

- Besoj se kur e do diçka, mjafton dëshira e mirë dhe këmbëngulja, për ta arritur. Unë i kam të dyja dhe shpresoj të shkoj larg.

- Kur i ke ndjerë emocionet më të bukura?

- Kur i kam bërë prindërit e mi të ndihen krenarë për mua. S’ka shpërblim dhe emocion më të bukur!

- Çfarë të motivon për të ecur para?

- “I Dream BIG!” themi në gjuhën e Hip Hop-it. S’ka ndalesa pa u zbrazur ai sirtari ëndrrave… (Buzëqesh) Duke qenë se ato shtohen çdo ditë, edhe motivimi do jetë bashkudhëtar i pandarë.

- Fama, deri tani, të ka sjellë më tepër gjëra pozitive apo negative?

- E ndjej veten të qetë, njësoj si më parë. Nuk e lejoj botën e jashtme të jetë faktor ndikues në botën time të brendshme pozitivisht apo negativisht, por s’mund ta mohoj, ka pasur raste që mesazhet dashamirëse nga vajza të vogla më kanë zbukuruar ditën dhe më kanë falur shumë dashuri. I falënderoj nga zemra. (Buzëqesh)

- Prezanton emision me muzikë Hip Hop, ke qenë personazh në klip... A janë këto parapërgatitje që më vonë të merresh dhe me këngën?

- Do këndoja vetëm nëse më lejon ndonjë karaoke ta prek mikrofonin. (Qesh) Më pëlqen shumë muzika ta shijoj, dëgjoj e kërcej, por ta këndoj, është larg planeve dhe kapacitetit tim.

- Cilat janë veset e tua?

- Jam gjumashe në përgjithësi, por në mëngjes e teproj fare. Mund të quhet përgjigje? (Qesh) Të tjera nuk kam.

- Nëse do të ishe agjente sekrete, çfarë misioni do të doje të kishe?

- Misioni do ishte aq serket sa s’do mund t’jua thoja dot as juve. (Buzëqesh)

- Nëse personi i zemrës do të harronte ditëlindjen tënde, si do të reagoje?

- S’ka ndodhur kurrë dhe s’besoj se do të ndodhë ndonjëherë sepse unë gjithmonë e festoj ditëlindjen, prandaj s’ka si i del nga mendja askujt, për më tepër kur marrin ftesën për në festë.

- Aktualisht, ndodhesh me pushime jashtë Shqipërisë... Kështu i bën gjithmonë pushimet?

- Tashmë, më është bërë si zakon i përvitshëm. Kam nevojë për pak ditë larg gjithë njerëzve që njoh sepse të tillë e kam ambientin nëse do shkoja diku në Jug. Të gjithë njohin të gjithë. Por, kjo s’do të thotë që s’do shkoj dhe atje ca ditë. (Buzëqesh)

- I thua ndonjëherë vetes: “Dua suksesin e x personazhi”?

- Nuk lakmoj askënd. Të gjithë jemi aq unikë sa të mos kemi nevojë të dëshirojmë atë çka kanë të tjerët, por të fokusohemi te cilësia që na bën neve ndryshe e ta kthejmë këtë cilësi në suksesin tonë.

- Kur ishe e vogël, e kishe menduar se do të bëheshe personazh publik?

- Kur isha e vogël, s’kam lënë spektakël në lagje, kopësht e shkollë pa prezantuar. Atëhere e thoja me bindje që do bëhesha prezantuese kur të rritesha. Me kalimin e viteve, u venit paksa, por sot që jam këtu ku jam, ndjej që asaj Einxhit të vogël 5 vjeçare, iu realizua ëndrra. Jam e lumtur!

- Cila është ajo që nuk do ta bëje kurrë publike?

- Kur dal nga shtëpia, e mbyll mirë derën. S’do lejoja kurrë çështjet familjare të bëheshin tema bisede apo diskutime publike.

- Arrin t’i menaxhosh mirë të ardhurat e tua?

- Kam jetuar vetëm për një periudhë të shkurtër në Gjermani dhe mund të them se ishte e vetmja eksperiencë që më ndërgjegjësoi e më ka bërë tepër të përgjegjshme edhe në aspektin financiar.

- Ku nuk kursehesh?

- Gjërat bazë nuk i lë kurrë mangut, sidomos kur vjen puna tek ushqimi (ëmbëlsirat, veçanërisht), apo te diçka që më fal kënaqësi. Aty, kursimin nuk e njoh.

- Si do ta nisësh ditën nesër?

- Plazh, diell, pushime, relax. (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.