Urime

Intervista - - POSTA -

- Java që shkoi më rezultoi një befasi shumë e bukur: Shoqja ime, Ulpiana Lama, më dhuroi librin “Ia dolëm”. Sinqerisht, një nga më seriozet, në fushën e publicistikës, gjini që e njoh mirë. Për atë Zot, je e fortë, Ulpiana! Veçse në planin njerëzor, mos harro atë fjalën “amin” që e thua kur mbyll telefonin. Urime nga zemra!

- Mua më pëlqen t’i them “Balushka”, po ajo quhet Artemisa. Është juriste, në një ministri, por ky urim ka karakter njerëzor. Atë që i them bashkëshortit të saj: “Të ka rënë bixha, Olsi, me Balushkën”.

- Kur bëj gjimnastikën e mëngjesit, më bie rrua edhe te “Pallati me Kalë”, ku punon miku im, Luan Duraj, por ku është edhe një ekonomiste me syze, që e ka zemrën flori. Ky urim shkon për të.

- Dy Profesor Doktorë që janë pedagogë në një fakultet, po në lëndë të ndryshme dhe degë të ndryshme quhen Artan Fuga dhe Petrit Nathanaili. Të dy, në kohë të ndryshme, i kam patur shokë klase, madje bange. Unë zgjodha të bëhem shkrimtar, por të dy ata, i dua si dritën e syrit, sepse janë njerëz të mrekullueshëm së pari! E fus dorën në zjarr, për këtë! Ju përqafoj fort.

- Janë nja dy vajza aty te “Euro Teorema”, që herë pas here bëjnë edhe punën e recepsionistes. Emrat s’ua di, po janë shumë të bukura dhe sidomos, shumë të sjellshme. Njëra me kryq në qafë, është nga Kurbneshi, tjetra, nga Fieri. Idajet! Ty nuk të takova, po këto vajza të mrekullueshme, po! Ju uroj të dyjave mirësi!

- M’u bë sebep kunati im Arjan Miluka, që të takoheshim përsëri, e dashur Adelina Farici, kryetare e Bashkisë së Burrelit. Motra ime, më binte me gju, kur të thosha, atë që e kam thënë edhe në libër: Si nuk plakesh, një herë, moj Adelina! Dhe, o Zot, sa e bukur! Kështu mbetsh përherë, ti, ish-studentja e dalluar e Fizikës!

- O Zot, sa më pëlqeu diskutimi yt në platformën ekonomike të PD-së, i dashur Flamur Hoxha.

- I subjektivizuar pak nga zemra jote, kam frikë se ndonjëherë gaboj në përcak- time. Por, këtë herë, jo! Fole, si objekt i vërtetë i fushës së fasonëve. Dhe aty ku gjysma ishin ish-ministra të ekonomisë, kurse të tjerët, biznesmenë klasi, si Luan Leka, Dine Fratari, etj. Urime.

- Ti jeton në Bruksel, i dashur Petrit Ahmetaj, kurse unë të takova në Burrel! Kishe ardhur në qytetin tënd, bashkë me gruan, Leonorën. U kënaqa që të takova dhe, urime!

- Në Komunen Lis, po në fshatin Shoshaj, kam takuar një njeri të rrallë, Ismail Terziu. Njëlloj si gjyshi, që ngriti në 1912-n, flamurin shqiptar në Lis, ky njeri, me zemër aq të madhe, mjeshtër i ferrokromit, me një resort buzë lumit Mat me emrin “Luli”, më ka hyrë kaq shumë në zemër. Me një barrë hallesh të padrejta në kurriz, por që nuk dorëzohet. Kam shtuar një mik të vërtetë, i dashur Ismail! Edhe ti, besoj!

- Përsëri për ty, Artan Koçi, njeri plot kulturë. U kënaqa duke folur frëngjisht aty te “Sofra Arb” në urën e Arbanes.

- Si çun elbasani, po edhe si miku yt, u gëzova shumë për daljen në dritë të “Atrasit Enciklopedik të qytetit”, i dashur Qazim Sejdini. E di rolin tënd si kryetar bashkie, edhe në këtë rast! Të uroj fort!

- Të uroj nga zemra, Myrto Alliaj, i dashuruar, dikur pas deles, tani, ke një kompleks të mrekullueshëm gicash, në Shtyllas të Fierit. Dikur, aty internoheshin njerëz, si i madhi Astrit Delvina. Tani lulëzon ekonomia e bazuar në iniciativën e guximshme. Urime, Myrto!

- Figura e Gaz Demit dhe sidomos, zemra e tij e madhe, lë disi në hije shumë njerëz, aty te lokali. Po, për atë Zot, edhe sot, si para 30 e ca vjetëve, kur punoja hamall në Fabrikën e Miellit, unë të respektoj njëlloj, i dashur Tiku. Brigadier nuk të kam më, por shok, po! Të uroj gjithë të mirat.

- Pavarësisht modestisë tënde, përmes intervistës tënde integrale për vitin shkollor që u mbyll tek Universiteti “Kristal” unë (dhe kushdo) e merr vesh hapin cilësor që është bërë edhe në Fakultetin e Arteve atje. Urime ty, urime stafit, urime studentëve dhe sidomos Metit, si ideator.

- Mua më dhurojnë çdo javë 1 apo 2 libra, por ky libri yt “Edhe ti do bëhesh gjysh”, më ngacmoi në ëndrrën time më të madhe. Të uroj fort, miku im Duro Mustafaj, njeri gjithnjë trim, gjithnjë me zemrën qelibar. U bëfsh 100 vjeç!

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.