Bujar Nishani: Nuk do la lejoj miun, të më kalojë nën mustaqe!

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Nishani e takuam në breg të liqenit të Pogradecit, nën hijen e një bliri, duke medituar...

Kaso Kosa: - Përshëndetje, zoti President! Kemi ardhur të bëjmë një intervistë me ju...

Bujar Nishani: - Kohë të bukur ke zgjedhur për intervistë, Kaso! Nuk e shikon që po na mbyt vapa e gushtit dhe s’po dimë ku të fusim kokën? Shtoji vapës edhe temperaturat e larta që po na imponon maxhoranca e papërgjegjshme dhe...

- Pikërisht për këtë vapën e dytë doja të bënim një intervistë. Pse gjithë ky tension politik, zoti President?

- Nuk jam unë që shkaktoj tension, pasi jam në krye të detyrës dhe në mbrojtje të Kushtetutës, si garant për funksionimin e një shteti ligjor. Maxhoranca e sotme po synon të uzurpojë të gjitha pushtetet dhe duke qenë se unë jam pengesa kryesore për vendosjen e neodiktaturës, më sulmon me të gjitha mjetet dhe në çdo moment, duke krijuar kështu një situatë absurde dhe të paprecedent, në historinë e shtetit demokratik shqiptar.

- Analistët mendojnë se ju po futeni në disa debate jo shumë produktive, përmes Facebookut...

- Ç’më ngatërroni mua me Facebookun, Kaso! Ku di unë se si përdoret kompjuteri dhe interneti! Janë ata çunat e IT që lozin gjithë ditën. Unë as kam parë e as kam lexuar gjë nga ato që thotë media apo analistët. Ku më del koha mua të merrem me replika nëpër internetëra? Unë mendoj natë e ditë për t’i dalë zot vendit, duke vigjëluar ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Kryeministrit dhe të vartësve të tij.

- Këto ditë, ju kthyet mbrapsht ligjin për Shkollën e Magjistraturës. Nuk ju pëlqeu?

- Ç’thua mo? Unë jo vetëm ligjin nuk e kam lexuar, por u befasova kur dëgjova në media se e kisha kthyer mbrapsht në Parlament. Këtë e kanë bërë këshilltarët e mi, pa më pyetur fare mua. Në fillim u revoltova dhe mora Doktorin në telefon për t’iu ankuar ndaj këshilltarëve që ai më ka vënë dhe vetëm kur ai më tha se ligjin e kishin kthyer këshilltarët me urdhërin e tij, u qetësova. Unë vërtet firmosa një shkresë që ma dha Këshilltari për Marrëdhëniet me Parlamentin, po se ç’përmbajtje kishte, as e pashë fare.

- Edhe ligjin për Forcat e Armatosura, pa e parë e firmosët?

- A jo! Atë ligj e studiova me laps në dorë dhe e ktheva me vetëdije të plotë. Ai ligj është antikushtetues, sepse më heq mua si President kompetencat e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Jam ish-ushtarak karriere unë dhe për ligjet ushtarake nuk ma ha qeni shkopin; i njoh në majë të gishtave se e kam filluar karrierën si komandant toge dhe jam formuar si ushtarak me rregullore në duar. Antikushtetues ishte edhe ligji për karrierën ushtarake dhe, edhe atë e ktheva me vetëdije. Për ato dy ligje të kthyera, Doktori erdhi në zyrën time dhe më falënderoi personalisht. “Jari, je treguar në lartësinë e detyrës që u theve hundët atyre të Rilindjes, më tha, se duan të të ulin prestigjin dhe të të kthejnë në një kukull në duart e Kryeministrit!”. Dhe vërtet, kur e mendoj, krenohem me atë veprim të matur e burrëror.

- Ju, edhe për zonjën Xhuka apeluat. E bëtë për prestigj apo e çmonit atë zonjë?

- Për të dyja e bëra sepse jam i bindur që është kompetencë imja dhe mendoj se ajo zonjë është treguar vërtet zonjë në kryerjen e detyrës. Pozita e sotme e hoqi se i dhembin sytë kur shikon që kuadrot e vënë në detyra nga partia ime, janë të suksesshëm, të përkushtuar dhe besnikë të zbatimit të ligjit në një shtet ligjor.

- Zoti president, ju iu kundërvutë qeverisë kur kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni. I njëjti motiv është; për devotshmëri në detyrë, ndërkohë që akuzohet për fsheje të pasurisë marramendëse?

- Së pari, Gjini është një ndër gjyqtarët më të nderuar të vendit, si për kompetencat juridike, si për karakter njerëzor. Vërtet ka vënë ca si shumë pasuri dy- tre vjetët e fundit, po ku qëndron e keqja se është pasuruar një qytetar i republikës? Jemi në kapitalizëm dhe ai që është i zoti, i ka të tëra mundësitë të pasurohet. Pastaj, të mos harrojmë se një qytetari të thjeshtë, kur i mbaron një punë të paqme, i del nga zemra një dhuratë e vogël, në euro, dollarë apo thjesht, lekë shqiptare. Ç’të bëjë gjyqtari në të tilla raste, të fyejë qytetarin në ndjenjat me humane e më delikate siç është mirënjohja? Së dyti, Gjini është mik i ngushtë i Doktorit dhe...

- Nuk po miratoni asnjë nga reformat në drejtësi. Mendoni se nuk janë të nevojshme?

- Këtë e bëj sepse jam unë Presidenti e kryetari i KLD dhe nuk mund të lejoj që të më kalojë miu nën mustaqe nga Edi Rama apo ministri Naço, se pastaj aq duan ata dhe e bëjnë rrugë, heqin gjithë këtë armatë gjyqtarësh të zgjedhur nga vetë Doktori dhe vënë ata që i venë pas Edvinit. E bëj edhe për t’u treguar se KLD ka një burrë që nuk luan nga istikami, sikur ta di se më kundërvihet gjithë pozita. Në fund të fundit, kam në krah Doktorin që duke ditur ngarkesën e madhe të punëve të mia, vë Elvisin të përgatitë listat dhe unë, vetëm sa i firmos.

- Për skandalin e grabitjes së Bankës Shqiptare dhe për zotin Fullani, nuk jeni prononcuar akoma...

- Ju nuk e njihni mirë zotin Fullani; ai është një aset i jashtëzakonshëm për vendin tonë, është nga ata burra që ka marrë në punë të gjithë njerëzit tanë për të cilët kemi detyrime dhe i jemi futur politikës. Kur Odeta ime iku nga puna sepse u fye nga nënvleftësimi që i bënte Ministrja Kumbaro, që as nuk e përshëndeste e as i buzëqeshte Zonjës së Parë, ishte ai Guvernator zemërgjerë që hodhi dorën dhe jo vetëm ma mori në bankë, por e bëri edhe drejtoreshë, me një rrogë që nuk e kishim parë as në ëndërr. Nuk jam nga ata unë, që ha bukën e përmbys kupën. Edhe nëse pozita merr guximin dhe e shkarkon, unë nuk do ta firmos vendimin e qeverisë. Mos harroni se Fullani ka një mijë e një detyra si Guvernator. Mjafton t’ju them që ndjek ekipet e volejbollit të femrave ku luan kunata e Doktorit dhe Odeta ime, të meshkujve të bankës, atë të basketbollit, festivalet dhe konkurset e bukurisë nëpër botë, ndjek lëvizjet e të gjithë punonjësve të bankës me pushime, në festa e gëzime familjare dhe kuptohet që është i mbytur në punë.

- Analistët dhe media hamendësojnë se ju mund të mos firmosni asnjë nga ligjet e miratuara në seancën e fundit të Parlamentit, më 31 korrik...

- Është e vërtetë, nuk do të firmos asnjë ligj të asaj date. Më tha Doktori të mos i miratoj sepse kemi plane të tjera për këtë vjeshtë. Sot për sot, deputetët e opozitës dhe pozitës janë me pushime nëpër botë, pasi janë stresuar shumë në këtë legjislaturë, janë rrahur e keqtrajtuar. Derisa të kthehen në shtator, Doktori do të ketë marrë masa, siç di vetëm ai, që disa prej deputetëve të pozitës të kthejnë mendje dhe të mos i votojnë ato ligje, sidomos atë për reformën territoriale. Nga ana tjetër, Basha dhe Edi Paloka do bëjnë referendum në komunat dhe bashkitë që ka PD dhe me vendimin plebishitar të referendarëve, ligji për reformën territoriale, doemos, do bjerë. Bashkë me të, edhe ligjet e tjera dhe qeveria, do apo nuk do Edvin Rama, do të japë dorëheqjen. Nga fundi i vjeshtës vijmë ne në pushtet dhe unë do të jem i qetë në detyrën time fisnike...

- Një pyetje të fundit: Është e vërtetë që edhe ju keni një master të marrë nga një institut fantazëm francez me emrin IRERIE?

- Kam unë master? Sot po e dëgjoj për herë të parë. Unë nuk kam bërë asnjë shkollë veç asaj të Bashkuar “Enver Hoxha”. Me siguri, do ta ketë blerë miku im Myqerem Tafaj kur u bëra President dhe nuk ma ka treguar. Çuditem pse nuk ma ka thënë. Me siguri, e ka ruajtur të ma bëjë surprizë në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.