Si të dobësohem më shpejt?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- A ka ndonjë mënyrë se si të dobësohemi më shpejt në këtë periudhë, se më duket se jam duke u lodhur kot me dietat që po bëj? Jam 26 vjeçe.

Mario, instruktor: - E nderuar 26 vjeçare, nuk na thonit peshën tuaj, por di t’ju them që dietat nuk jua rekomandoj. Me sa kuptoj, ju bëni dieta drastike duke ngrënë për shembull vetëm mollë, apo dieta vegjetariane. Trupi duhet t’i marrë të gjitha ushqimet nga pak dhe të limitojë disa që kanë shumë kalori. Ju duhet të ndiqni një regjim ushqimor dhe jo dietë. Besoj duhet ta dini se çfarë ju shëndosh dhe çfarë jo. Duhet të minimizoni brumërat (sidomos të bardhat), sheqernat e shtuara, yndyrnat shtazore dhe ëmbëlsirat. Mund t’i konsumoni, por me një sasi shumë të vogël. Bukën, për shembull, mund ta merrni integrale ose bukë të zezë dhe nga një fetë. Të ëmblat, mundohuni t’i konsumoni sa më natyrale, pra, të përdorni sheqer të kuq ose kaf. Pastaj, tani në verë, të gjithë dobësohen. Mjafton të jeni më aktive, të notoni më shumë, të konsumoni gjëra të lehta, supëra, të gjitha llojet e perimeve, ushqimet e detit të cilat pothuajse nuk kanë fare kalori dhe janë të shijshme, sidomos në këtë stinë. Hiqni dorë nga pijet me gaz e pini sa më shumë ujë. Kur të ushqeheni, mos hani në këmbë apo nëpër fast-foode, por uluni dhe hani në pjatë, ngadalë. Ushqimet e shpejta dhe të konsumuara në këmbë, bëhen menjëherë dhjamë. Mos i kapërceni asnjëherë vaktet, hajini rregullisht edhe dy vakte të vogla të ndërmjetme. Lëvizni sa më shumë në këmbë e mundësisht, regjistrohuni në një palestër. Nëse nuk keni mundësi, të paktën 3 herë në javë bëni vrap ose notoni, duke qenë se jemi në verë.

- Nëse nuk keni vullnet me ushtrimet apo notin, kërceni. Jeni në një moshë të re dhe besoj se kërcimi i pëlqen çdokujt. Dilni në darkë, ose kur të shkoni në plazh, mos qëndroni shumë ulur, thjesht kërceni sipas ritmeve që ju pëlqejnë. Do të ishte mirë të regjistroheni në një klasë ku ushtrohet zumba. Në stinën e verës, çdokush mund të humbasë peshë shumë më lehtë sesa në stinët e tjera sepse djersini më shumë, aktivitetet janë më të shumta dhe sigurisht që këto ndikojnë në rënien në peshë. Po ta vini re, të gjithë dobësohen më shumë në verë sesa në stinët e tjera. Pra, ka plot mënyra se si mund të dobësoheni. Së pari, është regjimi ushqimor “pak e saktë” dhe të hani të gjitha vaktet. Së dyti, janë ushtrimet dhe së treti, është të qenit mirë me veten tuaj dhe të mos stresoheni.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.