Si ta detyroj ish-bashkëshortin të paguajë detyrimin ndaj fëmijës?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje avokatit! Jam një lexuese e rregullt dhe kam një hall. Motra ime është e divorcuar prej më se një viti dhe ish-burri nuk ka kontribuar aspak për fëmijën. Çfarë rruge duhet të ndjekë motra ime që të marrë atë çfarë i takon, se nuk më duket e drejtë që ai të mos financojë fare? Si veprohet në kësi rastesh? Cila është rruga ligjore që duhet të ndiqet prej nesh? Me respekt, Nexhi. - Përshëndetje Zonja Nexhi! Në vendimin e zgjidhjes se martesës së dy bashkëshortëve, mendoj që është përcaktuar se me kë prind do të jetojë fëmija, vlera e detyrimit ushqimor të cilin gjykata ka vendosur bazuar në të ardhurat që ka bashkëshorti i cili nuk jeton me fëmijën, në rastin konkret, ish-bashkëshorti i motrës suaj. Legjislatori e ka mbrojtur shumë mirë bashkëshortin që do të mbajë fëmijën, duke sanksionuar në favor të tij:

- Në nenin 158 të Kodit të Familjes së Republikës së Shqipërisë: “Prindi, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë, të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër. E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës”.

- Në nenin 161 të Kodit të Familjes: “Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin, nëse është rasti, sipas parashikimeve të kreut “Detyrimi për ushqim” të këtij Kodi”.

- Në nenin 162 të Kodit të Familjes: “Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tij të tjera”.

- Për rastin konkret, kur ish-bashkëshorti nuk e paguan detyrimin ushqimor që ka vendosur gjykata, motra juaj duhet t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit. Pasi të nxirrni këtë urdhër ekzekutimi nga gjykata, së bashku me vendimin e gjykatës për zgjidhjen e martesës, do t’i drejtoheni një zyre përmbarimi shtetërore ose private. Procedurat e mëpasme i kryen zyra e përmbarimit për t’i marrë ish-bashkëshortit të motrës vlerën që ka vendosur gjykata nga koha që atij i ka lindur ky detyrim.

- Shpresoj të jeni qartësuar pas analizës juridike që ju parashtruam më sipër. Studio Ligjore “Duraj” ju vjen në ndihmë për të kryer të gjitha procedurat e mësipërme, në mënyrë që motra juaj të marrë nga ish-bashkëshorti detyrimin ushqimor që i takon fëmijës.

Av. Dr. Alban Duraj, email: info@duraj law.com, cel. 0692737706 & 044532512: Adresa: Duraj Law Firm Rr. "Kavajës", Pll. "Pienvis", K. 3, No. 11. Tirana-Albania & Web: www.durajlaw.com

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.