E paharrueshmja motra jonë Lili

Intervista - - POSTA -

Dhimbja që s’do tretet kurrë me rastin 3 vjetorit të ndarjes nga jeta të motrës së shtrenjtë Liljana. Lili, sot do të ishte 45 vjeçe, një grua e bukur me fëmijë në gjysmën e saj të jetës. Ajo ishte një vajzë e thjeshtë, e brishtë, e dashur, por edhe tekanjoze. Lili, me këtë emër të shkurtër e të thjeshtë, ishim mësuar gati të gjithë t’i thërrisnim me dashuri. Fytyra e Lilit paraqiste një vajzë me trup mesatar, fytyrë të ëmbël, të hijshme e mjaft fisnike. Lili, ky emër i dashur do shoqëronte jetën e saj 42 vjeçare deri diten kur një dorë gjakatare e pamëshirshme ia preu në mes jetën, dëshirat, ëndrrat, gëzimet e moshës, rininë e pajetuar mirë, e mbi të gjitha zemrën e copëtuar. Lili nuk ishte një vajzë si gjithë të tjerat. E bukur, amvisë, një punëtore e përkryer e zanatit të rrobaqepësisë. Unë, kujtoj me mall e dashuri syrin e saj të hollë, që nuk kishte nevojë për “metër”. Lodhjet, sakrificat, përkushtimin e papërtuar, ata sy që “mbeten” përherë mbi makinë duke qepur e qepur. Të gjithë që e njohën nga afër panë një shpirt bujar dhe karakter të qëndrueshëm për jetën. E kërkuar, e adhuruar, Lili ynë nuk e gjeti dot asnjëherë shokun e jetës, ose pak më thjeshtë të themi: njeriun ideal që ëndërronte! Në këtë mënyrë ajo u bë padashur, viktimë e një fati të mbrapshtë. Lili i donte të gjitha gjërat me imtësi, me një rregullsi që të habiste, i shikonte si me dylbi apo më bukur me mikroskop, i studionte thellë si një astrologe për të mbetur përsëri e pavendosur për asgjë. Lili nuk ishte një kërkuese e madhe në jetë. Ajo i deshte gjërat sa më të thjeshta, mjafton që ato të kishin shijen e guston e saj. Shpeshherë kjo gjë e kishte bërë atë një natyrë kapriçioze, pak të nervozuar e në mjaft raste edhe të padurueshme. Jeta e saj qe e gjitha një gabim. E nuk duhen kërkuar arsyet për ta “vrarë veten” por për të mos e vrarë atë! Jeta e Lilit tonë u rrokullis me shprehjen e saj të preferuar: “Unë copë që copë!” Erdhi ajo ditë e zezë 11 gushti kur Lili u nda prej nesh duke na lënë një plagë të madhe, lot e dhimbje sa oqeani. E vrarë në mënyrë mizore, e masakruar barbarisht, e therrur si qengj nga një monstër me fytyrë njeriu me emrin Gaqo, që as e kemi parë e dëgjuar... As në ëndërr sdo ta besonim. As na e priste mendja as na i thoshte zemra për Lilin. Vdekja e saj nuk qe legale. Emri i saj u bë padashur lajmi i parë në të gjithë televizionet e faqet e gazetave. Vrasja apo masakra e shekullit u cilësua pa frikë. Shteti u mjaftua me fjalë ngushëllimi e vetëm kaq. Por për opinionin publik ishte shokues. Plaga e saj nuk mbyllet lehtë. Jeta e Liljanës do të ishte e gjitha në një arkivol të mbyllur, pa gëzime si shoqet e veta, pa fustan nuserie, me ëndërra e dëshira të varrosura për së gjalli. Lili na i mbylli derën më të madhe të shtëpisë. Për të qanë “gurët e drurët” dhe ende nuk duan ta besojnë.

– Jo! Si mundet të jetojmë me këtë dhimbje si mundet vallë? Pas ikjes së Lilit e gjithë jeta jonë u thërrmua, edhe ajo pak kulturë që kishim në shpirt. 3 vjet më parë, në të mërkuren më të zezë të jetës tonë do ta përcillnim Lilin me lumenj lotësh, dhimbje të thellë e zemrën e copëtuar. Nuk mund të harrojmë ato çaste aq të vështira që kaluam, zemrën e lënduar nga dëshpërimi i pamasë, as atë plagë të madhe, që na la motra e vrarë, e copëtuar: - Ja për këtë dhimbja jonë sdo të pushojë kurrë për Lilin, lotët nuk do të shterrin si një ujë varre e zemra do të na rënkojnë ditë e natë. Për jetën e saj, fatin e zi, brengën që na la si një sëmundje të përhershme. Nuk duam të dëgjojmë më, nuk duam ta besojmë që ajo nuk është më! Dhimbja që të mbyt, dhimbje që të vret, dhimbje që të mposht sado i fortë të jesh. Ska fjalë ngushëllimi. Lotët e derdhura nuk e kompesojnë dot dhimbjen për të. Jo, Lili nuk do të vijë më mes nesh për të na thirrur në emër. Boni, mama! Unë, që do ta kisha motër e shoqe të pandarë. Dhe mamaja jonë e vuajtur në jetë. Edhe shoqe, edhe motër! E ëmbël si flladi i pranverës, e fortë si ai guri i përzier me dashuri do të mbetet dashuria jonë për Lilin, për të shtrenjtën tonë, të bukurën, princeshën që sdo na i thajë kurrë lotët nga sytë tanë. Sepse Liljana nuk ka vdekur për ne. Ajo na deshte shumë ne, e ne do ta kemi përherë në mëndje e zemër atë, në çdo kohë, në çdo vit e në çdo ditë, kur ishte e gjallë. Kujtimi i Lilit na rri në mëndje e zemër sepse sa herë që të çelin lulet, lindë dielli, yjet në qiell e agimi i mëngjesit do të themi me zë të ëmbël: “mirmëngjes Lili motër! Ti je me ne, derisa të kemi frymën gjallë nuk po të themi “lamtumirë”. Me ndjenjë dashurie, respekt e dhimbje Alban Arapi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.